Turqia i thotë lamtumirë demokracisë

2017-04-19 17:43:49 CRI Komenti juaj Printoni

Më e mira që mund të thuhet për referendumin kushtetues të Turqisë është se shumë votues, 48.7 për qind e atyre që morën pjesë në votim, kundërshtuan lëvizjen më të egër të presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të forcuar sundimin e tij autokratik. Erdogan, i cili priste një fitore prej 60 për qind të votave të dielën, humbi në qytetet kryesore të vendit, në Ankara dhe në Stamboll. Legjitimiteti i tij është gërryer më tej nga akuzat për parregullsi të votimit nga vëzhguesit ndërkombëtarë, theksoi në një editorial gazeta Nju Jork Times.

Si rrodhën ngjarjet?

Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK) në Turqi konfirmoi të hënën miratimin e ndryshimeve kushtetuese në referendumin kombëtar të ndërmarrë nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Në një konferencë shtypi kreu i YSK-së, Sadi Guven, konfirmoi se "po"-ja kryesonte "jo"-në me rreth 1.25 milionë vota nga vetëm 600 000 vota të pa numëruara duke shtuar se rezultati përfundimtar pritet pas 11- 12ditësh.

Vetë presidenti, Erdogan e quajti rezultatin një "vendim historik" duke pretenduar fitoren e referendumit që i jep atij pushtet absolut dhe i mundëson presidencën deri në vitin 2029.

"Turqia ka marrë një vendim të rëndësishëm për sistemin tonë qeverisës", deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi në Stamboll."Ne kërkojmë që organizatat dhe vendet e huaja të respektojnë vendimin e kombit tonë", shtoi ai, ndërkohë që opozita e kundërshton rezultatin e referendumit.

Partia kryesore opozitare turke kërkoi të hënën anulimin e referendumit që miratoi një ditë më parë një ndryshimin e kushtetutës, duke denoncuar parregullsi të shumta.

"Ka vetëm një vendim për të marrë. Ky është anulimi i zgjedhjeve nga Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK)", deklaroi Bülent Tezcan, nënkryetar i CHP (social-demokrate), i cituar nga agjencia e lajmeve "Dogan".

CHP-ja, si dhe partia prokurde HDP kritikuan hapur një vendim të marrë nga Komisioni për të pranuar si të vlefshme fletët e votimit pa vulën zyrtare të autoriteteve zgjedhore. Opozita e konsideron këtë veprim si një manovër e spekulimeve të mundshme.

Edhe mision i përbashkët i vëzhguesve të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës tha se fushata për referendumin në Turqi për forcimin e kompetencave të presidentit, Recep Tayyip Erdogan u zhvillua në kushte të pabarabarta.

"Referendumi u zhvillua në një terren të pabarabartë dhe të dy kampet në fushatë nuk kanë marrë të njëjtat përfitime," deklaroi Cezar Florin Preda, i misionit të vëzhguesve.

"Ndryshime të vonuara në procedurën e numërtimit të votave kanë lënë hapësirë për abuzime", shtoi ai, duke iu referuar vendimit të autoriteteve për të pranuar fletë të pa vulosura me vulën zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i bëri thirrje të hënën presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për arritjen e një "dialogu të respektueshëm" me të gjitha palët politike pas fitores së ngushtë të "po"-së në referendum që i mundëson kompetenca më të zgjeruara.

"Qeveria gjermane pret që qeveria turke, pas një fushate të ashpër elektorale, të mundësojë tashmë një dialog të respektueshëm me të gjitha forcat politike dhe në shoqëri", vuri theksin kancelarja në një deklaratë të shkurtër të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel.

Franca u shpreh të hënën se ndryshimi i kushtetutës së Turiqisë për të lejuar dhe rivendosjen e dënimit me vdekje, një gjë e mbështetur edhe nga presidenti Erdogan, do të ishte një shkëputje nga vlerat europiane.

Një ditë pas konsultimit popullor, presidenca franceze u shpreh në një deklaratë se organizimi i një referendumi për dënimin me vdekje do të shfaqte dukshëm një shkëputje nga vlerat dhe angazhimet e marra nga Turqia në kuadër të Këshillit të Europës.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka uruar homologun turk Recep Tayip Erdogan për fitoren e tij në referendumin e së dielës.

Gjatë një bisede telefonike, Trump gjithashtu falënderoi Erdogan për mbështetjen ofruar ndaj ShBA-ës për bombardimin e bazës ajrore siriane më 7 prill.

Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë bën me dije se presidenti Trump diskutoi gjatë bisedës për reagimin ndaj përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian më 4 prill.

Në deklaratë thuhet se, dy liderët ranë dakord mbi rëndësinë për të konsideruar përgjegjës presidentin Bashar al Assad. Ata diskutuan gjithashtu për luftën kundër Shtetit Islamik, vijon njoftimi për shtyp.

Mrekulli
Lajmet Kryesore