Zbulimet arkeologjike në gjurmën e TAP-it mundësi për të paraqitur historinë e Shqipërisë

2017-12-27 14:22:59 CRI Komenti juaj Printoni

Revista "Archaeology", botim i Institutit amerikan të Arkeologjisë, i ka kushtuar një shkrim të gjatë zbulimeve arkeologjike në Shqipëri, të mundësuar edhe nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, që po shfrytëzohet nga arkeologët si një mundësi për zbulime dhe për të paraqitur historinë e vendit që nga koha e Neolitit deri në ditët tona.

"Arkeologët, të financuar nga Trans Adriatic Pipeline (TAP) kanë gërmuar dhe kanë studiuar një vendbanim antik pranë Peshtanit, ku do të kalonte gjurma e gazsjellësit. Por, gjurma e tubacioneve u devijua pikërisht për të shmangur vendbanimin 1400-vjeçar", thuhet në shkrimin e gazetarit Matthew Brunwasser.

"Në Shqipërinë moderne, përzierja e kulturave historike është kaq e theksuar sa duket sikur ato do të përplasen me njëra-tjetrën. Vlen të përmendet 'Rruga Egnatia', që për herë të parë u kalua nga ushtarët romakë, rreth vitit 200 para Krishtit. Kjo rrugë u modernizua për shekuj me radhë dhe u bë rruga lidhëse mes Konstandinopojës dhe Adriatikut", thekson ai.

Në këtë shkrim theksohet gjithashtu se TAP-i ecën pothuajse paralel me 'Rrugën Egnatia', arteria kryesore antike mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një nga zbulimet më interesante të bëra deri tani është vendbanimi i Turanit, varrezat e të cilit datojnë që prej 2 000 vitesh.

Shqipëria është një vend që po zhvillohet me shpejtësi. Ajo tërhoqi 4,7 milionë turistë në vitin 2016 ose 15 për qind më shumë se në vitin 2015.

"Ndërsa pjesa më e madhe e turistëve vijnë për plazhet e virgjëra dhe të lira, për ngjitje në male dhe ekoturizëm, edhe numri i vizitorëve në zonat arkeologjike ka ardhur duke u rritur," shkruan Brunwasser.

Shkrimi i revistës amerikane lidhet me zbulimin e kryer gjatë punimeve për pastrimin dhe sistemimin e korridorit të kalimit të gjurmës së Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, në afërsi të fshatit Vodicë në Berat. Aty u zbuluan rrënojat e një vendbanimi të hershëm.

Sipas vlerësimeve nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP bëhet fjalë për një vendbanim i cili daton që nga periudha e shekullit të VI të erës sonë. Gjatë kësaj kohe, kjo hapësirë duket që është përdorur si vendbanim rural, por ajo që bie në sy sipas ekspertëve është edhe prania e objekteve religjioze siç është kapela e Kishës.

Eksperti i Trashëgimisë Kulturore për TAP në Shqipëri, Lorenc Bejko thotë se në territorin, gjatë hapjes së korridorit janë zbuluar rreth 30 gjetje rasti nga të cilat janë kryer gërmime për 15 prej tyre, duke zbuluar site arkeologjike të rëndësishme që datojnë nga neoliti i hershëm e deri në shekullin e 18. Gjetjet janë kryesisht në zonën e Korçës, por edhe në Berat.

I tillë është edhe siti i Vodicës shumë pranë një qendre tepër të njohur të arkeologjisë në Shqipëri, siç është Gradishta e Peshtanit.

"Ky është një sit i rëndësishëm, ka një diapazon të gjerë kohor, që nis nga fillimi i shekullit të 6-të të erës sonë. Sitikarakterizohet nga një kompleksitet jo vetëm strukturash ndërtimore, por edhe objektesh me karakter publik, siç është objekti religjoz, që ne e kemi quajtur 'kapela e Kishës', apo banjo publike, ose hamami që i përket një faze më të vonë", shprehet Bejko.

Ky, sipas Bejkos, është një fragment vendbanimi dhe brezat që vijnë do të kenë mundësi të eksplorojnë më tej.

Përgjatë gjithë korridorit të ndërtimit të gazsjellësit TAP, janë rreth 400 ekspertë të trashëgimisë kulturore që do të ndjekin punimet në përputhje me planin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Të gjitha artefaktet dhe gjetjet arkeologjike u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse shqiptare, të cilat sigurojnë ekspozimin e tyre për publikun.

Qyteti i Beratit është i vendosur në Shqipërinë Jugqendrore, i cili ka një sipërfaqe prej 939 kilometra katrore dhe popullsi prej gati 65 mijë banorësh. Berati është një ndër qytetet më të vjetër të Shqipërisë dhe ka një trashëgimi kulturore unike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Është një qendër e rëndësishme për zhvillimin e turizmit ne vend. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore