Globalizimi do të vazhdojë të jetë prirja kryesore e ekonomisë botërore

2020-06-26 03:03:31 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 1951, gjenerali i famshëm amerikan Douglas McArthur publikoi një fjalim të famshëm me titull "Ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë, ata vetëm zbehen gradualisht". Afro 70 vjet më pas, në vitin 2020, epidemia e COVID-19 i ka shkaktuar goditje të mëdha botës, duke dëmtuar rëndë globalizimin dhe zinxhirin industrial dhe atë të furnizimit. Po të shohim procesin e globalizimit nga perspektiva historike dhe e ndikimit të epidemisë, mund të themi se "prirja e globalizimit nuk vdes kurrë, vetëm transformohet".

Qysh nga shekulli i 18-të, globalizimi është bërë prirja kryesore e zhvillimit të ekonomisë botërore. Ky proces në përgjithësi mund të ndahet në pesë faza. Periudha 2009-2020 është faza e pestë, ku ShBA-ja dhe Kina luajnë një rol thelbësor.

Pas krizës financiare të vitit 2008, globalizimi filloi të futet në një periudhë të qëndrueshme, kurse niveli i hapjes së tregtisë globale nuk u rrit në mënyrë të ndjeshme, madje filloi të shënojë një rënie të vogël. Zinxhiri global i vlerës gjendet përballë sfidave.

Sivjet, me shpërthimin e epidemisë së COVID-19, vendet e botës e kanë kuptuar që siguria është një faktor i rëndësishëm dhe kanë shpejtuar kthimin e zinxhirit industrial.

Ndikimet nga COVID-19 mbi globalizimin janë kryesisht në tre aspekte:

Së pari, epidemia ka bërë që shumë vende të forcojnë rëndësinë që i kushtojnë sigurisë në shpërndarjen e burimeve. Prodhimi i sigurt dhe rreziqet gjeografike janë ndër problemet më të mëdha për biznesin e ndërmarrjeve. Në fazën e parë të epidemisë, Kina, si "fabrika e botës", ndodhej në epiqendrën e epidemisë dhe ndalimi i prodhimit goditi në mënyrë të dukshme zinxhirin global të prodhimit.

Së dyti, në gjendjen epidemike, është rritur mosbesimi mes një numri vendesh dhe janë zbuluar dobësitë në shpërndarjen e burimeve globale sipas parimit të efektivitetit ekonomik. Kjo do t'i shtyjë vendet e botës ta ndryshojnë modelin e tanishëm të globalizimit. Prej epidemisë, prodhimi i vetëm një ekonomie mund të pengohet nga pjesët e para të zinxhirit të furnizimit ose të goditet nga pjesët e fundit të zinxhirit të kërkesës. Kështu që mëkëmbja e ekonomisë botërore do të kufizohet në mënyrë të dukshme dhe kjo ekonomi do të pësojë më shumë ndikime negative.

Së treti, shumë vende të zhvilluara kanë filluar të marrin parasysh tërësinë e zinxhirit industrial të sektorëve kryesorë. Tani po mendohet që të kalohet nga parimi i efektivitetit në parimin e sigurisë dhe efektivitetit. Kjo është një veçanti shumë e dukshme e prirjes së globalizimit.

Krahas këtyre, edhe lëvizjet e njerëzve dhe materialeve janë kufizuar gjatë epidemisë, çka ka goditur lëvizjen e lirë që kërkon globalizimi. Në të vërtetë, ekziston një kontradiktë. Integrimi ekonomik dhe zinxhiri global i vlerës e kanë shtuar rrezikun e përsëritjes së shpërthimit të epidemisë në vende të ndryshme, duke ngadalësuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Megjithëse epidemia ka ndikuar seriozisht në sistemin e tanishëm të shpërndarjes së burimeve, po ta shohim nga ana e furnizimit dhe prodhimit, globalizimi ende është një prirje kryesore. Globalizimi, me këtë gjendje epidemike, do të transformohet në një tip të ri me tre veçanti kryesore.

Së pari, sistemi tregtar shumëpalësh do të shndërrohet në sistem rajonal me marrëveshje dypalëshe, ku do të ekzistojnë sistemet dypalëshe, shumëpalëshe dhe rajonale. Kështu, ka shumë mundësi që zinxhiri global i vlerës të transformohet dhe në të ardhmen, do të formohen më shumë qendra tregtare e qendra prodhimi rajonale.

Së dyti, në të ardhmen, zinxhiri industrial global do të formohet sipas kërkesës. Ku ka treg me kërkesa të mëdha, do të ketë zinxhir të qëndrueshëm furnizimi. Një zinxhir furnizimi që ndodhet më afër me tregun e konsumit dhe vendet prodhuese, do të ketë më pak kosto dhe kjo është baza e transformimit të zinxhirit global të furnizimit.

Kina ka tregun më të madh të konsumit në botë, prandaj ka më shumë forcë tërheqëse për zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit dhe kompanitë shumëkombëshe. Kështu, shumë shumëkombëshe do të vazhdojnë prodhimin në Kinë, për të qenë pranë vijës së parë të kërkesës konsumatore në tregun kinez.

Së treti, për sa u përket kompanive shumëkombëshe, prirja e krijimit të korporatave gjigante do të shndërrohet në "zvogëlimin dhe copëzimin" e tyre.

Me vëzhgimin e kujdesshëm të prirjes së ndryshimit dhe modelit të transformimit, Kina mund të kapë mundësitë e reja të globalizimit të ri dhe të ndryshimit të zinxhirit industrial e të zinxhirit të furnizimit. Kështu, Kina do të shndërrohet nga "fabrika e botës" në "prodhuesen inteligjente globale". (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore