Fshatrat turistike të Hainan-it që kanë rritur të ardhurat për frymë

2017-09-06 18:13:23 CRI Komenti juaj Printoni

Dikur ishin fshatra të prapambetur të provincës Hainan të Kinës, por sot po kthehen në rezorte rurale falë planifikimit urban dhe internetit.

Për vite me radhë, Jiang Meirong, një shtëpiake nga fshati Wentoupo, në jug të ishullit tropikal të Hainan-it, jetonte duke punuar tokën. Për shkak se fshati i saj nuk kishte plazhe dhe pyje tropikale, dy nga pikat më tërheqëse të ishullit, Jiang jetonte duke shitur ato pak prodhime në një treg aty afër, duke fituar 10,000 juanë (rreth 1,482 dollarë) në vit.

Por tre vjet më parë turistët filluan ta popullojnë fshatin Wentoupo pasi një bashkëfshatar i Jiang-ut hapi një resort rural të quajtur 'Kopshti i Ëndrrave,' duke e vendosur kështu fshatin në hartën turistike të ishullit. Më parë ky fshat nuk konsiderohej turistik dhe mund të arrihej vetëm nëpërmjet një rruge me baltë.

Jiang Xiang, që kishte një bar në qytezën Boao të ishullit, vendosi të investonte 3 milionë juanë (rreth 455,145 dollarë) në vitin 2013 për të zbukuruar fshatin Wentoupo.

Qeveria vendore e ndihmoi duke asfaltuar rrugën. Sipërfaqet që ishin mbuluar nga fshatarët me pirgje plehrash u pastruan, disa baraka u shndërruan në kafene, ndërsa u ndërtuan dhe banesa të vogla nëpër pemë për të mirëpritur vizitorët. U krijuan gjithashtu pellgje me ujë dhe pemishte për turistët për të peshkuar dhe për të mbledhur fruta.

Nga dikur një fshat i harruar, pas këtyre ndryshimeve ai u bë një destinacion i përkryer pushimesh në fshat. 'Kopshti i Ëndrrave' është vizituar që nga viti 2014 kur u hap e deri tani nga 93,000 turistë, duke gjeneruar të ardhura të përgjithshme prej 2.8 milionë juan (rreth 424,511 dollarë).

Ky rezort rural ka krijuar me dhjetëra vende pune në fshat, duke i ndihmuar banorët që t'i shtojnë të ardhurat. Nga një shtëpiake, Jiang Meirong punon tani si kameriere në rezort. "Tani mund të fitoj 22,800 yuan (3,459 dollarë) në vit dhe gjithashtu fitoj para nga qiraja që paguan rezorti për tokën time bujqësore," thotë 37-vjeçarja.

'Kopshti i Ëndrrave' ka një qasje miqësore ndaj mjedisit. Për ndërtimin e tij nuk janë prerë pemë, barakat ekzistuese u shndërruan në kafene ndërsa nuk është zënë toka bujqësore.

Në Hainan ka dhe shembuj të tjetër të zhvillimit të turizmit rural. Në fund të vitit 2012, qeveria e qytezësë Qionghai vendosi të zhvillojë turizmin rural dhe në të njëjtën kohë rruajtjen e mjedisit.

Sipas autoriteteve vendore urbanizmi duke mbrojtur mjedisin bëhet duke ndaluar prerjen e pemëve, mos përdorimin e tokave bujqësore për ndërtim dhe mos prishjen e ndërtesave ekzistuese.

Që nga viti 2013, rreth 78 për qind e kësaj qyteze është restauruar dhe janë asfaltuar rrugët kryesore. Janë ndërtuar gjithashtu disa parqe bujqësore me qëllim zhvillimin e një bujqësie moderne. 660 hektarët e Parkut Bujqësor Longshouyang janë shembulli tipik.

Turizmi ekologjik e ka bërë Qionghai-n më të gjelbëruar dhe banorët e tij më të pasur. Në vitin 2016 pati 3.94 milionë turistë që gjeneruan 1.74 miliardë juan të ardhura. Të ardhurat e disponueshme për frymë (PCDI) në fshat u rritën në 13,081 juanë (1,985 dollarë) në vit, 718 juanë (109 dollarë) më lart se mesatarja kombëtare për zonat rurale. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore