Bota myslimane bashkohet kundër Trumpit

2017-12-13 15:07:31 CRI Komenti juaj Printoni

Garda Revolucionare Islamike ofroi "mbështetjen e plotë" të Iranit për militantët palestinezë, për t'i bërë rezistencë vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin kryeqytetin e Izraelit.

Komandanti, Qassem Soleimani, i cili mbikëqyr degën e operacioneve të jashtme të Gardës, u ofroi mbështetje përmes telefonit, komandantëve palestinezë të brigadave Xhihadite Islamike dhe Izz Al-Deen, që janë krahët e armatosur të grupit militant islamik, Hamas. Ky i fundit kontrollon Rripin e Gazës.

Mbështetja e tij u bë pasi raketat e qëlluara nga Rripi i Gazës goditën Izraelin, një prej tyre u pengua nga sistemi i mbrojtjes raketore, thekson një njoftim i ushtrisë izraelite.

Në përgjigje, ushtria e Izraelit njoftoi goditjen e pozicioneve ushtarake të Hamasit me zjarr artilerie.

Shkëmbimi i zjarrit midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit, pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli vendimin më 6 dhjetor, ka lënë të vdekur së paku gjashtë palestinezë.

Shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, gjenerali Mohammad Baqeri, tha se "lëvizja e pamend" e Trumpit për Jerusalemin mund të shihet si fillim i një kryengritjeje të re palestineze.

Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami, tha se ky veprim vetëm sa "do të nxisë shkatërrimin e regjimit sionist dhe do të dyfishojë bashkimin e myslimanëve".

Komandanti, Qassem Soleimani, i cili ka drejtuar forcat iraniane që kanë luftuar në Siri dhe Irak, tha se grupet e rezistencës në rajon janë të përgatitura për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit, si vendi i tretë më i shenjtë i islamit.

Soleimani është komandant i forcës Kuds të Gardës Revolucionare që ka udhëhequr luftën e Iranit kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Trupat e tij vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të rëndësishme për presidentin sirian, Bashar al-Assad, në luftën e tij kundër rebelëve myslimanë sunitë.

Irani ka kritikuar ashpër vendimin e Trumpit për Jerusalemin dhe ka kërcënuar me pasoja. Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se qyteti i shenjtë është "më shumë sesa thjesht politikë".

Vendimi i Trumpit ka shkaktuar protesta të myslimanëve në mbarë botën, në mbështetje të palestinezëve, të cilët e duan Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Trump tha se njeh vetëm "realitetin" e vendimit të Izraelit, vite më parë, për të aneksuar Jerusalemin Lindor dhe për ta shpallur gjithë qytetin si kryeqytet të tij. Ky vendim, megjithatë, nuk është njohur më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe vazhdon të refuzohet nga shumica e vendeve të tjera.

Më 11 dhjetor, grupi militant Hezbollah i Libanit, një aleat i Iranit, i cili ka luftuar kundër Izraelit në vitin 2006, organizoi një protestë në Bejrut, në të cilën dhjetëra e mijëra njerëz thirrën: "vdekje Amerikës" dhe "vdekje Izraelit".

Ndërkohë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin paralajmëruan të hënën, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, se njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga ShBA-ja, rrezikon të rrisë tensionet në Lindjen e Mesme.

"Rusia dhe Turqia besojnë se ky vendim nuk ndihmon për stabilizimin e gjendjen në Lindjen e Mesme, por në të kundërt, e destabilizon gjendjen e ndërlikuar," deklaroi Putini, i cili kishte ndodhej në Ankara për t'u takuar me homologun e tij turk.

Erdogani nga ana e tij vlerësoi se "Izraeli po i hedh benzinë zjarrit. Izraeli e shikon këtë proces si një mundësi për të rritur presionin dhe dhunën kundër palestinezëve," tha ai.

Gjatë një ndalese të shkurtër në Egjipt, të hënën pasdite, Putini kërkoi "rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve të drejtpërdrejta izraelite palestineze mbi të gjitha çështjet, duke përfshirë këtu edhe statusin e Jerusalemit". (Leftion Peristeri/ agjencitë)

Mrekulli
Lajmet Kryesore