Kthim për të realizuar ëndrrat, kinezët po kthen në atdhe pas studimeve jashtë shtetit

2017-09-20 15:53:45 CRI Komenti juaj Printoni

Pasi u diplomua në Universitetin e Pekinit me një master në biokimi inorganike në vitin 1995, Wang Junfeng vendosi të vazhdojë studimet në Shtetet e Bashkuara. Nga viti 2004 deri në vitin 2009, ai zhvilloi një punë pas-doktorate në Shkollën e Mjekësisë së Harvard-it, ku gjatë kësaj kohe artikujt e tij të kërkimeve shkencore u publikuan në revistat më të mira, përfshirë dhe atë Nature.

Tetë vjet më pas, ai mori një vendim të vështirë dhe u kthye për të punuar në Institutin e Shkencave Fizike të Hefei-t, pjesë e Akademisë së Shkencave të Kinës.

"Është një zgjedhje shumë e vështirë për shumë shkencëtarë kinezë, të qëndrojnë në një shtet të huaj apo të kthehen në Kinë," thotë Wang. Dilema zhvillohet pasi në ShBA ka kushtet më të mira dhe teknologjinë më të përparuar të kërkimit shkencor. Por Kina po përjeton një zhvillim të paprecedentë të shkencës dhe të teknologjisë, duke ofruar mundësi pafund.

Në dy dekadat e fundit, ndërsa ekonomia e Kinës zgjerohej, vendi i ka kushtuar rëndësi rritjes shkencës dhe teknologjisë, duke ofruar kushte tërheqëse për shkencëtarët. Shumë të tillë të nivelit të lartë si Wang, zgjedhin të kthehen dhe të kërkojnë mundësi në vendin e tyre.

Në sytë e shumë njerëzve, Wang po shijonte një karrierë të begatë në Amerikë për shkak të hulumtimit të tij në Universitetin e Harvardit. Por vetë shkencëtari e shikon ndryshe.

"Shumë menduan se u dorëzova dhe refuzova një jetë komode në ShBA," kujton Wang. Por ai shton se aty nuk kishte as një infrastrukturë të tijën dhe as një grup shkencëtarësh, që janë thelbi i zhvillimit të një kërkimi shkencor të pavarur. Kështu pavarësisht komoditetit, ai ndjente se i mungonte diçka.

Wang vendoi të kthehet në atdhe kur mësoi për planin e Akademisë së Shkencave të Kinës në vitin 2009, për të ndërtuar pajisje të përparuara eksperimentale për të krijuar fusha të qëndrueshme magnetike të larta, të cilat, ashtu si temperaturat shumë të ulëta dhe shtypja e lartë, formojnë një mjedis ekstrem për eksperimentet shkencore.

Në fusha të tilla të larta magnetike, struktura e ndryshimeve të materies paraqet efekte të ndryshme fizike dhe kimike, të cilat mund të ofrojnë mundësi të reja për kërkime shkencore dhe zhvillim të mëtejshëm.

Wang pa këtu mundësinë për të ndërtuar gjeneratorin më të fuqishëm të fushave të larta magnetike në botë. Ndaj në gusht të vitit 2009, së bashku me gruan dhe dy fëmijët, u kthye në Kinë. Shkencëtari u mahnit menjëherë nga atmosfera e kërkimit shkencor në të ashtuquajturin 'Ishulli i Shkencës'.

"Thashë me vete se kjo është pikërisht ajo që dua, një vend ku mund t'i përkushtohem punës kërkimore", kujton Wang.

Por jo çdo gjë ishte e lehtë në fillim në 'Ishullin e Shkencës'. Wang-u nuk gjeti aty asnjë hapësirë apo mjet për të zhvilluar eksperimentet. Atij iu desh të ndërtonte çdo gjë nga e para.

Për të formuar ekipin shkencor Wang filloi të ftojë shkencëtarë të tjerë kinezë me të cilët kishte punuar në Harvard. Pas disa vjetësh numri i shkencëtarëve që iu bashkua ekipit të Wang-ut arriti në gjashtë.

Në nëntor të vitit 2016, një magnet i projektuar dhe i ndërtuar në 'Ishullin e Shkencës' së Akademisë së Shkencave të Kinës arriti kapacitetin e plotë, duke u bërë magneti i dytë i qëndrueshëm më i fortë në botë. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore