Kina, më shumë përkrahje për ndërmarrjet gjatë epidemisë

2020-02-17 16:50:22 CRI Komenti juaj Printoni

Tani në Kinë është periudha e luftës kundër epidemisë së pneunomisë së koronavirusit të ri. Për shkak të epidemisë, në shumë krahina të Kinës është zgjatur koha e pushimit dhe ndërmarrjet po përballojnë një periudhë të vështirë.

Ditët e fundit u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, ku u vu në dukje se, me parakushtin e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, duhet të përkrahen me të gjitha forcat ndërmarrjet të rifillojnë prodhimin e tyre, duhet të shtohet mbështetja financiare, të forcohet garancia e punësimit në ndërmarrje, të shfrytëzohen masat stabilizuese të punësimit dhe të nxitet aktivisht zbatimi sa më parë i projekteve të reja të investimeve.

Është e vërtetë që, qoftë për furnizimin me materiale mjekësore dhe jetësore, qoftë për funksionim e mbarë ekonomik, rifillimi i prodhimit nga ndërmarrjet është i domosdoshëm. Kohët e fundit, disa ndërmarrje të rëndësishme të sektorit të prodhimit kanë shpallur që do të rifillojnë prodhimin. Mund të thuhet që ndërmarrjet po bëjnë njëfarë "vetëshpëtimi", sepse sa më gjatë të rrinë pushim, aq më shumë presion do të përballojnë.

Për shkak të gjendjes serioze të epidemisë, ndërmarrjet e shumë sektorëve ndodhen në një gjendje të vështirë. Përveç sektorëve të film-televizionit, turizmit, ushqimit dhe prodhimit, edhe sektori i shërbimit, veçanërisht ndërmarrjet e vogla e të mesme, janë para vështirësive të mëdha.

Të dhënat statistikore tregojnë që në vitin 2019, sektori i shërbimeve në Kinë përbënte 53.9 % të GDP-së, që është shumë më tepër se në kohën e SARS-it, kur ishte 40%. Shpenzimet e konsumit kanë dhënë kontribut të madh për rritjen e GDP-së së Kinës, duke e kaluar prej shumë vjetësh nivelin mbi 50 %. Për këtë arsye, në epideminë e koronavirusit të ri, tregu i konsumit, sektori i shërbimeve dhe sektorët që kanë lidhje me to kanë pësuar goditjen më të rëndë.

Kështu që është më e rëndësishme që të merren masa të fuqishme për t'i ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ta kalojnë këtë periudhë të vështirë dhe të rifillojnë punën e prodhimin në mënyrë të mbarë. Ky në fakt është stabilizim i punësimit, garantim i jetesës dhe nxitje e zhvillimit.

Shumë ndërmarrje kanë paraqitur kërkesa që të ulet kostoja e tyre, si pagimi i nivelit minimal të sigurimeve, subvencionet për stabilizimin e punësimit, mbështetja në financim dhe lehtësimi i dhënies dhe përdorimit të kredive bankare.

Lidhur me këtë, banka qendrore e Kinës dhe Ministria e Financave kanë njoftuar forcimin e mëtejshëm të mbështetjes financiare gjatë epidemisë së koronavirusit të ri, ku është përcaktuar qartë që nuk duhet të ndërpritet, të ndalohet ose të vonohet kredidhënia për bizneset. Autoritetet kineze janë të mendimit që goditjet nga epidemia janë të përkohshme dhe ndikimet në sektorët përkatës janë afatshkurtra. Prandaj, ka shumë nevojë për masa e politika të përpikta efikase dhe zbutja e "presioneve të financimit për një kohë të shkurtër" është kyçi i masave përballuese.

Krahas ndërmarrjeve dhe qeverisë qendrore, edhe organet e pushtetit vendor kanë publikuar shumë politika mbështetëse. Në fillim të shkurtit, Suzhou ka nxjerrë 10 masa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke shtuar mbështetjen financiare, stabilizimin e vendeve të punës dhe pakësimin e barrës së bizneseve. Më pas, Pekini, Shangai, Guangdong-u, Anhui, Fujian-i dhe Sichuan-i kanë nisur zbatimin e një sërë masash të përpikta për sa u përket vështirësive të bizneseve, duke publikuar politika si shtyrja e pagimit të sigurimeve shoqërore, kredidhënia në internet dhe subvencionet për kostot e trajnimit, të cilat kanë zbutur presionet e financimit të ndërmarrjeve.

Deri tani kjo epidemi ka shkaktuar ndikime në mbarë vendin, prandaj duke filluar nga qeveria qendrore e deri në organet e pushtetit vendor, duhet të fokusohen te vështirësitë konkrete të ndërmarrjeve dhe të ofrojnë mbështetje të përpiktë në financim, tatime dhe në furnizimin me materiale etj., për t'i ndihmuar kopmanitë ta kalojnë gjendjen e vështirë.

Vlen të përmendet që institucionet financiare, si bankat, duhet të marrin masa përkatëse, sepse qarkullimi i parave është jetik për ndërmarrjet. Megjithëse ministritë përkatëse kanë kërkuar qartë që të mos ndërpriten ose të vonohen kredidhëniet, institucionet financiare duhet të marrin masa më aktive.

Institucionet e mëdha financiare, posaçërisht bankat e mëdha, përfitojnë kryesisht nga ekonomia reale, e cila është baza e zhvillimit të sektorit financiar. Vetëm kur ndërmarrjet mbijetojnë, bankat mund të kenë më shumë përfitime. Për këtë arsye, bankat duhet të fokusohen jo vetëm tek kredidhënia, por edhe duhet të ofrojnë aktivisht ndihmë për bizneset që përballojnë vështirësi të përkohshme dhe kanë perspektivë pozitive.

Tani gjendja e epidemisë është shumë e rëndë, por është e domosdoshme që ndërmarrjet të rifillojnë punën e prodhimin. Është e arsyeshme që qeveritë, bankat dhe organet e institucionet përkatëse, të ofrojnë mbështetje për bizneset në vështirësi, me synim që të parandalohet dhe kontrollohet epidemia, duke ruajtur funksionimin e mbarë të ekonomisë kombëtare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore