Kina, Kanadaja ngrenë mekanizmin e mbrojtjes së mjedisit dhe energjisë së pastër

2017-12-06 14:18:38 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang dhe homologu i tij i Kanadasë kryesuan dialogun e përvitshëm Kinë – Kanada në Pekin.

Gjatë diskutimeve të gjera të zhvilluara midis dy delegacioneve, u vendos krijimi i dy mekanizmave ministrore për mjedisin dhe energjinë e pastër.

Duke folur pas takimit, kryeministri Li Keqiang tha se të dyja palët rikonfirmuan vendosmërinë e tyre ndaj globalizimit dhe tregtisë së lirë.

"Kina dhe Kanadaja kanë rënë dakord për të nxitur përparimin e procesit të globalizimit, ruajtur liberalizmin e tregtisë dhe të investimeve dhe filluar përpjekjet për të hartuar një studim fizibiliteti për një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë midis dy vendeve. Kina mban një qasje të hapur mbi përparimin dhe përmbajtjen e negociatave," tha kryeministri kinez.

Kina është tani partnerja e dytë më e madhe e Kanadasë, duke lënë pas vetëm Shtetet e Bashkuara, ndërkohë Kanadaja është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm të investimeve kineze jashtë vendit.

Në vitet e fundit, tregtia midis dy vendeve ka ruajtur prirjen e rritjes dyshifrore, por potenciali mbetet ende shumë më i madh.

Deri tani, tregtia dypalëshe përbën 1.2 për qind të tregtisë së jashtme të Kinës dhe rreth 8 për qind të Kanadasë.

Kryeministri Li Keqiang u bëri thirrje të dyja palëve të shtojnë investimet, bashkëpunojnë në tregjet e palëve të treta dhe zbulojnë fusha të tjera bashkëpunimi.

Gjatë diskutimeve të së hënës, të dy palët u zotuan të punojnë së bashku për të përballuar së bashku pasojat e sjella nga ndryshimi i klimës.

"Gjatë vizitës së kryeministrit, të dy qeveritë do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët për 'Ndryshimin e Klimës dhe Rritjen e Pastër'. Kjo tregon se të dy vendet angazhohen të plotësojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare. Gjithashtu lidhet dhe me nivelin e zhvillimit të të dy vendeve për të luftuar pasojat e ndryshimit të klimës. Ne do të zbulojmë gjithashtu mundësi bashkëpunimi në lidhje me çështjet e klimës," tha Li.

Për të nxitur përpjekjet, të dy vendet vendosën të themelojnë dy mekanizma dialogu për mjedisin dhe energjinë e pastër.

Kryeministri kanadez Trudeau thotë se bashkëpunimi dypalësh ka shkuar përtej çështjeve ekonomike, ndërsa bëri thirrje për për nxitjen e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore.

"Marrëdhënia midis dy vendeve tona shkon përtej çështjeve ekonomike. Ka një lidhje të thellë dhe të qëndrueshme midis popujve të Kanadasë dhe Kinës. Vitin e ardhshëm, dy vendet tona do të kremtojnë vitin e turizmit Kanada-Kinë, një mundësi për qytetarët kanadezë dhe ata kinezë për të udhëtuar, për të takuar njerëz të rinj dhe për të formuar një miqësi të qëndrueshme. Kjo lidhje do të rritet edhe më e fortë, ndërsa ne do të punojmë së bashku për të nxitur rritjen e shkëmbimeve arsimore dhe për të zbuluar mundësitë për një bashkëpunim më të madh kulturor," tha Trudeau.

 

Pas takimit, udhëheqësit e dy qeverive ishin të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, që përfshijnë fusha të tilla si siguria ushqimore, energjia dhe aviacioni.

Kjo është hera e dytë që kryeministri kanadez Trudeau zhvillon një vizitë zyrtare në Pekin që nga marrja e detyrës. (Leftion Peristeri)

Mrekulli