Koreja e Veriut do të marrë pjesë në Lojërat Dimërore, fillon mbarë dialogu ndër-korean

2018-01-10 11:23:41 CRI Komenti juaj Printoni

Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) do të dërgojë një delegacion të lartë, atletë dhe një skuadër tifozësh në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchang-ut në Korenë e Jugut. Ky lajm u përcoll nga delegacioni verikorean në bisedimet e nivelit të lartë që filluan të martën në zonën e armatosur kufitare Panmunjom që ndan gadishullin.

Koreja e Veriut nuk ka bërë ndonjë njoftim për takimin, por mediat e saj zyrtare kanë i dhanë përparësi përmirësimit të marrëdhënieve ndër-koreane dhe çështjes së ribashkimit kombëtar.

Ato thonë se ribashkimi i hershëm i kombit është qëllimi i ofertës për paqe të bërë nga Pheniani për Seulin, pasi zyrtarë të të dy vendeve filluan të martën takimin e parë të nivelit të lartë.

Agjencia zyrtare koreane e lajmeve (KCNA) tha në një koment të hënën mbrëma se udhëheqësi i lartë Kim Jong Un, "e qartësoi qëndrimin e guximshëm duke propozuar përmirësimin e marrëdhënieve ndër-koreane në fjalimin e tij të Vitit të Ri".

Gazeta zyrtare 'Rodong Sinmun' tha në një koment të mëparshëm se thirrja e Kim-it për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugun ka fituar mbështetje të madhe në vend dhe jashtë tij.

Duke i zgjatur degën e ullirit presidentit jugkorean, Moon Jae-in, Kim tha në fjalimin e tij të Vitit të Ri më 1 janar se ai dëshiron të shohë një fund të shpejtë të marrëdhënieve të ngrira me Seulin, ndërsa ofroi dërgimin e atletëve në Lojërat Dimërore të Pyeongchang-ut.

 

Veprimi i papritur i udhëheqësit verikoran fitoi shpejt reagimin e Koresë së Jugut dhe jo vetëm.

Kina ka deklaruar se i mirëpret dhe i mbështet zhvillimet e fundit pozitive në marrëdhëniet ndërmjet Koresë së Veriut e Koresë së Jugut.

Në një konferencë të rregullt shtypi të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lu Kang e përshëndeti dailogun:

"Si një vend fqinj i Gadishullit Korean, Kina i mirëpret dhe i mbështet zhvillimet e fundit pozitive ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut për çtensionimin e marrëdhënieve dypalëshe. Shpresojmë gjithashtu që të gjitha palët e interesuara në bashkësinë ndërkombëtare do të japin mbështetjen e tyre për këto zhvillime pozitive dhe do të punojnë bashkërisht për të gjetur zgjidhje për zbutjen e tensioneve, rritjen e besimit të ndërsjellë dhe rifillimin e dialogut e konsultimeve".

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se është "në të mirë të Shteteve të Bashkuara" që dy Koretë kanë vendosur të angazhohen në bisedime të nivelit të lartë, por paralajmëroi se ambiciet bërthamore të Phenianit përbëjnë ende një kërcënim serioz për botën.

"Kjo është një situatë shumë e rrezikshme", i tha Haley të dielën rrjetit televiziv ABC News.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë presionin ndaj Koresë së Veriut për t'i dhënë fund zhvillimit të armëve bërthamore dhe paralajmëroi: "Ne gjithashtu mund t'i shkatërrojmë ata".

Në një fjalim nga vendpushimi presidencial Camp David, presidenti, Donald Trump tha se ai shpreson se bisedimet e reja mes dy Koreve do të zgjerohen "përtej Lojërave Olimpike", ndërsa premtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në kohën e duhur.

Presidenti Trump dha një konferencë të pazakontë shtypi të shtunën nga Camp David, ku u takua me ligjvënësit republikanë. "Shpresoj se do të shkojnë mirë," tha Trump, rreth bisedimeve të ardhshme mes Seulit dhe Phenianit.

"Nëse mund të ndodhë diçka nga ato bisedime, do të ishte e mrekullueshme për të gjithë njerëzimin. Do të ishte e mrekullueshme për botën. Shume e rëndësishme," tha ai.

Presidenti tha gjithashtu se ai kishte folur me kreun e Koresë së Jugut Moon Jae-in, i cili e falënderoi shumë për "qëndrimin e tij të ashpër".

Kohët e fundit, udhëheqësi amerikan dhe ai koreano-verior kanë shkëmbyer komente thumbuese rreth arsenaleve të tyre bërthamore.

Të premten, Koreja e Veriut pranoi ofertën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë rreth Lojërave Olimpike. Bisedimet filluan më 9 janar në zonën e çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore