Kulangsu, mbrojtja e një vendbanimi Trashëgimi Historike Botërore

2017-08-01 20:55:51 CRI Komenti juaj Printoni

Në shkurt të vitit 2016, Kina paraqiti zyrtarisht kandidaturën e ishullit Kulangsu për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s. Pas një viti përpjekjesh të vazhdueshme dhe pavarësisht një tajfuni shkatërrues që solli dëme të mëdha, Kulangsu u vendos në Listën e Trashëgimisë Botërore si një "Vendbanim Botëror Historik" në sesionin e 41 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u zhvillua në Krakov të Polonisë më 8 korrik.

Me përzierjen e saj unike të stileve arkitekturore duke përfshirë atë tradicional të Fujian-it Jugor, rilindjen klasike perëndimore dhe verandat e stilit kolonial, Kulangsu, një ishull i vogël përballë brigjeve të Xiamen-it, ka qenë prej kohësh një destinacion popullor për turistët.

Mijëra vila dhe ndërtesa me rëndësi të madhe arkitekturore u kanë mbijetuar shkatërrimeve të kohës që kur ishulli u shpall si vendbanim ndërkombëtar në vitin 1903.

Pushtimi japonez i vitit 1938 shënoi fundin e një epoke, por themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949 i dha fund zyrtarisht pranisë së huaj gjysmëshekullore në ishull.

Për një kohë të gjatë, vilat në ishull nuk ishin ruajtur siç duhet. Edhe në fillim të shekullit të 21-të, Kulangsu ishte ende një destinacion i vogël turistik, i njohur në vend për peizazhet piktoreske, përzierjen unike e kulturave lindore e perëndimore dhe plazhet me rërë të ndritshme. Megjithatë, kjo situatë ndryshoi pasi Kina bëri hapa mbresëlënës për zhvillimin e industrisë së turizmit duke mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore.

Në vitin 2001 kur pasi Pekini fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike Verore të vitit 2008, gjërat filluan të ndryshonin dhe rritja e elementeve thelbësore kulturore të Kulangsu-së u bë përparësia kryesore e qeverisë vendore.

"Lojërat Olimpike të Pekinit të vitit 2008 luajtën një rol domethënës për Kulangsu-në," shpjegon Cai Songrong, zv./drejtori i Qendrës së Mbikëqyrjes dhe Manexhimit.

Në nëntor të vitit 2008, autoritetet e Xiamen-it filluan punën për ta vendosur qendrën e banuar të ishullit Kulangsu në Listën e Trashëgimive Botërore Historike. Kështu u themelua qendra e mbikëqyrjes dhe e menaxhimit së bashku me atë të arkivave. Zyrtarisht u aplikua në shkurt të vitit 2016.

Brenda një periudhe njëvjeçare, Kulangsu hartoi me sukses planet urbane dhe të konservimit.

"Qëllimi ynë i parë ishte krijimi i një plani sistematik ruajtjeje të kulturës dhe të mjedisit, së bashku me një sistem rregullator vendor," thotë Cai. "Pastaj, ne krijuam një qendër monitorimi për menaxhimin e përditshëm të aktiviteteve të ishullit."

Gjithashtu, theksi u vendos në mbrojtjen dhe rinovimin e ndërtesave të rrezikuara me rëndësi kulturore dhe ruajtjen e traditave të zanateve të vjetra në ishull. U krijua gjithashtu një qendër kërkimore ndërkombëtare, pasi Kulangsu filloi të tërhiqte vëmendje në mbarë botën.

"Kulangsu është përfaqësues i kulturës së lashtë detare të Kinës dhe e ndërveprimit me Perëndimin në kohët para-moderne. Ishulli ishte gjithashtu një mikrokozmos i zhvillimit modern të Kinës, një vend ku ndërthuret me harmoni kultura vendore, së bashku me kulturën ndërkombëtare të vendbanimit dhe të kinezëve të diasporës. Këto janë elemente unike historike dhe kulturore në Kinë dhe ne duhet t'i ruajmë dhe t'i mbrojmë ato," thotë Wu Yongqi, një ekspert i kulturës dhe i historisë së ishullit Kulangsu.

Mrekulli
Lajmet Kryesore