Mjedisi ndërkombëtar nuk do të ndikojë në hapjen e Kinës

2019-12-24 14:53:32 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të vitit 2019, mjedisi i jashtëm për Kinën po fillon të përmirësohet. Kjo pa dyshim është një gjë pozitive për ekonominë kineze, e cila po përballon presionin e rënies. Në këtë gjendje, janë në vazhdim masat e hapjes me synim që të krijohet një mjedis më i mirë për investimet e huaja.

Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës zhvilloi së fundmi një konferencë për shtyp, ku zv.ministri i Financave i Kinës Liao Min u shpreh që, me arritjen e marrëveshjes së fazës së parë Kinë-SHBA, ShBA-ja ka premtuar që do të heqë disa tarifa që ka shtuar ose planifikon të shtojë ndaj mallrave kineze, ndërkohë që do të zgjerojë përjashtimin nga tarifat mbi importet kineze. Nga ana e tij, Komiteti i Rregullimit të Tarifave pranë Këshillit të Shtetit të Kinës ka shpallur që do të pezullohet shtimi i tarifave ndaj mallrave amerikane.

Një arritje fazore nga konsultimet tregtare mes Kinës dhe ShBA-së është një gjë pozitive për të dy vendet, madje për tërë ekonominë botërore. Në të njëjtën kohë, masat e hapjes të Kinës janë në vazhdim dhe po kalojnë nga politikat në nivelin institucional konkret.

Pak kohë më parë, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi projektligjin e investimeve të huaja, me synim që të nxitet hapja me nivel më të lartë në bazë të sundimit të ligjit. Thelbi i këtij ligji është që të trajtohen ndërmarrjet kineze dhe të huaja në mënyrë të barabartë dhe të shtohet mbrojtja e investimeve. Në këtë projektligj caktohet ofrimi i shërbimeve të barabarta në procesin e regjistrimit, ofrimin e tokës, heqjen e taksave dhe dhënien e certifikatave. Krahas këtyre, vendoset që të mos ketë kërkesa diskriminuese ndaj investitorëve të huaj dhe përcaktohen përgjegjësitë ndaj shkelësve të ligjit.

Në fakt, në vitin 2019 me mjedis të ndërlikuar ndërkombëtar, niveli i përgjithshëm i import-eksportit dhe niveli i investimeve të huaja në Kinë ende kanë ruajtur rritjen. Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në 11 muajt e parë të 2019-s, niveli i përgjithshëm i import-eksportit shënoi 28.5 miliardë juanë, 2.4 % më shumë se në vitin 2018, dhe parashikohet që niveli i tregtisë së jashtme të Kinës për tërë 2019-n do të jetë 30 miliardë juanë. Megjithëse rritja është pakësuar, ky nivel ende është më i lartë se niveli i përgjithshëm i ekonomive kryesore të botës.

Lidhur me mosmarrëveshjet tregtare mes Kinës dhe ShBA-së, ka pasur shqetësime që investimet e huaja do të tërhiqen nga tregu kinez, por shifrat tregojnë të kundërtën. Në 10 muajt e parë të vitit 2019, përdorimi i investimeve të huaja në mbarë Kinën shënoi rritje me 6.6 % dhe u krijuan mbi 33 mijë ndërmarrje me investime të huaja. Vetëm në muajin tetor, përdorimi i investimeve të huaja pati rritje 7.4 % krahasuar me tetorin e vjetshëm. Kjo tregon që investitorët e huaj janë optimistë për ekonominë kineze dhe në përgjithësi nuk janë ndikuar nga konfliktet tregtare mes Kinës e ShBA-së. "Tesla" është një shembull pozitiv. Kjo kompani amerikane ka shpenzuar më pak se një vit nga ndërtimi i fabrikës deri në nisjen e prodhimit, çka ka inkurajuar më shumë investimet e huaja në tregun kinez.

Pavarësisht si do të ndryshojë mjedisi i jashtëm, më e rëndësishmja për Kinën është që të rregullojë punët e veta. Në tregtinë e jashtme, Kina duhet dhe do të ngulë këmbë në shtimin e hapjes. Gjatë vitit të kaluar, Kina ka deklaruar shumë herë vullnetin e saj për hapjen, ka publikuar masat për uljen e taksave doganore, lehtësimin e hyrjes së investimeve të huaja e pakësimin e kufizimeve përkatëse, dhe ka publikuar listën negative, si edhe projektligjin për investimet e huaja. Kjo në fakt është një hapje më e gjerë dhe e bazuar nga sistemi i politikave.

Një hapje në rang institucional është në përshtatje me kërkesat e Kinës për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë. Hapja në këtë nivel do të thotë që rregullat e brendshme të Kinës duhet të integrohen me standardet ndërkombëtare dhe të ketë një standard të unifikuar në mbikëqyrje. Për këtë arsye, Kina në të ardhmen duhet të bëjë më shumë reformë në dhënien e lejeve, politikat industriale e të konkurrencës, mbrojtjen e mjedisit, të drejtën e pronësisë intelektuale dhe mjedisin e biznesit. Krahas këtyre, Kina duhet të marrë pjesë më aktivisht në hartimin e rregullave të tregtise globale dhe në ndërtimin e sistemit të qeverisjes globale.

Publikimi i projektligjit të investimeve të huaja është një ndihmë e madhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Për ekonominë kineze, përmirësimi i mjedisit të jashtëm është një gjë pozitive, por nuk ka ndikim në ritmin e hapjes. Në fazën e tanishme dhe të ardhshme më e rëndësishmja për Kinën është që të rregullojë gjërat e veta, si tregtia me jashtë. Pavarësisht çfarë politikash do të shpallin ekonomitë kryesore të botës, Kina nuk do të ndryshojë ritmin e vet në globalizim dhe zgjerimin e hapjes.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore