Njihuni me princeshën e sporteve elektronike të Kinës

2017-08-16 11:41:00 CRI Komenti juaj Printoni

Kur lojtarja profesioniste e lojërave elektronike Li Wei u përzgjodh për t'iu bashkuar një prej ekipeve kineze në veprimtarinë Cyber Arena tre vjet më parë, ajo mendoi se kishte vënë botën në këmbët e saj.

Si femra e parë që morri pjesë në turneun vjetor të sporteve elektronike, ajo e dinte se po çante rrugë të reja. Pavarësisht vendit të nderuar brenda grupit, ajo duhet të kapërcente paragjykime të mëdha nga ana e organizatorëve të veprimtarisë.

"Asnjë nuk do të ndeshet me një femër," i tha një zyrtar i garës. Pavarësisht nga përpjekjet e shokëve të skuadrës, që janë të gjithë meshkuj, zyrtarët dukeshin të vendosur ta mbanin 22-vjeçaren jashtë garës.

Vetëm kur ajo vuri në dukje se nuk kishte një rregullore të tillë, ju mundësua të tregonte talentin dhe Li konkurroi në kategorinë Shkëmbimi i Zjarrit.

ViVi siç njihet në ekip, u përball me një ekip nga Japonia. Me kufjet që i mbulonin veshët dhe gishtat e kapur mbi një mouse e mbi tastierë, Li e pozicionoi personazhin që mbante në lojë pranë "Portës", një pikë strategjike e fushëbetejës elektronike.

Një nga kundërshtarët e saj japonezë gjithashtu e njohu rëndësinë e kësaj pike strategjike dhe u nis për ta rrëmbyer nga kontrolli i Li-së.

Ai iu afrua shtatë herë Portës dhe të shtatë herët Li e largoi duke e qëlluar vazhdimisht me kallashnikovin e saj Model 47. Fuqia e gjuajtjeve të saj ishte e mjaftueshme për ta fituar lojën. Por pavarësisht këtij çasti krenarie, Li tha se fatkeqësisht, gjatë pjesës tjetër të vitit nuk kishte shumë raste për të treguar aftësitë e saj në rrethet profesioniste të lojërave elektronike. Për shkak të sjelljes maskiliste të organizatorëve të garave, Li u detyrua të largohet nga rrethi profesional.

Pavarësisht kësaj, ajo nuk e humbi kurrë dashurinë për lojërat dhe tani po punon fort si pronare dhe menaxhere. Dhe rezultati është ndërtimi i një skuadre për femra dhe meshkuj nën emrin e saj ViVi.

Kjo skuadër po ndeshet kokë më kokë në platformat e internetit ku zotësia dhe talenti mund të ndiqet nga qindra e mijëra njerëz, të pasionuar të sporteve elektronike në mbarë Kinën.

Ndonëse formati i transmetimit të drejtpërdrejtë është popullor, atij i mungon mbështetja financiare e rrjetit profesional edhe pse Li tha se po punon shumë për të tërhequr investitorë. Ndërkohë, disa nga lojtarët më të mirë të saj po fitojnë shumë para duke marrë sponsorizime nga tifozët.

Tang Hua, drejtori i Administratës së Përgjithshme të Sporteve Elektronike të Kinës thotë se vendit nuk i mungojnë sportistet e talentuara.

"Ato kanë shprehur potencial të madh vitet e fundit në veprimtaritë e sporteve elektronike të Kinës," thotë ai. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore