Tension dhe frustrim, komunitetit ndërkombëtar po i shteron durimi me Korenë e Veriut

2017-09-06 18:25:10 CRI Komenti juaj Printoni

ShBA-ja njoftoi të hënën fillimin e negociatave në OKB për miratimin e një rezolute të re me sanksione më të ashpra ndaj Koresë së Veriut. Uashingtoni po kërkon ta miratojë më 11 shtator rezolutën, gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit.

Franca dhe Britania e Madhe, anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit, përfshirë dhe Japoninë, anëtare jo e përhershme, konfirmuan gjithashtu se i mbështesin sanksionet e reja, pas provës së gjashtë bërthamore koreanoveriore.

Ambasadorja e ShBA-së në OKB, Nikki Haley, tha në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, se Uashingtoni nuk po kërkon luftë, por durimi nuk ishte i pakufijshëm.

"Ka përfunduar koha e masave gjysmake, tani duhet t'i ezaurojmë të gjitha mjetet diplomatike përpara se të jetë shumë vonë. Ne tani duhet të miratojmë masat më të forta të mundshme. Veprimet e Kim Jon Un-it nuk mund të konsiderohen si vetëmbrojtëse, ai kërkon të njihet si një fuqi bërthamore. Por qenia e një fuqia bërthamore nuk do të thotë përdorimi këtyre armëve të tmerrshme për të kërcënuar të tjerët. Fuqitë bërthamore i kuptojnë përgjegjësitë e tyre, por Kim Jon Un po tregon se nuk i kupton këto përgjegjësi. Përdorimi abuziv i raketave dhe kërcënimet e tij bërthamore tregojnë se ai po kërkon luftë. Lufta është e padëshiruar nga ShBA-ja. Ne do t'i mbrojmë aleatët tanë dhe territorin tonë. Ideja e propozuar këtu për pezullimin e dyanshëm është fyese. Kur një regjim ka një armë bërthamore dhe të drejton një raketë ndërkontinentale balistike ti nuk ndërmerr hapa për të ulur kokën. Asnjë nuk e bën atë, me siguri ne nuk do ta bëjmë," tha ambasadorja Nikki Haley.

Ndërkohë, i dërguari i Kinës në OKB, ambasadori Liu Jieyi pasi e dënoi provën e fundit bërthamore të Koresë së Veriut, i bëri thirrje këtij vendi t'i rikthehet dialogut.

"Qeveria kineze kundërshton me vendosmëri dhe dënon ashpër testet bërthamore të Koresë së Veriut që bien në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Realizimi i çarmatimit bërthamor të Gadishullit Korean dhe ruajtja e sistemit të mospërhapjes së armëve bërthamore, paqes dhe stabilitetit në Azinë Verilindore mbetet qëndrimi i palëkundur i qeverisë kineze," tha ambasadori kinez në OKB.

Liu Jieyi tha se palët e interesuara duhet të forcojnë ndjenjën e gatishmërisë dhe të marrin masa praktike për lehtësimin e gjendjes, të rinisë dialogu dhe negociatat për parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.

Ambasadori kinez theksoi se një luftë në Gadishull do të ishte e papranueshme. Ai shtoi se çështja e Gadishullit Korean mund të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe Kina nuk do të lejojë kurrë kaos dhe luftë në këtë rajon.

Ai përmendi gjithashtu propozimin ruso-kinez për një ngrirje të manovrave amerikano-koreano-jugore përkundër pezullimit të programeve të armatimit koreano-verior, propozim që u hodh poshtë menjëherë nga homologia amerikane, Nikki Haley, disa minuta para të njëjtit Këshill Sigurimi.

Edhe krerët e vendeve të BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) e kundërshtuan fuqishëm të hënën provën bërthamore të zhvilluar të dielën nga Pheniani duke bërë thirrje për një zgjidhje paqësore të tensioneve.

"Ne e dënojmë fuqishëm provën e zhvilluar nga Koreja e Veriut", njoftuan pesë vendet në një deklaratë të përbashkët gjatë një samiti në Xiamen, në juglindje të Kinës.

Ndonëse janë në një linjë me dënimet ndërkombëtare pas provës së gjashtë bërthamore koreanoveriore, fuqitë në zhvillim bënë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të tensioneve.

Ndërkohë, një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi si të panevojshme dhe jo efikase përdorimin e sanksioneve të reja kundër Phenianit, duke vlerësuar se duke u angazhuar në një histeri ushtarake rreth Koresë së Veriut nuk ka asnjë kuptim dhe mund të sjellë një katastrofë planetare.

"Rusia e dënon provën e bombës me hidrogjen që Koreja e Veriut e zhvilloi të dielën, ndërsa thekson se përdorimi i çdolloj sanksioni në këtë rast është i panevojshëm dhe jo efikas. Të angazhohesh në një histeri ushtarake nuk ka asnjë kuptim (…) e gjithë kjo mund të sjellë një katastrofë planetare. Është e nevojshme për ta shtyrë çështjen në shinat e dialogut midis të gjitha palëve. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces, duke përfshirë Korenë e Veriut, nuk duhet të kenë asnjë konsideratë që lidhet me kërcënimet, por të gjitha palët në konflikt duhet t'i qasen bashkëpunimit," theksoi Putini në kuadër të samitit të BRICS-it, që po mbahet në Kinë.

Bomba e provuar nga Koreja e Veriut kishte një fuqi prej 50 kilotonë, ose tre herë më të fuqishme se sa bomba atomike që amerikanët lëshuan në Hiroshima.

Mrekulli
Lajmet Kryesore