Bujqësia moderne nxit zhvillimin e zonave fshatare në Kinën Jugore

2019-07-30 14:23:09 CRI Komenti juaj Printoni

Në qytetin Huizhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore, ka një zonë bujqësore, Si Miao Mi. Këtu janë mbjellë shumë oriz dhe produkte të tjera bujqësore, me mbështetjen nga kompania bujqësore "Haina".

Chen Pengyou është një ndër fshatarët që bashkëpunojnë me kompaninë "Haina". Ai dhe e shoqja menaxhojnë një sipërfaqe mbi 300 akra kineze (1 akër kineze është afro 666 metra katrore) dhe të ardhurat vjetore të tij ikalojnë 100 mijë juanët. Ai tha se kjo është më mirë se më parë kur punonte në qytet.

"Në të kaluarën, kur sapo erdhëm këtu, ishim shumë të varfër dhe tani fëmijët janë martuar dhe kanë ndërtuar banesa për familjen," thotë Chen.

Li Weiting-u është nga fshati Wanlu, që ndodhet afër zonës Si Miao Mi. Ai thotë që punoi shumë vjet në qytetdhe tani kompania "Haina" e fton atë të rritë peshk në orizore. Tani ai rrit 300 mijë peshq në një sipërfaqe 600 akra kineze.

Li bën të ditur që fondet për rritjen e peshqve vijnë nga kompania. Ai mund të marrë 5000 juanë çdo muaj rrogë bazë dhe krahas kësaj, mund të marrë 20 % të fitimeve nga rritja e peshqve. Ai thotë që më përpara, punonte tokën, çka ishte shumë e lodhshme dhe pa fitime. Ndërsa tani jeta e tij është përmirësuar dhe ai ka blerë një makinë. Li Weiting-u u shpreh që kjo është realizuar nga modeli modern i menaxhimit.

"Unë e preferoj modelin e tanishëm të menaxhimit. Kjo zonë nuk ka kohë të lirë. Pasi mbledhim orizin, hedhim ujë, ku rrisim peshq. Në dimër, pasi mbarojmë korrjen e orizit, rrisim sërish peshq", thotë Li Weiting.

Përveç orizit dhe peshqve, në këtë zonë ka edhe rosa, pata, bretkosa, breshka dhe pemë guajave. Peshqit dhe rosat mund të pastrojnë ujin dhe orizi mund të ofrojë një mjedis të mirë ushqimi për ta. Ndërkohë, jashtëqitjet e tyre mund të përdoren si pleh për pemët, të cilat mund të prodhojnë fruta cilësore.

Ky model quhet "bujqësia 3D" (me qark të integruar mes orizit, kafshëve dhe frutave). Presidentja e kompanisë "Haina" Zhong Zhenfang prezanton që ky model modern 3D mund të ngrejë në mënyrë të dukshme përfitimet ekonomike dhe të ardhurat për një akër kineze mund t'i kalojnë 10 mijë juanët, duke u dyfishuar krahasuar me modelin tradicional.

Zhong Zhenfang-u thekson që ky model ndryshon nga bujqësia tradicionale dhe është mbështetur nga teknologjia. Në fakt, "Haina" ka zhvilluar bashkëpunim me shumë institute shkencore bujqësore të vendit dhe në vitin 2017 ka krijuar institutin e vet kërkimor.

Drejtori i Institutit të Shkencës Bujqësore të Guangdong-ut, Lu Huazhong është një anëtar i grupit të ekspertëve të kompanisë "Haina". Ai sqaron që bujqësia moderne jo vetëm ka mënyra të reja dhe modele të reja mbjelljeje, por edhe një zinxhir të plotë mes sektorëve të ndryshëm.

"Bujqësia moderne në fakt është integrimi i 3 sektorëve. I pari është mbjellja, që është bërë në mënyrë organike dhe ka efektivitet më të lartë. I dyti është përpunimi. Orizi përpunohet në nënprodukte të tjera përkatëse, si qumësht orizi, petë orizi dhe makarona orizi. I treti është integrimi i prodhimit me turizmin. Kjo zonë bujqësore është bërë si një park, ku qytetarë mund të kalojnë kohën e pushimit, duke shikuar gjithë procesin e prodhimit dhe kështu, ata do të kenë më shumë besim te zinxhiri i prodhimit," thotë Lu Huazhong-u.

Zona Si Miao Mi në fakt është një pjesë e bujqësisë moderne që po zhvillohet shpejt në Guangdong. Provinca Guangdong ka në plan që brenda 3 vjetësh të ndërtojë 150 zona të bujqësisë moderne në rang province dhe në bazë të këtyre zonave të zbatojë strategjinë e lulëzimit të zonave fshatare, me synim që të zhvillojë bujqësinë në mënyrë më cilësore.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore