Gjenetikë, orizi i kuq OMGJ i prodhuar në Kinë i pasur me antioksidantë

2017-07-05 17:33:27 CRI Komenti juaj Printoni

Një varietet orizi me ngjyrë të kuqe u prodhua në Kinë me anë të një teknike të re që lejon transferimin e disa gjeneve njëherësh, sipas një studimi të botuar në revistën "Molecular Plant".

Varieteti i ri i orizit i prodhuar nga kërkuesit shkencorë të Universitetit Bujqësor të Kinës Jugore (South China Agricultural University) mund të ndihmojë në reduktimin e riskut për forma të ndryshme të tumoreve, të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit dhe të sëmundjeve të tjera kronike.

Cilësitë e tij lidhen me pigmentin e ngjyrosur të quajtur antocianinë.

Deri tani, inxhinieria gjenetike është përdorur kryesisht për të zhvilluar varietete orizi të pasura me beta-karoten, substanca që përdor organizmi për të prodhuar vitaminën A, por jo për të futur antocianinën.

Në të vërtetë, këto substanca gjenden në disa varietete të orizit të zi dhe të kuq, por zhduken në produktin e përpunuar në të cilin mbetet vetëm bërthama, sepse pjesa që e përmban atë hiqet gjatë përpunimit.

Përpjekjet e pakta të bëra më parë për të futur antocianinën në oriz kanë dështuar, sepse mekanizmi biologjik që e prodhon është shumë kompleks, ndërkohë nuk ekzistonte një teknikë efikase për të bërë të mundur transferimin e të gjitha gjeneve të domosdoshme për funksionimin e tij.

Ekipi i kërkuesve shkencorë, i drejtuar nga profesori Yao-Guang Liu, filloi procesin duke vendosur njëri pas tjetrit gjenet përgjegjëse për prodhimin e antocianinës në varietete të ndryshme të orizit (gene sequencing). Më pas, ata zhvilluan një teknikë të re të inxhinierisë gjenetike që lejon transferimin e tetë gjeneve të domosdoshme në dy varietete kryesore, që janë ndër më të kultivuarit në Itali.

Rezultati ishte një oriz i kuq me përqendrim të madh të anticioanines dhe të antioksidantëve. Në të ardhmen, ky sistem mund të përdoret për të shndërruar bimët në "biofabrika" për prodhimin e ushqyesve të tjerë të rëndësishëm dhe substanca mjekësore. Mund të modifikohen gjithashtu kultura të ndryshme si misri dhe gruri për të përftuar drithëra të tjera të kuqe.

Por a janë zgjidhje ushqimet gjenetikisht të modifikueshme?

Teknikat e inxhinierisë gjenetike shihen si zgjidhje për mungesën e ushqimit dhe si një zgjidhje afatgjatë për të ushqyer një popullsi që rritet me ritme të shpejta. Por në mendjet e europianëve, siguria është përbërësi më i rëndësishëm i ushqimit të tyre. Të bërit kompromis në lidhje me sigurinë e cilësisë ushqimore nuk hyn në planet e BE-së ose të paktën jo në planet e 19 vendeve që së fundmi kanë votuar jo ndaj rritjes së produkteve të modifikuara gjenetikisht OMGJ.

Qasja e Komisionit Europian në lidhje me këtë propozim ishte t'u jepte të drejtën e zgjedhjes të gjithë vendeve anëtare për të pranuar ose jo farërat OMGJ edhe pse brenda BE-së ato janë të autorizuara. Sipas agjencisë Reuters, vendet anëtare në mënyrë specifike futën në shënjestër kultivimin e misrit Monsanto's MON 810, e vetmja kulturë OMGJ që rritet në Europë (vetëm në Spanjë dhe në Portugali) dhe që po analizohet aktualisht në nivel Europian.

Të 19 vendet që dhanë votën kundër janë: Italia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Austria, Belgjika, Britania e Madhe, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Danimarka, , Lituania, Letonia, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia dhe Sllovenia.

Mrekulli
Lajmet Kryesore