Ekonomia kineze elastike përkundër luftës tregtare

2019-10-29 15:17:21 CRI Komenti juaj Printoni

Pasi Kina publikoi të dhënat e saj për tremujorin e tretë, titulli i Wall Street Journal dukej një paralajmërim: "Rritja ekonomike e Kinës më e ngadalta në dekada." Ndërsa CNN-i pasoi: "Rritja ekonomike e Kinës bie në nivelin më të ulët që nga viti 1992". Reuters-i zgjati afatin kohor: "Rritja e PBB-së së Kinës bie në nivelin më të ulët në afro 30 vjet, pas goditjes së prodhimit nga tarifat."

Falsiteti në këto tituj është se aty ngatërrohen ciklet e biznesit me prirjet shekullore dhe anasjelltas. Kur vendet industrializohen, ata gëzojnë një rritje relativisht të lartë. Pas industrializimit, ritmet e rritjes ngadalësohen. Kina nuk bën përjashtim.

Në realitet, shumica e të dhënave të fundit tremujore në Kinë dhe ekonomitë e tjera të mëdha janë penalizuar për të njëjtën arsye: luftërat tregtare dhe gjeopolitika e nisur nga ShBA-ja, të cilat nxisin uljen e perspektivës së ekonomisë globale.

Në terma afatgjata, rritja e ekonomisë kineze ka ardhur gradualisht duke u ngadalësuar që nga fillimi i viteve 2010. Megjithatë, të ardhurat për frymë vijojnë të dyfishohen në dekadën në vazhdim. Me fjalë të tjera, rritja ekonomike po ngadalësohet, por standardet e jetës vazhdojnë të rriten.

Kjo është shumë e ndryshme nga ekonomitë kryesore të përparuara, në të cilat perspektiva ekonomike vijon ngërçin, në terma afatgjatë dhe ciklikë. Në Shtetet e Bashkuara, standardet e jetesës së shtresës së mesme dhe popullsisë në punë kanë rënë prej viteve '80, duke kontribuar në polarizimin e madh të të ardhurave. Në Eurozonë, polarizimi nuk është aq i lartë, por po thellohet. Por në Kinë, shtresa e mesme e popullsisë vijon të zgjerohet.

Për sa i përket të dhënave ciklike, rritja ekonomike e Kinës qëndroi në 6 për qind nga 6.2 për qind në tremujorin e dytë. Por, a pati ndryshim të madh rezultati aktual nga ai i pritshmi? Analistët e anketuar nga Reuters parashikuan një rritje të PBB-së prej 6.1 për qind në tremujorin korrik-shtator nga një vit më parë. Pra, diferenca ishte thjesht 0,1 për qind.

Ky devijim kaq i vogël nuk mund të jetë krijues i titujve panik. As raportet e tilla nuk japin udhëzime të përshtatshme për investitorët amerikanë. Në dallim nga mediat, investitorët institucionalë shohin rezistencë ekonomike në Kinë, madje edhe në kushtet e luftës tregtare dhe presioneve gjeopolitike. Kjo është arsyeja pse gati gjysma e investitorëve institucionalë me të ardhura fikse jashtë Kinës planifikojnë të rrisin ekspozimin e tyre ndaj borxhit të lëshuar nga Kina në vitin e ardhshëm, sipas "FinancialAsia".

Në pjesën kontinentale të Kinës, shenjat pozitive përfshijnë zgjerimin në prodhimin industrial, që u rrit në shtator, pavarësisht rritjes më të ulët të eksportit. Dhe ndërsa muajt e luftës tregtare i kanë bërë konsumatorët më të vetëdijshëm për kostot, shitjet me pakicë u rritën 7.8 për qind falë planit të mbështetjes së politikave nga Këshilli i Shtetit (kabineti kinez).

Potenciali afatgjatë i Kinës mbetet i fortë. Përqindja e rritjes është ende tre-katër herë më e shpejtë se pothuajse në të gjitha ekonomitë kryesore. Riekuilibrimi i ekonomisë kineze drejt novacionit dhe konsumit mbetet i qëndrueshëm. Ndërkohë, kontributi i investimeve u rrit në 19.8 për qind të GDP-së, ndërsa ai i konsumit u rrit 60.5 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që rritja e PBB-së së Kinës do të ngadalësohet në 5.8 për qind deri në vitin 2020. Ky skenar supozon dobësim të konsumit, shoqëruar me investime të kujdesshme private dhe tkurrje të eksporteve. Por shifra përfundimtare ka më shumë të ngjarë të mbetet 5.8-6.2 për qind në vitin 2020, në varësi të forcës së erës së kundërt në tregti - që do të rezultojë në rregullim të mëtejshëm fiskal dhe monetar.

Konfuzioni botëror dhe ngatërrimi i politikave

Kur administrata e ShBA-së miratoi një politikë proteksioniste tregtare dy vjet më parë, ajo jo vetëm mori vendimin më të keq politik në epokën e pasluftës, por gjithashtu dëmtoi rimëkëmbjen e re të botës

Para se ShBA-ja të niste luftën tregtare kundër Kinës, niveli i saj vjetor i rritjes së PBB-së arriti në 3.2 për qind në mes të 2018. Tani pothuajse është përgjysmuar në 1.8 për qind. Sa i përket Eurozonës, pasi arriti kulmin në 3 për qind në janar 2018, rritja e saj u tkurr në rreth 1 për qind, madje përpara kontraktimit të ekonomisë gjermane dhe shtimit të paqartësive mbi Brexit-in. Edhe në Japoni, rritja ka rënë në nën 1 për qind, pasi u ngrit në 2.4 për qind në fillim të vitit 2018.

Në vitin 2017, rritja e ekonomisë botërore ishte 3.8 për qind. Duke pasur parasysh politikat e duhura, ajo mund të vijonte rritjen në vitin 2018 dhe këtë vit.

Në vend të kësaj, falë proteksionizmit të ShBA-së dhe fërkimeve gjeopolitike, integrimi global ka ngecur. Tregtia botërore është në nivelet e para vitit 2008, dhe e njëjta gjë vlen edhe për investimet botërore. Ndërsa flukset e emigracionit kanë rënë, numri i të zhvendosurve globalisht ka tejkaluar 71 milionë - 15 milionë më shumë sesa në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Nëse mbizotërojnë politikat e gabuara, këto prirje të kundërta ka të ngjarë të shtohen më tej, të ndërthurura me përçarje potenciale mbi gjykimin e presidentit në ShBA, peizazhin recesionar në Eurozonë dhe stanjacionin në Japoni.

Të udhëhequr nga gabimet e politikës amerikane, ekonomia globale tani është në mes të një "ngadalësimi të sinkronizuar", siç ka paralajmëruar FMN-ja. Por gjendja mund të përkeqësohet më tej nëse këto gabime vijojnë të përsëriten.

Mrekulli
Lajmet Kryesore