Fëmijët e Mianmarit me defekte zemër operohen falas në Pekin

2017-04-05 17:41:17 CRI Komenti juaj Printoni

Rreth 50 fëmijë nga Mianmari që vuajnë nga probleme të deformimit të zemrës filluan të marrin trajtim mjekësor dhe do të kryejnë operacione falas në Pekin. Ndërkohë një ekip mjekësh kinezë po identifikojnë fëmijët e lindur me probleme në zemër në të gjithë vendin.

Khin Thet Hnin është nëna e 7-vjeçarit Yeh Min Khan nga zonat rurale të rajonit Mandalay të Mianmarit. Ajo e ka shoqëruar të birin te shumë mjekë, që kur ai u diagnostikua me probleme në zemër tre vjet më parë.

"Kur im bir erdhi në jetë, lëkura e tij ishte blu dhe ne nuk e dinim arsyen. Në moshën 4-vjeçare mjekët na thanë se në zemrën e tij ka një vrimë dhe se duhet t'i nënshtrohet një operacioni jashtë vendit. Ne nuk kemi të ardhura mjaftueshëm, ndaj im bir mund të merrte vetëm disa mjekime."

Por gjendja e tij u rëndua dhjetorin e kaluar dhe zgjidhja e vetme ishte ndihma nga disa mjekë të huaj dhe organizata ndërkombëtare për t'i mundësuar vogëlushit operacionin. Lajmi i mirë erdhi pas tre muajsh.

Dr. Geng Bin punon pranë Qendrës Pediatrike Kardiovaskulare të Spitalit Anzhen të Pekinit. Ai dhe disa kolegë të tjerë janë organizuar nga një organizatë bamirësie kineze për të vizituar fëmijët me probleme në zemër të spitalit të famijëve Yankin të Yangon-it.

Doktori thotë se qëllimi kryesor i vizitave është identifikimi i fëmijëve që duhet t'i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale.

Misioni i udhëhequr nga zoti Xu Yixuan, i Federatës së Bamirësisë së Kinës, synon të identifikojë 50 fëmijë që kanë lindur me defekte në zemër dhe më pas dërgimi i tyre në Pekin për kryerjen e operacionit.

"Deri tani ne kemi ndihmuar për kurimin e suksesshëm të 3,000 pacientëve me probleme në zemër. Në provincën Yunnan të Kinës kemi zhvilluar 500 operacione," thotë Xu.

Fëmijët me probleme më të rënda do të trajtohen në spitalin Anzhen të Pekinit nga specialistët më të mirë. Organizata e zotit Xu do të paguajë shpenzimet e operacionit dhe gjithashtu udhëtimin dhe qëndrimin për të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre.

7-vjeçari Yeh Min Khan dhe nëna e tij Khin Thet Hnin bëjnë pjesë në grupin e parë. Operacioni falas do t'u kursejë atyre rreth 100,000 juan, afro 15,000 dollarë amerikanë.

"Jam shumë e gëzuar. Gjatë këtyre viteve të gjitha paratë i kemi shpenzuar për shëndetin e djalit tonë. Shpresoj që pas operacionit ai ta marrë veten plotësisht dhe të shkojë në shkollë pa shkëputje," thotë Yeh.

Misioni i Federatës së Bamirësisë së Kinës është nxitja e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë midis vendeve të përfshira në nismën "Brezi dhe Rruga". Më tej misioni do të shtrihet në vendin fqinj, në Laos. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore