Sateliti i ri i Kinës Fengyun-4A tërësisht funksional për parashikimin e motit

2017-09-27 15:53:35 CRI Komenti juaj Printoni

 

Një satelit i ri kinez për parashikimin e motit, ai i modelit Fengyun-4A, është tani tërësisht funksional, pas lëshimit në orbitë në fund të vitit të kaluar.

Operatorët e satelitit thonë se teknologjia në bord e bën atë një nga satelitët kryesorë të parashikimit të motit në botë.

I lëshuar në dhjetor të vitit 2016 nga qendra e satelitëve Xichang e provincës Sichuan të Kinës, Fengyun-4A është i pari satelit gjeostacionar i gjeneratës së dytë i Kinës, për parashikimin e motit.

Krahasuar me paraardhësit e tij, Fengyun-4A mund të monitorojë atmosferën në mënyrë më të saktë dhe më të qëndrueshme.

Dong Yaohai, projektuesi kryesor i Fengyun-4A, shpjegon disa nga teknologjitë e përparuara të satelitit të ri.

"Së pari, Fengyun-4A është sateliti i parë në botë që kombinon detektorët e zakonshëm të motit me një matës interferometrik që punon në drejtim vertikal. Kina është e para që prodhon një të tillë, edhe përpara Shteteve të Bashkuara. Së dyti, ai mund të ofrojë të dhëna me saktësi të lartë në një rreze prej 1 deri në 2 kilometra duke lëvizur në një orbitë prej 36,000 km mbi Tokë. Së treti, të katër instrumentet e tij kanë një kontroll të mirë dhe sigurojnë funksionim të shkëlqyer".

Si një satelit gjeostacionar, Fengyun-4A ndjek rrotullimin e Tokës, që do të thotë se mban një orbitë të saktë mbi çdo pikë specifike në Tokë, në këtë rast për Kinën. Kjo do të thotë se ai mund të japë informacione më të sakta mbi ndryshimet e motit dhe të klimës. Fengyun-4A është i pari i këtij lloji që përdorur një matës atmosferik vertikal.

Ashtu si një mjek që bën biopsi në një zonë të caktuar të trupit të pacientit, detektori i satelitit Fengyun-4A mund të vëzhgojë mijëra shtresa të atmosferës në drejtim vertikal dhe më pas i analizon ato.

Kjo jep një kuptim më të saktë të asaj që po ndodh në atmosferë në lidhje me temperaturën, lagështinë dhe të dhëna të tjera të lidhura me motin.

Përmes kësaj, projektuesit e Fengyun-4A thonë se sateliti do të përmirësojë saktësinë e parashikimeve të motit në Kinë.

Ding Lei, zëvendësdrejtor i Institutit të Fizikës Teknike të Shanghai-t, pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, vëren se sateliti i ri është prodhuar dhe projektuar ekskluzivisht për Kinën.

"Ky është matësi i parë atmosferik vertikal interferometrik që mund të qëndrojë në një orbitë gjeostacionare. Në fakt, Kina e ka projektuar dhe prodhuar satelitin Fengyun në mënyrë të pavarur, duke përfshirë kërkimin shkencor, instrumentet e zbulimit, njësitë bazë dhe teknologjinë novatore të sistemit të integruar. Sistemi i plotë teknologjik i garanton një pozitë udhëheqëse të satelitit Fengyun në botë.

Fengyun 4A ka 14 kanale spektrale për skanim dhe fotografim, krahasuar me 5 kanalet e versionit të mëparshëm. Zhang Zhiqing është projektuesi kryesor i sistemeve të zbatimit në Tokë. Ai thotë se sateliti i ri ka rritur saktësinë e parashikimit të motit.

"Për shembull, kur analizohen stuhitë e forta të këtij viti që goditën Kinën Jugore, vetëm ekspertët profesionistë mund të tregojnë pozicionin e saktë të reve të akullta dhe reve të ujit përmes fotografive të mbledhura nga sateliti Fengyun-2. Por tani Fengyun-4 ofron një ide më të qartë se çfarë përmbajnë retë, gjë që na ndihmon të nxisim dhe përmirësimin e aftësive të instrumenteve tona".

Sateliti i parë i serisë Fengyun-4 do të shërbejë për sigurimin e të dhënave për parashikimin e motit, si dhe për ujëmbledhësit, bujqësinë, mjedisin, energjinë, aviacionin dhe rrymat oqeanike.

Gjithashtu ai do të shërbejë për të mbështetur nismën 'Brezi dhe Rruga' duke ofruar mbështetje teknologjike për vendet e tjera. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore