ISIS shpartallohet në Mosul, por kërcënimi ndaj Perëdnimit mbetet i lartë

2017-07-12 17:41:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi shpalli zyrtarisht fitoren në Mosul ndaj dhunës dhe terrorizmit të grupit xhihadist Shteti Islamik.

Duke u shprehur në një fjalim nga Mosuli, qyteti i dytë më i madh i vendit, i rimarrë nga duart e terroristëve pas disa muajsh luftimesh shkatërruese, Abadi konfirmoi se prioritetet e qeverisë së tij ishin tashmë stabiliteti dhe rindërtimi.

Rimarrja e Mosulit, të cilin Shteti Islamik e kishte bërë bastionin e tij kryesor në Irak, është fitorja më e rëndësishme e Irakut përballë Shtetit Islamik, që kur grupi ekstremist sunit mori kontrollin në vitin 2014.

"Fitorja jonë sot është një fitore kundër errësirës, dhunës dhe terrorizmit dhe prej këtu ne i shpallim mbarë botës fundin, dështimin dhe rënien e shtetit mitik, shtetit Daesh (IS) që u shpall këtu në Mosul tre vjet më parë."

Kryeministri shprehu mirënjohje ndaj të gjitha vendeve që ndihmuan Irakun në luftën kundër terrorizmit. Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkimin e të gjitha vendeve për të rindërtuar dhe sjellë stabilitet në zonat e çliruara.

Ndaj rimarrjes së Mosulit nga ushtria irakiane reagoi edhe Ministria e Jashtme e Kinës. Zëdhënësi Geng Shuang, përgëzoi përmes një deklarate Irakun për çlirimin e Mosulit.

"Kjo është një fitore e madhe për luftën e Irakut kundër terrorizmit dhe gjithashtu shënon një hap pozitiv për bashkëpunimin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Kina do të mbështesë vazhdimisht qeverinë irakiane për ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe nxit rindërtimin ekonomik, me shpresën se Iraku do të arrijë stabilitetin dhe zhvillimin sa më shpejt të jetë e mundur," tha zëdhënësi.

Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, ra në duart e Shtetit Islamik në qershor të vitit 2014.

Por beteje nuk mbaron këtu.

Zyrtarët europianë të sigurisë janë gjithnjë e më të shqetësuar se shtrirja e Shtetit Islamik nuk do të zbehet, me gjithë faktin se grupi terrorist humbi kontrollin e Mosulit dhe shumë shpejt do t humbë edhe Raqqan, dy kryeqytetet e kalifatit të vetëshpallur.

Ata paralajmërojnë për një organizatë që po ndryshon, me synimin për ta zhvilluar luftën drejtpërdrejt në Perëndim.

"Me gjithë humbjet e Shtetit Islamik në fushëbetejë, grupi ka arritur një shkallë të re," paralajmëroi Manuel Navarrette, kreu i Qendrës Europiane Kundër Terrorizmit i Europolit gjatë një vizite të kohëve të fundit në Uashington.

"ISIS-i ka treguar aftësi për të goditur në çdo kohë, pothuajse në çdo shënjestër të zgjedhur," tha ai.

Sipas tij, situatën e bën edhe më pesimiste fakti se IS-i duket i aftë të shndërrojë rekrutët në operativë më shpejtësi të pa menduar kurrë më parë.

"Shumica e tyre zotohen për besnikëri vetëm një ditë më parë", shtoi kreu i njësisë kundër terrorizmit i Bashkimit Europian, Gilles de Kerchove. "Ata sulmojnë pranë vendeve ku jetojnë," thekson zyrtari.

Kjo është pikëpamje e përbashkët e shumë zyrtarëve europianë, një pjesë e të cilëve e kanë transmetuar mesazhin tek kolegët e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ata e përshkruajnë organizatën terroriste si të aftë për të gjetur rrugë të lira e duke mos u lënë hapësirë për gabime.

Këta zyrtarë përmendin sulmet e fundit në Manchester, Londër e Paris dhe përpjekjen për sulm në Belgjikë si shenjë e asaj që pritet në të ardhmen.

"ISIS-i po ripërtërin veten dhe po modernizohet vazhdimisht," tha Dick Schoof, bashkërenduesi kombëtar i Qendrës për Siguri dhe Kundër Terrorizmit në Holandë.

"Ata janë shumë më efikase në 'dark web', në zonat e fshehta të internetit", paralajmëroi Schoof.

Shqetësimet e tilla duket se bien në kundërshtim me paralajmërimet e vazhdueshme të zyrtarëve amerikanë për "diasporën terroriste" në të cilën luftëtarët e huaj, që dikur u dyndën në Shtetin Islamik, po e zbrazin zemërimin në vendet e tyre, veçanërisht në perëndim.

"I ashtuquajturi kalifat do të thyhet", u tha ligjvënësve amerikanë në shtator të vitit 2016, ish shefi i FBI-së, James Comey. "Sfidë do të jetë fakti se nëpër copat e asaj thyerjeje, do të bien qindra e qindra njerëz të rrezikshëm". (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore