Kina fajëson Indinë për ngërçin kufitar dhe i bën thirrje Delhit të tërheqë trupat

2017-07-26 14:44:13 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka paralajmëruar Indinë që të "lërë fantazitë" në rajonin kufitar dhe të tërheqë trupat. Zona e diskutueshme përfshin një territor të Himalajave, malit më të lartë të botës. Më parë, Kina ka zhvilluar stërvitje të drejtpërdrejta në zonë, ndërkohë që qeveria indiane vendosi të dislokojë trupa atje.

Kina dhe aleati i Indisë, Butani, kanë pretendime për rrafshnaltën e ngushtë Donglang apo Doklam, që kryqëzon të tre vendet. India pretendon se territori përket Butanit.

Tensionet midis Pekinit dhe Delhit u përshkallëzuan këtë qershor kur trupat kineze filluan të ndërtonin një rrugë në rrafshnaltë. Butani kërkoi ndihmë nga India, e cila dërgoi trupat e saj përtej kufirit.

Të martën reagimet erdhën nga ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi. Ai fajësoi Indinë për nxitjen e një përplasjeje ushtarake në rajonin kufitar të Himalajeve duke dislokuar trupat e saj në territorin kinez, ndërkohë që u bëri atyre thirrje të tërhiqen.

(Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi)

Wang është zyrtari më i lartë i qeverisë kineze që ka komentuar mbi tensionet në kufirin pranë Butanit, ndërsa ngërçi po hyn në muajin e dytë. Ministri i Jashtëm tha se nuk ka kundërshti për faktet e asaj që ka ndodhur në kufi, ndërsa theksoi se ky është incidenti më i rëndë midis Kinës dhe Indisë në disa dekada.

"Të drejtat dhe të gabuarat janë të qarta si kristali, madje dhe zyrtarët e lartë indianë e kanë deklaruar haptazi se trupat kineze nuk hynë në kufirin indian, që do të thotë, se India e ka pranuar që ka kaluar në territorin kinez", citohej Wang në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të botuar të martën.

Reagime të vazhdueshme për hyrjen e trupave indiane në territorin kinez ka nga Ministria e Mbrojtjes e Kinës. Ajo i bëri thirrje të hënën Indisë të tërheqë menjëherë të gjitha trupat që kanë hyrë në territorin kinez në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa theksoi se vendi do ta mbrojë "me çdo kusht" sovranitetin e vet territorial.

Rojet kufitare indiane kaluan seksionin Sikkim të kufirit Kinë-Indi në mes të qershorit dhe kanë penguar aktivitetet normale të forcave kufitare kineze në rajonin Donglang.

(Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Wu Qian)

"Rojet kufitare kineze kanë marrë kundërmasa fillestare në zonë dhe do të vijojnë me stërvitjet normale," tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Wu Qian.

Wu i kërkoi Indisë të tërheqë menjëherë trupat, duke e përshkuar këtë kërkesë si të vetmen mënyrë për zgjidhjen e çështjes.

"Vendosmëria dhe vullneti i Kinës për të mbrojtur sovranitetin është i palëkundur dhe i pamposhtur. Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat tona të sigurisë. Trupat kufitare kineze kanë marrë masa reaguese emergjente në zonë dhe do të rrisin dislokimin dhe stërvitjet në përgjigje të situatës," tha zëdhënësi.

Gjithashtu, zëdhënësi e paralajmëroi Indinë të braktisë çdo iluzion të kotë. "Është më e lehtë të tundësh një mal se ushtrinë kineze," tha ai.

"Ne i bëjmë thirrje fuqimisht Indisë të marrë masa të forta dhe të korrigjojë gabimet e saj, t'i largohet provokimeve dhe të shkojnë në një drejtim me Kinën për të ruajtur paqen dhe qetësinë në rajonin kufitar."

Historia e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës në 9 dekadat e fundit ka treguar për rritjen e vazhdueshme të kapacitetit të saj dhe vendosmërinë e patundur për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe të integritetit territorial, theksoi zëdhënësi.

Ndërkohë, edhe pse prej qershorit ushtria kineze është në gatishmëri në rajonin kufitar me Indinë, ajo bëhet gati tani të kremtojë 90-vjetorin e themelimit më 1 gusht.

Ministria kineze e Mbrojtjes u zotua se do të vijojë me reformat ushtarake për të forcuar kapacitetin luftarak, ndërsa do të zgjerojë bashkëpunimin e saj ushtarak me vendet e tjera.

Në përshkrimin e qëllimeve për forcimin e kapacitetit luftarak, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare theksoi se qëllimi përfundimtar është krijimi i një ushtrie të fuqishme, të klasit botëror në një situatë të re dhe mënyra më e mirë për ta realizuar këtë qëllim është përmes vazhdimit të reformave. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore