Zhengzhou, trenat që lidhin Kinën dhe Europën janë fryt i nismës 'Një brez, një rrugë'

2017-11-22 10:52:33 CRI Komenti juaj Printoni

Brenda tre vjetësh dhe me 784 trena që udhëtojnë nga Kina drejt Europës dhe anasjelltas, qyteti Zhengzhou i Kinës Qendrore ka zhvilluar një ekonomi të lulëzuar dhe po bëhet tani "një qytet i madh tregtar ndërkombëtar".

Pei Changming, agjent i një kompanie transporti mallrash me seli në Tianjin kontrollon mallrat e ardhur nëpërmjet trenave nga Hamburgu i Gjermanisë në vendgrumbullimin e kontejnerëve në Zhengzhou. Kompania e tij e ka selinë në Tianjin, një prej porteve më të rëndësishme të Kinës Veriore, por zgjodhi transportin kontinentale nëpërmjet nyjës hekurudhore të Zhengzhou-t, sepse beson se transporti hekurudhor është më i lehtë.

"Para dy, tre vjetësh zgjodhëm transportin hekurudhor. Shpenzimet e këtij transporti janë më të ulëta se transporti ajror dhe shpejtësia e transportit hekurudhor është më e madhe se ajo e transportit detar. Për transportin detar duhen afro 2 muaj, ndërsa transporti hekurudhor nëpërmjet Zhengzhou-t vetëm 4 javë. Pra koha përgjysmohet."

Në korrikun e vitit 2017, nga Zhengzhou u nis treni i parë me destinacion Hamburgun e Gjermanisë. Ky tren është vetëm për transportin e mallrave, ndaj makinisti i parë, An Chunlei, kujton se i kushtoi rëndësi të madhe qëndrueshmërisë së qarkullimit të trenit.

"I kushtuam rëndësi të madhe trenit që u nis për në Europë. Kërkesat për ne ishin gjithashtu më të larta. U përpoqëm që treni të kishte një qarkullim të qëndrueshëm. Transporti hekurudhor është njëlloj një garë stafete dhe çdo fazë është e rëndësishme."

  

Në majin e vitit 2014, presidenti Xi Jinping inspektoi në Stacionin Ndërkombëtar të Zhengzhou-t. Ai tha se shpreson që provinca Henan të bëhet një nyjë e transportit që do të lidhë krahinat lindore, qendrore e perëndimore të Kinës. Gjithashtu ai shpresoi që provinca Henan do të kontribuojë për ndërtimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit.

Brenda tre viteve Stacioni Ndërkombëtar i Zhengzhou-t ka pasur një zhvillim të shpejtë, ndërsa është rritur shpejtësia e trenave. Deri në gushtin e këtij viti, nga Zhengzhou kanë qarkulluar 784 trena midis Kinës dhe Europës. Zhengzhou është pika e nisjes dhe ajo fundore e kësaj linje transporti. Vlera e mallrave të transportuar nëpërmjet saj arriti në 4 miliardë dollarë amerikanë.

Tani qarkullojnë çdo javë në këtë linjë 14 trena. Ata të kujtojnë karvanët e deveve që udhëtonin midis Kinës dhe Europës. Nga Kina nisen disa trena mallrash me destinacion qytete të ndryshme europiane. Nga Kina trenat nisen nga Chengdu, Wuhan apo Guangzhou, por trenat që nisen nga stacioni i Zhengzhou-t janë më të fuqishëm, sepse janë të vetmit që nisen dhe kthehen me kapacitet të plotë.

Çmimet e mallrave janë integruar në një sistem përmbledhës informacioni. Zv./menaxheri i përgjithshëm, Shi Wensong:

"Shikoni kohën në sistem, ngarkesat e mallrave janë marrë në orën 10:40, 10:37, 10:36. Çdo ditë ka afro 300 ngarkesa. Më parë kishim vetëm 100 ngarkesa. Pjesa e madhe e mallrave nga vendet europiane, si nga Gjermania, Polonia, Italia, Franca etj., janë pajise elektrike dhe mekanike, produkte IT, pjesë këmbimi makinerish, materiale të posaçme, ushqime etj. Ndërsa nga Kina nisen më së shumti produkte IT-së, makina, pajisje elektrike dhe mekanike, veshje dhe ushqime."

Zv./menaxheri tjetër i grupit, Yang Wenjun, thotë se fillimi i qarkullimit të trenave të mallrave midis Kinës dhe Europës ka sjellë ndryshime në qasjen e europianëve për trenin. Në fillim atë nuk kishin shumë besim për trenat:

"Në fillim kur ne prezantuam këtë tren shumë veta paraqitën interes, e dëgjuan tregimin tonë por nuk shfaqën shumë besim. Por me zhvillimin e trenit dhe me shtimin e kërkesave, më shumë europianë po i kushtojnë rëndësi transportit hekurudhor, sepse ky transport mund t'i plotësojë më mirë interesat fabrikave, kompanive etj."

Me trenat që qarkullojnë midis Kinës dhe Europës, qyteti Zhengzhou i Kinës Qendrore është lidhur edhe më shumë me qytetet e tjera qendra globale. Ndërsa qytetarët po marrin tani frytet e sjella nga nisma "Një brez, një rrugë". Në Qendrën e Ekspozitës së Mallrave të Importit të Zhengzhou-t, mund të gjendjen lëngje frutash nga Polonia, qumësht nga Bjellorusia, verë nga Franca, vodkë nga Rusia etj.

Zv./menaxheri i grupit, Yang Wenjun:

"Këto ushqime nga Europa mund të vendosen në tryezat e familjeve kineze. Për shembull qumështi. Koha e hyrjes së qumështit në tregun e Kinës është pothuajse e njëjtë me atë të Europës. Pra, nga koha e prodhimit deri në çastin e konsumimit. Prandaj qytetarët mund të ndjejnë rezultatet e arritura nga ndërtimi i këtij kanali kontinental të shpejtë transporti."

Distanca nga Zhengzhou i Kinës Qendrore drejt qyteteve të tjera kryesore është vetëm një ditë për transportin e mallrave. Kjo i ka dhënë përparësi Zhengzhou-t për t'u bërë një qendër kryesore ndërkombëtare e transportit të mallrave dhe qendër brezi e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. (Çang Çuo/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore