Çfarë i acaroi marrëdhëniet Kinë – ShBA brenda dy javëve?

2017-07-05 17:48:31 CRI Komenti juaj Printoni
Marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA-së janë errësuar nga faktorë negativë, deklaroi të hënën presidenti kinez, Xi Jinping gjatë një bisede telefonike me homologun amerikan, Donald Trump.

"Marrëdhëniet dypalëshe janë prekur nga faktorë negativë (…) Ne shpresojmë që ShBA-ja do të mund t'i trajtojë me korrektësi çështjet e lidhura me Tajvanin sipas politikës së 'një Kine'", theksoi Xi, sipas agjencisë Xinhua.

Por cilët janë këta faktorë negativë që kanë errësuar marrëdhëniet kino-amerikane?

Së pari, më 21 qershor, Këshilltari Shtetëror i Kinës, Yang Jiechi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, Fang Fenghui takuan në Departamentin e Shtetit sekretarin, Rex Tillerson dhe shefin e Pentagonit Jim Mattis për të diskutuar mbi Korenë e Veriut. Uashingtoni i kërkon që Pekinit të shtojë presionin mbi Penianin, por siç duket, palët nuk kanë arritur një marrëveshje.

Më vonë presidenti Trump shkroi në Twitter: "Vlerësoj shumë përpjekjet e presidentit kinez, Xi Jinping dhe Kinën për ndihmën në lidhje me Korenë e Veriut, por ato nuk kanë funksionuar. Të paktën Kina e provoi!", tha udhëheqësi amerikan.

Së dyti, më 27 qershor Shtetet e Bashkuara e shpallën Kinën si një ndër shkelësit më të mëdhenj të trafikimit të qenieve njerëzore dhe punën e detyruar.

Raporti e vendos Kinën në një nivel me vendet që ShBA-ja i ka dënuar publikisht për një kohë të gjatë si Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë. Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit e ul Kinën, nga Kategoria 2 që ishte vitin e kaluar, në Kategorinë 3, të vendeve që nuk kanë përmbushur "standardet minimale për eliminimin e trafikimit dhe se nuk po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë".

Pavarësisht kësaj, Shtetet e Bashkuara i njohën Pekinit "disa arritje" për të trajtuar çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore.

Së treti, më 29 qershor Departamenti amerikani Thesarit njoftoi sanksione mbi Bankën e Dandong-ut, një kompani kineze të transportit detar dhe dy shtetas kinezë.

Sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin tha se futja në listën e zezë të këtyre institucioneve dhe individëve kishte për qëllim prerjen e fondeve për programet e armëve të Koresë së Veriut.

"Ne do të ndjekim paratë dhe do t'ju presim atyre rrugën," tha në një konferencë shtypi sekretari Mnuchin, duke nënvizuar se këto masa nuk ishin një përgjigje ndaj mosveprimit kinez në Korenë e Veriut.

Por Kina i bëri thirrje ShBA-së që të mos përdorë ligjet e saj të brendshme për të sanksionuar kompanitë kineze. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lu Kang, i bëri komentet pasi Banka e Dandong-ut u akuzua për mbështetjen e veprimtarisë financiare të Koresë së Veriut.

"Kina i ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet e njëanshme jashtë kornizës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në veçanti ne kundërshtojmë çdo vend që të shtrijë juridiksionin e vet mbi kompanitë kineze duke u bazuar në ligjet e brendshme. Kina ka zbatuar vazhdimisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit në lidhje me Korenë e Veriut. Ne jemi duket përmbushur plotësisht të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe përpjekjet tona janë mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar," tha Lu.

Sanksionet duhet se erdhën si rezultat i pakënaqësisë së ShBA-së nga përpjekjet kineze për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut.

Së katërti, më 30 qershor Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi planet për t'i shitur Tajvanit armatime me vlerë prej 1.4 miliardë dollarësh.

Qeveria kineze shprehu kundërshtimin e saj të fortë. Ministria e Jashtme e Kinës tha përmes një deklarate se shitja e armëve amerikane Tajvanit shkel ligjet ndërkombëtare, si dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ambasada kineze në Uashington tha: "Lëvizja e gabuar e palës amerikane bie në kundërshtim me konsensusin e arritur nga dy presidentët në takimin e Mar-a-Lago-s dhe me çastin pozitiv të marrëdhënieve Kinë-ShBA."

Kina e konsideron Tajvanin që vetëqeveriset, si territorin e saj. "Tajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez," theksoi në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lu Kang.

"Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës dhe shitja e armatimeve amerikane Tajvanit shkel ligjet ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Shkel gjithashtu parimet e Tre Komunikatave të Përbashkëta kino-amerikane dhe dëmton sovranitetin kombëtar të Kinës. Kina e kundërshton me forcë këtë," tha Lu.

Po ashtu Pekini i bëri thirrje palës amerikane që të ndërpresë lidhjet ushtarake me Tajvanin.

Incidenti i fundit ndodhi të dielën më 2 korrik, kur luftanija amerikane USS Stethem lundroi në afërsi të ishullit Xisha në Detin e Kinës Jugore.

Operacioni, i cili shkaktoi zemërimin e autoriteteve kineze, synon sipas ShBA-së të reklamojë lirinë e lundrimit në këto ujëra që pretendohen gjithashtu nga Vietnami.

Pekini thotë se ka sovranitetit të padiskutueshëm mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore.

Sipas Pentagonit, Shtetet e Bashkuara kanë kryesuar operacionet për reklamimin e lirisë së lundrimit në vitin 2016, ndër 22 shtete bregdetare, shumë prej të cilëve aleatë dhe partnerë të Shteteve të Bashkuara.

Duke reaguar për incidentin, Kina njoftoi forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes e Kinës e konsideroi aktin e paligjshëm të shkatërruesit të raketave 'USS Stethem' si një "shkelje të rëndë."

Zëdhënësi Wu Qian, tha se incidenti ishte shumë i rëndë.

"Hyrja e paligjshme e anijes amerikane në ujërat territoriale të Kinës ka shkelur besimin e përbashkët strategjik dhe atmosferën politike për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ushtarake. Gjithashtu kërcënoi sigurinë e ushtarëve të vijës së frontit të të dy palëve, si dhe paqen e sigurinë rajonale," tha zëdhënësi.

Ai shtoi se ushtria kineze do të forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes sipas nivelit të kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare dhe me vendosmëri do të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.

Ministria e Jashtme e Kinës e dënoi gjithashtu aktin si një "provokim serioz politik dhe ushtarak".

Të gjitha këto zhvillime të ndodhura në harkun e dy javëve, vijnë para takimit të udhëheqësve të G20-s në Hambung të Gjermanisë, takim në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti Xi Jinping. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore