CIIE, një festë globale tregtare në Kinë

2019-11-05 15:49:20 CRI Komenti juaj Printoni

Tani mund të thuhet se e gjithë bota po futet në periudhën e Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE). Më 5 nëntor, mysafirët e vendeve të ndryshme u mblodhën në Shangai të Kinës Lindore, ku po zhvillohet edicioni i 2-të i CIIE.

15 vende, si Franca, Italia dhe Uzbekistani, janë konfirmuar si vende të ftuara dhe 64 vende janë përcaktuar si vende pjesëmarrëse. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 3000 ndërmarrje nga më shumë se 150 vende të botës do të marrin pjesë në këtë veprimtari ndërkombëtare.

Si një nga 100 ndërmarrjet më të mëdha industriale të botës, kompania franceze "Saint-Gobain" ka hyrë në tregun kinez në vitin 1985, por kjo është hera e parë që ajo merr pjesë në CIIE.

Për shkak të logjistikës dhe strategjisë së shitjes, deri tani "Saint-Gobain" ka eksportuar shumë pak në tregun kinez. Ndërsa për këtë edicion të ekspozitës, kryetari i degës së Azi-Paqësorit të kompanisë, Meng Haowen, u shpreh: "Pjesëmarrja në këtë ekspozitë ka rëndësi të madhe për imazhin e ndërmarrjeve dhe shkëmbimet me klientët, prandaj duhet të marrim pjesë në të."

Ai bëri të ditur që presidenti i "Saint-Gobain"-it Pierre-Andre de Chalendar do të shoqërojë presidentin francez Emmanuel Macron në këtë ekspozitë dhe do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar "Hongqiao".

Për herë të parë, në CIIE do të ketë një zonë të hapur ekspozimi, ku kompania italiane ALPI do të paraqesë tre produktet e saj: aeroplanin me krahë fiksë P400, helikopterin "Syton" dhe dronin ushtarak "Strix".

Li Xia është partnere e kompanisë ALPI në Kinë dhe ndihmëspresidentja e Kompanisë së Përbashkët të Investimeve të Kinës. Ajo bëri të ditur që në vitin 2017, të dyja palët kanë nënshkruar marrëveshje për blerjen e aksioneve.

"Në fakt kishim shumë dëshirë të merrnim pjesë në edicionin e parë të CIIE-së. Po, për shkak që bashkëpunimi mes nesh hyri në fuqi zyrtarisht në korrik 2018, nuk kishim kohë të merrnim pjesë në të," thotë Li Xia.

Krahas kësaj, edhe 15 firma të famshme italiane të prodhimit të bizhuterive do të marrin pjesë në ekspozitë. Shumica prej tyre do të shfaqen për herë të parë në Kinë. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prodhimit të Bizhuterive të Italisë Stefano de Paskale u shpreh që vjet, shoqata e tyre erdhi në Shangai bashkë me delegacionin italian, por vetëm për të ekspozuar:

"Sivjet, kemi organizuar ndërmarrjet të dalin para konsumatorëve kinezë dhe të hapin një derë për t'u futur në tregun kinez. Falë 'Një brez, një rrugë' dhe CIIE-së, prodhuesit e bizhuterive nga Italia nuk do të ndiejnë që po marrin pjesë në një ekspozitë në një vend të huaj," thotë De Paskale.

Hungaria ishte një nga vendet e ftuara në CIIE 2018 dhe këtë vit ajo është vend ekspozues. Grupi hungarez "Morgan Star" ka konfirmuar pjesëmarrjen në ekspozitën e 2-të. Presidenti i këtij grupi, Guo Guoxiong, tha: "Jemi shumë të emocionuar dhe mezi po presim që të ndajmë arritjet tona teknologjike me pjesëmarrësit në këtë ekspozitë."

Në ekspozitën e parë, kompanitë nga Japonia, Gjermania dhe ShBA-ja u renditën në tre vendet e para, kurse në ekspozitën e 2-të, numri i ndërmarrjeve amerikane është rritur shumë krahasuar me një vit më parë dhe renditet në vendin e parë. Analistët janë të mendimit që, në kushtet e ngadalësimit të rritjes globale dhe shtimit të paqartësive, tregu kinez ka një fuqi tërheqëse në rritje për ndërmarrjet amerikane.

Kompania amerikane "Honeywell" ka nënshkruar mbi 10 kontrata në ekspozitën e parë dhe partnerët e saj janë kryesisht ndërmarrjet shtetërore kineze. Këtë vit, "Honeywell" ka marrë vendimin të shtojë praninë e vet në CIIE, duke e zmadhuar tre herë sipërfaqen e pavijonit të vet.

Kryemenaxheri i kompanisë gjermane "ERBE", Liu Bin, shprehu gatishmërinë për pjesëmarrjen në edicionin e 2-të të CIIE-së.

"Nëse e përshkruajmë kërkimin e klientëve në një ekspozitë si 'peshkim', në një platformë si CIIE-ja po shikojmë se 'peshq' të mëdhenj po na afrohen!" tha Liu Bin. Ai kujtoi që, në gjashtë ditët e ekspozitës së parë, kompania e tij nënshkroi tetë kontrata, me një vëllim blerjesh prej 1.7 milionë juanësh.

"Kemi përgatitur produktet më të fundit dhe po presim që në CIIE të zgjerojmë më tej biznesin tonë në tregun kinez," vuri në dukje Liu Bin.(Jiang Lei)

Mrekulli