Kina rrit cilësinë e lodrave dhe zbukurimeve

2018-01-10 10:44:05 CRI Komenti juaj Printoni

 


"Shumica e zbukurimeve për Krishtlindje importohen në Europë nga Kina," shkruan gazeta austriake Der Standard duke përcjellë një raport të Agjencisë Europiane të Statistikave. Vitin e kaluar vendet e BE-së importuan lodra dhe zbukurime me një vlerë prej 7.2 miliardë euro, pjesa dërrmuese e të cilave mban logon "Made in China". Lodrat dhe zbukurimet e prodhuar në pjesën kontinentale të Kinës zënë 85% të tregut të importit të BE-së. Ndërsa rajoni i Hong Kongut dhe Vietnami zënë vendin e dytë dhe të tretë me 4% dhe 2% të prodhimit.

Edhe pjesa më e madhe e zbukurimeve që importohen në Shqipëri, e kanë origjinën nga Kina. Në fakt tregu botëror i lodrave e zbukurimeve të Krishtlindjes po dominohet nga prodhimet kineze. Për vitin 2016, sipas të dhënave nga doganat, zëri i lodrave përllogaritej në total në 25 milionë dollarë, prej të cilave 55 për qind apo 13 milionë dollarë vinin nga Kina. Pjesa tjetër vinte nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia, përkatësisht 15 dhe 23 për qind e totalit.

Lodrat e prodhuara nga Kina përbëjnë 70% e tregut botëror. Në 2017-n rezultatet e eksportit të lodrave ishin shumë të mirë. Nga janari deri në tetor, eksporti i lodrave në mbarë Kinën kapi një vlerë prej 37.41 miliardë dollarë amerikanë, duke shënuar një rritje prej 34.38% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Provinca Guangdong e Kinës Jugore është baza më e madhe e prodhimit të lodrave dhe zbukurimeve për eksport. Nga janari deri në tetorin e vitit të kaluar, eksporti i lodrave arriti një vlerë prej 19.83 miliardë duke u rritur me 33.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Lodrave të provincës Guangdong, Li Zhuoming, thotë se industria e prodhimit të lodrave e Kinës po del nga modeli i vjetër që kryesisht punonte për kompani të mëdha të huaja. Lodrat e prodhuara nga ndërmarrjet kineze po përmirësohen shumë në fushën e dizajnit dhe të cilësisë. Por markat e huaja ruajnë ende pozicionin e fortë ndaj prodhimeve lokale. Ndërmarrjet kineze të lodrave po përpiqen të shtojnë njohjen e markave të vendore.

Li Zhuoming thotë se shumica e prodhimeve kineze nuk ndryshojnë nga prodhimet e kompanive të huaja. Sidomos lodrat me teknologji të lartë janë edhe më të mira se prodhimet e huaja. Për shembull, të gjitha markat e avionëve të telekomanduar (dronëve) janë kineze. Li thekson gjithashtu rimëkëmbjen e ekonomisë në Europë dhe në ShBA, si dhe zhvillimin e shpejtë të Azisë të drejtuar nga ekonomia e Kinës. Ai parashikon që shpenzimet e konsumatorëve për lodra do të rriten këtë vit.

"70% e lodrave për eksport prodhohen në provincën Guangdong dhe 70% e tyre prodhohen në qytetin Shantou" thotë zv./drejtori i Zyrës së Administratës së Kontrollit të Cilësisë të provincës, Tan Jiaoqian.

Rritja e cilësisë së lodrave po nxit tani ndryshimin e modeleve dhe ngritjen e nivelit industrial në distriktin Chenghai të Shantou-t," thotë zyrtari vendor

Wang Weishen. Ai thekson se për prodhimin e lodrave përdoret edhe inteligjenca artificiale, ndërsa shton se qeveria ka marrë shumë masa, për lehtësimin e prodhimit dhe shtimin e eksportit.

Wang Weishen thotë se qeveria i përkrah gjithashtu ndërmarrjet që të marrin pjesë në projektet e studimit mbi standardizimin e niveleve të ndryshme.

Përveç këtyre, në Chenghai u krijua sistemi i parë i kontrollit elektronik të cilësisë së lodrave. Në këtë sistem mund gjenden katër përmbajtje: burimi i prodhimit, rekordi i prodhimit, vendet e eksportit të lodrave dhe përgjegjësia e zbatuar nga ndërmarrjet. Ky sistem përdor teknologjinë e lartë të internetit për të ngritur nivelin e kontrollit të cilësisë.

Masa për nxitjen e eksportit të lodrave po merren edhe në qytetin Dongguan. Drejtoria e Inspektimit dhe e Karantinës, po nxit krijimin e zonës së sigurisë së cilësisë së lodrave dhe të mallrave për fëmijë.

Komiteti i Nxitjes së Shkencës i qytetit Dongguan bashkëpunon me ndërmarrjet kryesore dhe hartoi 10 standarde cilësie. Ky komitet organizon gjithashtu aktivitete për cilësinë e lodrave. Këto masa kanë krijuar një bazë të fortë për rritjen e aftësisë së ndërmarrjeve që kontrollojnë cilësinë e prodhimeve. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore