"Sarah," romani i parë i trilogjisë së Alfred Pezës

2017-10-11 14:44:24 CRI Komenti juaj Printoni

"Për herë të parë lajmet rozë në Shqipëri janë shkruar për Sara Blloshmin," thotë shkrimtari Alfred Peza, i cili sapo ka botuar romanin e tij të parë.

Thuhet se Sara ishte gruaja më e bukur e Tiranës së viteve '20-'30. Ajo lindi buzë Bosforit, e bija e Vehab bej Serdar dhe e Mevedet Vlorës. Pas fëmijërisë në Stamboll e disa vite në Paris, ajo u kthye në Shqipëri në kohën e mbretërisë. Ky roman është bazuar mbi një histori të vërtetë, thotë autori. Dhe kjo nuk është hera e parë që letërsia ndalet në momente të veçanta të historisë.

"Shkrimtarët më të lexuar sot në botë janë ata që i kanë marrë subjektet e tyre nga historia për t'i shndërruar në personazhe të jashtëzakonshëm letrarë. Stalinizmi rus, apo periudha otomane, nazizmi vazhdojnë të jenë të ekzistojnë ende dhe nuk e kanë shuar kureshtjen e lexuesit", thotë redaktorja e librit Alda Bardhyli, njëherësh drejtuese e UET PRESS MAPO.

"Sarah" me autor Alfred Pezën, po cilësohet si një roman befasues, duke pasur parasysh profilin e deritanishëm të autorit. Aty jepet Shqipëria e viteve '20-'30-të. Personazhi kryesor në këtë libër është ish-kryeministri dhe Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu.

Romani trajton një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, siç ishte hapja e horizonteve të reja drejt perëndimit, një akt që sipas Pezës, u bë për shkak të një gruaje dhe ajo është personazhi më i bukur i këtij romani "Sarah".

E në përcaktimin e rrugës që do të ndiqte më pas Shteti Shqiptar, do të kishte një rol të madh një grua, me të cilën mbreti do të jetojë dhe një histori të fshehtë dashurie, e cila në fakt do të ishte e vetmja e vërtetë në jetën e tij.

Sarah tregon një nivel të lartë të femrës shqiptare në vitet '20-të, një grua që luan tenis, vishet bukur dhe di të luajë me zemrën e një burri. Peza e ka mbështetur imazhin e saj në historinë e vërtetë të një gruaje që ka trazuar zemrën e Ahmet Zogut në ato vite sipas biografëve. Ajo është Sara Blloshmi, mbesa e Ismail Qemalit, një prej vajzave më të bukura të kohës.

Alfred Peza prej 23 vjetësh është prezent me publicistikën e tij si gazetar, redaktor, kryeredaktor, drejtor i gazetave, revistave dhe televizioneve, analist dhe drejtues emisionesh të debatit politik. "Sarah" është libri i tij i dytë që hedh dritë mbi gruan enigmatike e prapë kaq interesante për të cilën ambasadori gjerman i 1926-ës do të shkruante se "zonja Blloshmi ka disa kohë që shfaqet e pambuluar në shtëpitë e botës".

Mrekulli
Lajmet Kryesore