Si do të ndikojë epidemia e koronavirusit mbi tregtinë e Kinës?

2020-03-03 11:13:58 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga nisja e mosmarrëveshjeve tregtare me ShBA-në, tregtia e Kinës ka kaluar një kohë me presion të madh nga jashtë. Por Kina ka bërë mjaft përpjekje në përballimin e kësaj periudhe të vështirë, duke shënuar rritje të qëndrueshme në tregtinë e jashtme. Por tani, ekonomia e dytë e botës ndodhet para një sfide të re, koronavirusit të ri (COVID-19), çka po ndikon në zhvillimin normal ekonomik, posaçërisht në tregtinë e jashtme të Kinës.

Është e vërtetë se, që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit të ri, Kina po përballon një sfidë shumë të madhe dhe urgjente. Ndikimet e kësaj sfide janë përqendruar në katër pika kryesore.

Së pari, në zonat e prekura nga epidemia, 10 krahinat e para (përveç provincës Hubei), si Guangdong, Zhejiang, Jiangsu dhe Shandong, janë provinca kryesore në tregtinë e jashtme dhe vëllimi i eksportit të tyre zë 65.4% të eksportit të Kinës. Nga ana tjetër, krahinat e tjera të prekura, si Henan, Anhui, Sichuan, Jiangxi, Hunan dhe Chongqing, janë zona nga vijnë krahët e punës. Këto krahina janë ndikuar seriozisht nga epidemia, çka ka shkaktuar një sfidë për tregtinë e Kinës.

Së dyti, në krahina të ndryshme koha e rifillimit të prodhimit është e ndryshme. Ky është shkaku i mungesës së lëndëve të para. Për këtë arsye, zinxhiri i prodhimit është përballur me ndërprerje dhe mospërshtatje të materialeve të prodhimit. Prandaj, është vështirë që të rifillojë prodhimi normal.

Së treti, epidemia ka ndodhur në periudhën e mosmarrëveshjeve tregtare Kinë-ShBA. Krahas kësaj, epidemia e koronavirusit të ri është përcaktuar nga OBSH-ja si "emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar". Kështu, sektori i tregtisë së jashtme në Kinë përballet me largimin e zinxhirit të prodhimit nga tregu vendas dhe rritjen e kostos së krahëve të punës. Në këto kushte, tregtia e jashtme e Kinës do të ketë më pak aftësi konkurruese.

Së katërti, vitet e fundit, struktura e ndërmarrjeve të eksportit të Kinës ka pasur ndryshime dhe ndërmarrjet private i kanë kaluar ato të huaja, duke u bërë fuqia kryesore e eksportit. Në vitin 2019, eksporti i ndërmarrjeve private zinte 49.7 % të eksportit të përgjithshëm të vendit, 8.9 % më shumë se në vitin 2014. Me goditjen nga epidemia, këto ndërmarrje, që varen mjaft nga krahët e punës, do të pësojnë ndikime më të rënda.

Për shkak të epidemisë, disa kompani të huaja kanë shtyrë ose kanë anuluar importin e mallrave nga Kina. Ndërkohë, meqë ndërmarrjet kineze nuk mund të rifillojnë në kohë prodhimin, edhe eksporti dhe zinxhiri i furnizimit janë ndikuar ndjeshëm. P. sh., kompania koreanojugore e prodhimit të automjeteve "Hyndai" ka pezulluar një pjesë të prodhimit për shkak të ndërprerjes së furnizimit të pjesëve të këmbimit nga Kina. Krahas kësaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Singaporit Chan Chun Sing u shpreh që qeveritë e vendeve të ndryshme duhet të rishikojnë varësinë e tepruar nga furnizimi prej Kinës.

Në këtë gjendje, ka dy mundësi përpara ndërmarrjeve kineze.

Mundësia e parë është optimiste, siç gjendja e tanishme. Sipas këtij skenari, epidemia do të përfundonte në fund të tremujorit të parë. Me uljen e forcës së virusit, rifillimin gradual të punës së ndërmarrjeve dhe efektivitetin e kufizimit të lëvizjes së njerëzve, parashikohet që, në mes të marsit, numri i rasteve të reja të konfirmuara të infektimit do të shkojë gati në zero dhe gjendja e epidemisë do të jetë nën kontroll.

Me një gjendje të tillë, epidemia do të godasë më pak tregtinë e jashtme dhe zinxhirin e furnizimit të Kinës dhe nuk do të shkaktojë ndryshime të mëdha në zinxhirin e furnizimit. Mund të parashikohet që sivjet eksporti i Kinës do të pakësohej me rreth 5 % dhe në vitin 2021 rritja do të normalizohej. Me këtë skenar, zinxhiri global i prodhimit nuk do të largohej nga tregu kinez.

Mundësia e dytë është një gjendje serioze. Nëse epidemia nuk mund të kontrollohej para muajit qershor, tregtia dhe zinxhiri i furnizimit i Kinës do të pësonte goditje të rëndë. Në një gjendje të tillë, do të shpejtohej më tej largimi i zinxhirit të furnizimit nga tregjet e vendeve të Azisë Lindore. Kësisoj, eksporti i Kinës në vitin 2020 do të ulej me afro 10-15 % dhe vitin e ardhshëm do të kishte një rritje normale, por niveli i rritjes do të mbetej shumë i ulët.

Për të përballuar këto skenare, posaçërisht atë negativ, detyra e parë për Kinën është që të ruajë statusin thelbësor në zinxhirin global të furnizimit. Me shtimin e mbrotjes nga epidemia, duhet të rifillojë sa më parë prodhimi i sektorëve të eksportit dhe transportit të mallrave, veçanërisht në sektorët e pajisjeve elektrike dhe elektronike, sepse këta sektorë zënë një vend të rëndësishëm në zinxhirin global të furnizimit.

Krahas kësaj, duhet të rikthehet besimi i tregut ndërkombëtar me një standard të rreptë parandalues dhe kontrollues. P. sh., mund të formohen "zona të gjelbra prodhimi", ku garantohet shëndeti i punonjësve, si edhe siguria e mallrave të eksportit, dhe merren masa serioze parandaluese. Kështu, mund të stabilizohet prodhimi i ndërmarrjeve, si edhe besimi i tregut ndërkombëtar për mallrat kineze.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore