Forma e zinxhirit global të furnizimit do të ndryshojë pas epidemisë

2020-05-12 17:15:04 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, zhvendosja e zinxhirit të furnizimit të kompanive të huaja në Kinë është bërë një temë e nxehtë. Nën ndikimin e epidemisë së COVID-19, janë shtuar shqetësimet për lëvizjen e zinxhirit të furnizimit jashtë Kinës.

Që më 26 mars, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës ka nisur operacionin për konsolidimin e zinxhirit, me sektorin industrial në fokus. Ndërmarrjet kryesore kanë filluar të nxisin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për të forcuar rifillimin e punës e të prodhimit.

Fakti është që kjo epidemi botërore në njëfarë mënyre ka zbuluar pikat e dobëta të zinxhirit global të furnizimit dhe për këtë shkak, disa vende dhe kompani shumëkombëshe kanë filluar të bëjnë rishikimin e zinxhirit të mëparshëm. Si një pjesë e rëndësishme në këtë zinxhir, edhe Kina dhe ndërmarrjet kineze duhet të kërkojnë aktivisht masa efektive.

Sipas gjendjes së tanishme, shpërndarja e zinxhirit global të furnizimit do të ndryshojë dhe, për këtë, duhet të tregohet vëmendje e madhe.

Siguria e zinxhirit të furnizimit tani është bërë një problem i dukshëm dhe përpara tij, efektiviteti i këtij zinxhiri, madje edhe përfitimet e mëdha, janë bërë jotërheqëse. Në këtë drejtim, vendet kanë arritur një konsensus, që duhet të garantohet një zinxhir elastik, posaçërisht në infrastrukturë dhe industri, i cili mund të ofrojë pajisje kyçe në kohë krize.

Kur vjen fjala me sigurinë, shumica e vendeve të botës do t'ua kushtonin të gjitha forcat rindërtimit të fabrikave për forcimin e aftësive vetëprodhuese. Me një fjalë, të gjitha epërsitë e efektivitetit janë të bazuara te siguria.

Kështu që në të ardhmen, forma e zinxhirit global të furnizimit do të shndërrohet nga "efektivitet, përfitime, globalizim" në një gjendje të bashkërenduar me "elasticitet, siguri dhe rajonalizim".

Pas epidemisë, zinxhiri global i furnizimit do të riformësohet, ndaj duhet të kuptohen qartë sfidat e sjella nga kjo dhe të ruhet vullneti strategjik për këtë gjendje të mundshme. Kështu, mund të merren masa efikase përballimi.

Së pari, duhet kuptuar që, në gjendjen e hapjes, zinxhiri global i furnizimit po lëviz nga rajonet me kosto të lartë në rajonet me kosto të ulët, nga rajonet me efektivitet të ulët në ato me efektivitet të lartë. Kjo përcaktohet nga natyra e brendshme e kompanive ose e kapitalit dhe është rezultat i evolucionit të brendshëm të industrive. Me një fjali, struktura e zinxhirit të furnizimit në një vend ose një rajon në përgjithësi është e bazuar te tregu dhe është e formuar kryesisht nëpërmjet vetëorganizimit e jo nga ndërhyrjet e jashtme njerëzore.

Megjithëse forcat ndërhyrëse luajnë rol të fuqishëm, nëse bota është e hapur, në perspektivë afatgjatë, forma dhe struktura e zinxhirit global të furnizimit përcaktohet nga thelbi i brendshëm dhe ndërhyrjet nga jashtë nuk janë një faktor ndryshues. P. sh., sipas një sondazhi të publikuar më 25 mars nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, vetëm 3 % e 119 ndërmarrjeve pjesëmarrëse në këtë sondazh po shqyrtojnë mundësinë e lëvizjes së zinxhirit të tyre të prodhimit jashtë Kinës. Ky Këshill ka afro 220 anëtarë, ndër të cilët përfshihen ndërmarrjet e famshme, si "Boeing", "Wal-mart", "Amazon" dhe "GE Motors".

Së dyti, përhapja e epidemisë COVID-19 në mbarë botën ka zbuluar gjendjen e dobët dhe të brishtë të zinxhirit global të furnizimit, çka ka tërhequr vëmendje shumë të madhe nga vendet e botës. Gjatë periudhës së krizës globale të shëndetit publik, posaçërisht në muajin mars, kur epidemia u përhap në tërë botën, kërkesat për materiale dhe pajisje antiepidemike shënuan rritje të vrullshme. Për të kontrolluar këto materiale emergjente, disa vende kanë marrë masa shtrënguese në eksportimin e tyre. Sa hap e mbyll sytë u krijuan pengesa tregtare, duke sjellë një ngecje të furnizimit me materiale mjekësore.

Kjo gjendje e vështirë ka shkaktuar rishikimin nga disa vende ndaj furnizimit global, çka faktikisht është e veshur me ngjyrime emocionale. Ka nga ata që shpresojnë t'i zhvendosin të gjitha industritë në vendin e tyre brenda natës. Dëshira të tilla nuk janë as konstruktive, as realiste. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të kthehet në periudhën e dyerve të mbyllura, se kjo nuk përputhet me natyrën e njeriut si një "kafshë shoqërore". Përveç kësaj, edhe po të mos merrej parasysh në njëfarë mënyre kostoja e prodhimit, një zinxhir rajonal i furnizimit mund të mos jetë aq i sigurt sa ç'mendohet, sepse në një zinxhir të tillë, një rrezik i ri do të jetë që "katastrofat natyrore në një vend do të ndërpresin vetë furnizimin e atij vendi". Përveç kësaj, pas dhjetëra vjetësh globalizim, për shumë vende të botës, është e pamundshme që të realizohet vetëfurnizimi me një zinxhir të pavarur. Bashkërendimi dhe përplotësimi i epërsive mes ekonomive të botës është ende një prirje bazë.

Së fundmi, një gjë më e rëndësishme se riformësimi i zinxhirit global të furnizimit është që të përmirësohet sistemi dhe të ngrihet niveli i qeverisjes globale. Duhet të vihet në dukje që, megjithëse kjo epidemi ka zbuluar pikat e dobëta dhe të brishta të furnizimit të tanishëm global, ajo po ashtu ka treguar më qartë gjendjen e brishtë të qeverisjes globale në krahasim me atë të furnizimit global. Ky model i qeverisjes globale, i formuar pas Luftës së 2-të Botërore, nuk mund të ecë me ritmet e globalizimit.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore