Industri të reja në trekëndëshin Pekin-Tianjin-Hebei kundër smogut

2017-03-15 10:51:58 CRI Komenti juaj Printoni

Konferenca Konsultative Politike e Kinës e cila i mbylli punimet të hënën në Pekin, diskutoi ndër të tjera edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe mënyrat e reja se si mund të luftohet ndotja e ajrit në qytetet e mëdha.

Ekspertët thonë se kjo çështje është e lidhur drejtpërdrejt me ristrukturimin industrial të vendit.

Për të luftuar smogun dhe ndotjen e përgjithshme të mjedisit në trekëndëshin Pekin – Tianjin – Hebei, duhet të bëhen ndryshime në strukturën industriale për të hequr varësinë nga industria e rëndë si mjeti kryesor i rritjes. Kështu thotë këshilltari politik Chi Fulin, president i Institutit për Zhvillim dhe Reforma të Kinës.

"Tani më e rëndësishmja është zhvillimi i industrive të reja. Për shembull, tani na duhen më shumë njerëz për të punuar në sektorin e kujdesit shëndetësor. Për këtë, na duhet të zbulojë zhvillimin e industrive të reja për të realizuar transformimin ekonomik, si dhe duke i transferuar ata që e kanë humbur punën në sektorin industrial drejt atij të shërbimeve duke ju dhënë atyre mundësi trajnimi dhe kualifikimi."

Në fillim të vitit 2014, qeveria kineze prezantoi strategjinë e integrimit urban të trekëndëshit Pekin – Tianjin – provinca Hebei, me qellim për të shpërndarë dhe nxjerrë jashtë Pekinit veprimtaritë jo politike që zhvillohen në kryeqytet si dhe nxitjen e një zhvillimi të koordinuar.

Midis problemeve mjedisore që hasen në këto tre vende, padyshim smogu është ai që merr vëmendjen më të madhe të publikut.

Ndotësit vijnë kryesisht nga djegia e qymyrgurit për ngrohje dhe shkarkimet industriale, duke u shkaktarët kryesorë të rritjes së nivelit të grimcave PM2.5 në rajon. Qeveritë vendore ndodhen në vështirësi për të gjetur drejtpeshimin midis mbylljes së fabrikave të industrisë së rëndë për të pastruar ajrin dhe rruajtjen e ritmit të rritjes ekonomike.

Këshilltari Chi Fulin, thotë se mbyllja e fabrikave të industrisë së rëndë do të shkaktojë papunësi, por nënvizon se nganjëherë është më mirë të veprosh me gjakftohtësi dhe të përqendrohesh te krijimi i mirëqenies afatgjatë.

"Tani ekonomia kineze ndodhet në një çast kyç të transformimit. Në këtë pikë dhimbja afatshkurtër është e pashmangshme. Duhet të përqendrohemi të gjejmë zgjidhje afatmesme dhe afatgjata dhe të shtojmë fuqi të reja në ekonomi. Ky duhet të jetë drejtimi i duhur."

Dr. Qi Ye është drejtori i Qendrës së Politikave Publike Brookings-Tsinghua dhe një ekspert i politikave mjedisore të Kinës. Ai thotë se praktika e vjetër e transferimit të industrisë së rëndës nga Pekini në provincën Hebei nuk është më një zgjidhje. Në të kundërt, ai propozon që Hebei të përqendrohet tek lloje të rinj të bujqësisë për shkak të potencialit të madh të tregut, dendësisë së popullsisë dhe shqetësimeve të publikut për sigurinë ushqimore.

"Në të shkuarën, në tre dekadat e fundit kemi parë një kalim madhor nga bujqësia drejt industrisë. Kjo padyshim shkaktoi shumë probleme të ndotjes së mjedisit. Tani mendoj se duhet t'i kthehemi bujqësisë, por jo asaj tradicionale, por bujqësisë me teknologji të lartë, me cilësi dhe siguri ushqimore. Mendoj se ky është drejtimi i duhur."

Në raportin e punës së qeverisë për vitin 2017, kryeministri Li Keqiang bëri zotime të reja për të luftuar ndotjen e ajrit.

"Ne do t'i bëjmë qiejt tanë sërish blu. Këtë vit do të shkurtohet me 3 për qind shkarkimi i dyoksidit të sulfatit dhe oksidit të nitrogjenit si dhe do të ketë rënie të konsiderueshme të dendësisë së grimcave PM2.5 në zonat me ndotje të lartë."

Statistikat nga Byroja e Mbrojtjes së Mjedisit e Bashkisë së Pekinit tregojnë se për vitin 2016 mesatarja e nivelit të grimcave PM2.5 në 13 qytete, përfshirë Pekinin, Tianjin-in dhe provincën Hebei, ishte 71 mikrogramë për metër kub, duke shënuar një rënie prej 33% në tre vitet e fundit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore