Kinë, konsumi shtëpiak ka ndryshuar shumë gjatë 70 vjetëve

2019-08-27 16:56:52 CRI Komenti juaj Printoni

"Shitja me pakicë e mallrave të konsumit shtëpiak, si biçikleta, orë, makina qepëse, radio dhe televizorë është në rritje më të shpejtë," shënohet në një raport statistikor të publikuar në fillim të vitit 1978, kur Kina filloi Reformën e Hapjen.

Ndërsa në "Raportin vjetor statistikor të Kinës 2018", në kategorinë e mallrave kryesorë të konsumit të qytetarëve kinezë, "biçikletat, orët, makinat qepëse, radiot" nuk janë përfshirë më dhe televizori është zëvendësuar nga televizori me ngjyra.

Qoftë nga kujtimet e qytetarëve, qoftë nga raporti statistikor, del se struktura e mallrave të konsumit shtëpiak është në përmirësim të pandërprerë. Ndryshimi i pajisjeve kryesore shtëpiake në periudha të ndryshme është pasqyrimi i gjallë i risive në nivelin e stilin e jetesës dhe teknologjinë e prodhimit.

Xiao Ning ka lindur në vitin 1999 dhe tani është në vitin e parë të universitetit. Ajo ka jetuar në fshat para se të shkonte në shkollë. Asaj i kujtohet gjyshja e saj që ka një makinë qepëse dhe ndonjëherë qep veshje.

Për shumicën e të rinjve si Xiao Ning, makina qepëse ka dalë krejtësisht jashtë jetës së tyre. "Katër pajisjet tradicionale" (makina qepëse, biçikleta, ora dhe radioja) nuk janë më simboli që tregon nivelin e jetesës. Për të rinjtë si Xiao Ning, biçikleta është bërë një mall me përdorim të përbashkët.

Z. Huang ka lindur në vitet '70 të shekullit të kaluar. Ai kujton që në fillim të viteve '80, fqinjët blenë një televizor bardhezi dhe familja e tij bleu një televizor me ngjyra. Kujtesat e brezave të ndryshëm kanë hartuar një rrugë përmirësimi të konsumit të mallrave shtëpiake nga familjet kineze.

Në periudhën 1950-1970, "katër pajisjet tradicionale" përshkruheshin si "tre rrota dhe një zë" dhe niveli i konsumit të tyre ishte afro 100 juanë.

Në vitet '80, "gjashtë pajisjet e reja shtëpiake", pra televizori, makina larëse, radioja, frigoriferi, freskuesja elektrike dhe aparati fotografik, kishin një nivel konsumi prej afro 1000 juanësh.

Në vitet '90 të shekullit të kaluar, niveli i konsumit arriti në 10 mijë juanë. "Katër pajisjet tradicionale" janë përhapur mjaft në zonat rurale, në shumicën e qytezave zotërimi i "gjashtë pajisjeve të reja shtëpiake" është në nivelin e ngopjes dhe kompjuterat, automjetet dhe banesat janë futur në listën e konsumit të familjeve kineze.

Nga raportet statistikore të 20 vjetëve të fundit, mund të shohim se që nga viti 2003, për çdo 100 familje urbane të Kinës, nuk ka më të dhëna mbi biçikletat e motoçikletat dhe automjetet private janë bërë "anëtarët" e rinj të familjes. Në vitin 2002, për çdo 100 familje urbane, numri i automjeteve private ishte 0.88 dhe i motoçikletave 22.19.

10 vjet më pas, pra në vitin 2013, për çdo 100 familje fshatare të Kinës, biçikleta nuk përfshihej më në statistika. Sivjet numri i automjeteve private për çdo 100 familje fshatare është 9.9 dhe për çdo 100 familje urbane ka arritur në 22.3.

Në vitin 2014, pasi Kina u fut në vendet me të ardhura të mesme, numri i makinave larëse, frigoriferëve e kondicionerëve ishte afro ose mbi 100 për 100 familje.

Me përhapjen e automjeteve private, kompjuterave e celularëve, udhëtimi dhe telekomunikacioni janë bërë pikat e reja të konsumit.

Në vitin 1997, në çdo 100 familje urbane kishte 1.7 celularë dhe në vitin 2017 ky numër arriti në 235.4. Kjo do të thotë që çdo familje kineze kishte mbi dy celularë. Në zonat fshatare, në vitin 2000, kishte 4.3 celularë për çdo 100 familje dhe në 2017-n ky numër u rrit në 246.1. Vlen të përmendet që në vitin 2016, numri i celularëve në familjet fshatare e kaloi atë në familjet urbane dhe në 2017 kjo epërsi u shtua pak më shumë.

Ndërkohë, në fund të vitit 2016, numri i automjeteve private në qytetet kryesore arriti 159 milionë. Në vitin 2018, numri i automjeteve private për 100 familje ishte 33, duke arritur 41 në zonat urbane dhe 22.3 në zonat fshatare.

Gjatë këtyre vjetëve, janë përmirësuar niveli i konsumit të banorëve dhe struktura e konsumit. Edhe niveli i të ardhurave është ngritur shumë. Në vitin 1956, të ardhurat e disponueshme për frymë ishin vetëm 98 juanë dhe niveli i konsumit për frymë vetëm 88 juanë. Në vitin 1978, këto dy shifra u rritën në 171 dhe 151 juanë, ndërsa vjet arritën në 28 220 dhe 19 850 juanë, duke u shtuar përkatësisht mbi 24 herë dhe 19 herë.

(Jiang Lei)

Mrekulli