Kinë, po formohen superqytetet "zinxhir të bllokut"

2019-12-10 14:27:01 CRI Komenti juaj Printoni

Sa herë që publikohet ndonjë politikë kryesore në Kinë, do të ketë ndonjë ndryshim në renditjen e qyteteve. Disa bëhen më tërheqëse dhe grumbullojnë më shumë fonde dhe talente nga brenda e jashtë Kinës.

Për Kinën e sotme, duhet të mendohet si të hiqen pengesat mes qyteteve, të shmanget konkurrenca e brendshme, të gjenden motorë të rinj zhvillimi dhe të arrihet zhvillimi i bashkërenduar. Kështu, pothuajse të gjitha politikat kryesore të shtetit janë përqendruar te zhvillimi i integruar mes qyteteve të afërta, si Zona e Re "Xiong'an", Zona e Madhe e Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao dhe Delta e Lumit Jance. Integrimi i shpejtë i qyteteve është bërë një rrugë e re për zhvillimin ekonomik të Kinës.

Për integrimin e Deltës së Lumit Jance, megjithëse elementet e tregut aty po lidhen gjithmonë e më ngushtë dhe pushteti vendor është përpjekur të nxisë ndërlidhjen institucionale dhe bashkëpunimin, qytetet që ndodhen në këtë zonë kanë pozicionim të paqartë, strukturë të afërt industriale dhe pengesa administrative. Prandaj, duhet të mendohet si të hiqen pengesat mes qyteteve nëpërmjet planeve qeveritare dhe mekanizmave administrativë.

Po të shohim zonat metropolitane dhe katër zonat e mëdha të gjirit në botë, të gjitha kanë pasur një proces zhvillimi nga integrimi i planifikimit dhe i sistemit të transportit deri në integrimin e industrive dhe të banorëve, duke formuar një situatë me zhvillim të bashkërenduar me qarkullim të lirë njerëzish, materialesh dhe kapitalesh.

Thelbi i integrimit të qyteteve është marketizimi dhe luajtja plotësisht e rolit të tregut. Forca administrative ndryshon "planifikimin" dhe krijon "skeletin", ndërsa forca e tregut ndryshon "kanalet e energjisë" dhe formon "organet". Forcat e administrimit dhe të tregut përkrahin dhe plotësojnë njëra-tjetrën, duke nxitur integrimin efikas të qyteteve. Kështu, ndërtimi infrastrukturor, si transporti dhe interneti, është hapi më i rëndësishëm në këtë proces dhe është thelbi që ndikon në strukturën e zonës.

Hekurudha e shpejtë ndryshon strukturën e qyteteve

Sistemi i transportit është jo vetëm "arteria" e integrimit të qyteteve, por edhe parakushti për rigrupimin e sektorëve industrialë në këtë zonë. Ai është baza e rëndësishme për shpërndarjen e arsyeshme të burimeve, ngritjen e cilësisë dhe efektivitetit të qarkullimit ekonomik, si edhe thelbi i formimit të forcës nxitëse. Struktura urbane në Deltën e Lumit Jance do të riformësohet në bazë të rrjetit të hekurudhës me shpejtësi të lartë.

Sistemi i transportit me lloje të shumta, nivele të ndryshme, shpejtësi të lartë dhe qarkullim të dendur do të ndryshojë situatën e zonave metropolitane. Sipas përvojës së zhvillimit të zonës metropolitane të Tokios, rrjeti hekurudhor i Japonisë është formuar para procesit të urbanizimit dhe struktura e transportit hekurudhor krijoi kushtet për integrimin fillestar. Në bazë të efikasitetit të tranportit publik, do të përmirësohet struktura e popullsisë dhe industrive dhe, në mënyrë graduale, do të formohet një strukturë metropolitane.

Me zhvillimin e hekurudhës së shpejtë, në Deltën e Lumit Jance, në qytetet mbi 600 km larg nga njëri-tjetri mund të mbërrihet brenda dy orësh, çka është një tërheqje e madhe për njerëzit dhe industritë e tanishme që i kushtojnë rëndësi të madhe kohës. Nga Delta e Lumit Jance, integrimi i qyteteve mund të zgjerohet në "një qytet, tre provinca" dhe hekurudha e shpejtë është nxitja më e drejtpërdrejtë, se kjo mund të "kompresojë" kohën dhe largësinë.

Po formohet superqyteti "zinxhir i bllokut"

Për qytetet kryesore në deltën e lumit Jance, modeli i mëparshëm i zhvillimit ishte konkurrimi në bazë të sipërfaqes. Sa më e madhe të ishte sipërfaqja, aq më konkurrues ishte qyteti. Prandaj, pothuajse të gjitha qytetet kryesore në Kinë e shtuan forcën e vet ndikuese dhe tërheqëse kryesisht nëpërmjet mjeteve administrative.

Me rrjetin e hekurudhës së shpejtë, forca ndikuese e qyteteve kryesore filloi të jetë e varur gjithnjë e më shumë nga dendësia dhe lehtësia e rrjetit infrastrukturor. Sa më i fuqishëm të jetë rrjeti infrastrukturor, aq më shumë mund të zhvillohet qyteti. Kështu, Shangai, Hangzhou dhe Nankini do të përdorin një strukturë zhvillimi jo me një thelb ose qendër, por në bazë të rrjetit lidhës.

Qyteti i madh me një thelb ose qendër në fakt zhvillohet sipas të ashtuquajturit "model i byrekut". Funksionet dhe industritë kryesore në të kontrollen nga një qendër dhe zonat përreth kanë vetëm sektorë jo të rëndësishëm, duke krijuar dukurinë e ashtuquajtur "mishi në qendër, lëngu përreth". Kështu, ky lloj qyteti ka ndikime të kufizuara dhe është vështirë të zgjerohet më tej.

Ndërsa në superqytetet me rrjet lidhës, distriktet e ndryshme lidhen në bazë të transportit të shpejtë dhe rrjetit të informacionit. Funksionet kryesore të qytetit kalohen në distrikte të tjera dhe formohet një lidhje mes "supertrurit të madh dhe trurit të vogël të fuqishëm". Kështu, formohet një superqytet "zinxhir i bllokut".

Qytete të tilla mund të zgjerohen në një zonë më të madhe dhe mund të kenë një ndikim më të gjerë në krahina të tjera, duke nxitur procesin e zhvillimit të integruar.(Jiang Lei)

Mrekulli