Kina fokusohet te novacioni teknologjik

2017-10-18 14:01:34 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas një raporti studimor të publikuar ditët e fundit, sektorët e rinj të ekonomisë kineze do të përbëjnë rreth 12 për qind të GDP-së së vendit sivjet.

Ekspertët thonë se Kina po bëhet një udhëheqëse botërore në fushën e shkencës e të teknologjisë, pasi kapacitetet e saj në kërkim-prodhim po vazhdojnë të rriten me shpejtësi.

Në raport vihet re se sektorët e rinj ekonomikë po rriten me një ritëm mjaft të qëndrueshëm dhe parashikohet se industritë e reja strategjike, si energjia e re dhe prodhimi i përparuar, do të zënë rreth 10 për qind të vëllimit të përgjithshëm të GDP-së në vitin 2017.

Raporti sugjeron gjithashtu se zhvillimi ekonomik i Kinës duhet të mbështetet në integrimin midis risive e prodhimit industrial dhe se duhen bërë përpjekje për të siguruar që përparimet në fushën e inovacionit të përçohen në prodhim.

Philip Coates, profesor në Shkollën e Inxhinierisë të Universitetit të Bradfordit, thotë se Kina ia ka kushtuar një pjesë gjithnjë e më të madhe të PBB-së së vet kërkim-prodhimit:

"Ka pasur shumë investime në grupet akademike. Mjaft nga kolegët e mi perëndimorë na kanë shumë zili që kemi një marrëdhënie kaq të mirë me kaq shumë grupe kineze, sepse trajektorja është pa dyshim në ngjitje. Pra, është mirë të bashkëshoqërohesh me diçka që po rritet."

Coates gjithashtu vlerëson shumë përpjekjet e Kinës për të vendosur bashkëpunim me vendet e tjera përmes projekteve të tilla si nisma "Një brez, një rrugë":

"Kina ka plane dhe këto plane nuk janë thjesht për të zhvilluar veten, por Kina ka një plan që përfshin edhe miqtë e saj, dhe ajo dëshiron të bëjë miq e jo armiq. Unë mendoj se ndërtimi i rrugëve, brezave dhe urave, është sinonim i një bashkëpunimi dhe komunikimi të vërtetë, dhe kjo është jetike".

Të premten u hap linja e komunikimit kuantik 2000 km që lidh Pekinin, Jinan-in, Hefei-n dhe Shangain. Kjo është linja e parë e telekomunikacionit kuantik të sigurt në botë.

Paul Nurse, ish-president i Shoqërisë Mbretërore, që fokusohet në kërkimet biomjekësore, vë në dukje arritjet e mëdha të Kinës në satelitët e komunikimit kuantik dhe inxhinierinë e embrionit njerëzor:

"Është shumë interesante të shohësh se si po përparojnë gjithnjë e më shumë shkenca dhe teknologjia në Kinë. Le të marrim për shembull, rrjetin satelitor duke përdorur komunikimin kuantik. Mendoj se njerëzit janë shumë të befasuar nga kjo. Në fushën time, shkencën biologjike, biomjekësore, kemi parë se është bërë punë interesante në embrionet e hershme njerëzore"

Inovacioni është në qendër të planit të 13-të pesëvjeçar (2016-2020), i cili synon që Kina të bëhet një "vend inovativ" deri në vitin 2020, një lider ndërkombëtar në inovacion deri në 2030 dhe një fuqi botërore në inovacionin shkencor dhe teknologjik deri në 2050.

Treguesi më i fundit Global i Inovacionit tregon se Kina u ngjit me tre vende, duke arritur në vendin e 22-të në listën e vendeve më inovative në botë në vitin 2017, vendi i vetëm me të ardhura të mesme ndër 25 ekonomitë inovative.

Në vitin 2016, Kina kishte mbi 1.1 milion patenta shpikjesh, duke u renditur e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore