COVID-19 godet ekonominë botërore

2020-03-24 15:45:34 CRI Komenti juaj Printoni

Botës do t'i duhen vite të tëra për tu rikuperuar nga pandemia e koronavirusit, paralajmëroi Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD). Angel Gurría, sekretari i përgjithshëm i OECD-së, tha se tronditja ekonomike është tashmë më e madhe se kriza financiare e vitit 2008.

Më herët OECD-ja paralajmëroi se shpërthimi i virusit do të çonte në përgjysmimin e rritjes globale të ekonomisë, në 1.5 për qind.

Ndërsa numri i humbjeve të vendeve të punës dhe falimentimit të ndërmarrjeve mbetet ende i pasigurt, Gurría tha se vendet do të merren me rikuperimin e ekonomisë për vite me radhë.

Sipas tij shumë nga ekonomitë e mëdha në botë do të bien në recesion muajt e ardhshëm.

Gurría tha që pasiguria ekonomike e krijuar nga shpërthimi i virusit do të thotë që ekonomitë tashmë po vuajnë një tronditje më të madhe sesa gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit ose krizës financiare të vitit 2008.

"Dhe arsyeja është se ne nuk e dimë sesa kohë do të duhet për të rregulluar papunësinë sepse ne nuk e dimë sesa njerëz do të përfundojnë të papunë. Ne gjithashtu nuk e dimë se sa kohë do të duhet për të ndihmuar e rregulluar qindra mijëra ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat tashmë po vuajnë ", tha ai.

Qeveritë në të gjithë botën kanë ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mbështetur punëtorët dhe bizneset gjatë shpërthimit. Shumë vende janë zotuar se do të paguajnë pagat e punonjësve që qëndrojnë në shtëpi për shkak të virusit. Organizata i bën thirrje qeverive të rrisin rregullat e huamarrjes dhe të merren me krizën e krijuar.

OECD-ja tha që Eurozona, e cila përfshin disa nga ekonomitë më të mëdha të Europës mund të pësojë tkurrje brenda disa muajsh.

Çfarë duhet të bëjnë shtetet për të mbrojtur ekonominë?

Për të zbutur ndikimin ekonomik, punonjësit duhet të lejohen të punojnë nga shtëpia. Qeveritë duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të mbështetur sektorët më të prekur siç janë turizmi, udhëtimet, transporti dhe industritë e prodhimit.

"Qeveritë duhet të veprojnë menjëherë për të parandaluar epideminë, të mbështesin sistemin e kujdesit shëndetësor, të mbrojnë njerëzit, të rrisin kërkesën dhe të sigurojnë një shpëtim financiar për familjet dhe bizneset që preken më shumë."

Bankat qendrore duhet të sigurojnë likuiditet shtesë për bankat në mënyrë që ato të mund të ndihmojnë bizneset që vuajnë probleme të menjëhershme të humbjes së parave, thuhet në raportin e OECD-së.

Po në Shqipëri si është situata?

Kriza e koronavirusit në Shqipëri ka prekur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.Të parat që po dëmtohen janë sektorët që lidhen me udhëtimet, tregtinë dhe shërbimet për shkak të masave të njëpasnjëshme të qeverisë për bllokimin e kufijve, të fluturimeve por dhe të lëvizjeve brenda territorit të vendit.

Specialistët thonë se çfarë po ndodh tani është vetëm maja e ajsbergut dhe parashikojnë skenarë pesimistë për ekonominë, e cila është e goditur edhe nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Ata i sugjerojnë qeverisë të ndjekë shembullin e Italisë dhe t'i vijë në ndihmë bizneseve me paketa lehtësuese.

Industritë e prekura direkt janë fasoneria, industria përpunuese, turizmi, sektori i tregtisë dhe shërbimeve dhe sektori i fluturimeve. Industria e turizmit është prekur e para, pasi në thelb ka lëvizjen.

Përfaqësues të industrisë së turizmit në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, kërkojnë të ndiqet shembulli i Italisë, duke rishikuar disa taksa, si dhe duke ofruar lehtësi në kushtet e mungesës së likuiditetit. Goditja e fortë që kanë marrë nga kriza e koronavirusit Kina dhe Italia është ndier dhe në ekonominë shqiptare pasi Kina zë 7.4% të totalit të importeve dhe është partnerja e tretë tregtare e vendit. Aktualisht është bllokuar importi i makinerive dhe pajisjeve, të cilat, sipas INSTAT kishin një vlerë mbi 100 milion euro në vitin 2019. Ndërsa Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë në sektorin e fluturimeve dhe ndalimi i fluturimeve pritet të ketë pasoja të rënda, thonë ekspertët.

Ekspertët nuk mund t'i parashikojnë me saktësi dëmet në ekonomi në këtë moment, por gjithsesi mendojnë, se ajo që po ndodh tani është vetëm maja e ajsbergut. Ata thonë se kjo goditje vjen pas tërmetit, i cili dëmtoi fuqinë blerëse.

Mrekulli
Lajmet Kryesore