Kina do të bëjë thirrje për multilateralizmin në Samitin e G20-s

2019-06-25 15:18:52 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi përmes një konference shtypi më 24 qershor rendin e ditës së president Xi Jinping, i cili do të marrë pjesë nga 27 deri më 29 qershor në samitin e 14-të të Grupit të 20 vendeve (G20) në Osakë të Japonisë. Sipas deklaratës, gjatë takimeve, Kina do t'u bëjë thirrje të gjitha palëve të synojnë multilateralizmin.

Ndihmësi i ministrit të Jashtëm të Kinës Zhang Jun u shpreh më 24 qershor se kjo do të jetë hera e 7-të që presidenti Xi Jinping merr pjesë ose drejton një samit të G20-s, duke treguar vëmendjen e lartë të palës kineze për bashkëpunimin në kuadër të këtij grupi dhe qeverisjen ekonomike globale.

Autoritetet nga ministritë e Tregtisë dhe Financave, si dhe zëvendësguvernatori i Bankës Popullore të Kinës (PBOC) ishin të pranishëm në konferencë.

"Tani unilateralizmi dhe proteksionizmi kanë dëmtuar rëndë rendin ndërkombëtar duke minuar zinxhirin global të vlerës, zinxhirin industrial dhe zinxhirin e furnizimit. Ekonomia botërore po haset me më shumë rreziqe dhe besimi i tregut është zbehur ", tha Zhang

Ai nënvizoi se G20-a është forumi parësor për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina ka luajtur rolin e saj në nxitjen e rritjes ekonomike botërore, duke përmirësuar qeverisjen globale dhe duke tejkaluar sfidat si dhe ka luajtur një rol konstruktiv si një vend i madh përgjegjës.

Nën rrethanat e tanishme, vendi organizator Japonia dhe komuniteti ndërkombëtar kanë pritshmëri të mëdha nga pjesëmarrja e presidentit Xi në samitin e Osakas, shtoi Zhang.

Agjenda e presidentit Xi në Japoni

Agjenda e presidenti kinez Xi Jinping në Japoni pritet të jetë e ngjeshur. Ai do të marrë pjesë në diskutime plenare të samitit dhe do të diskutojë me liderët e tjerë të pranishëm për ekonominë dhe tregtinë botërore, ekonominë digjitale, zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm, infrastrukturën, ndryshimet klimatike dhe mjedisin.

Ai do të qartësojë pikëpamjet dhe propozimet e tij rreth ekonomisë globale, të shqyrtojë shkaqet rrënjësore dhe zgjidhjet për problemet ekzistuese si dhe të identifikojë drejtimin e përgjithshëm të ekonomisë globale.

Presidenti Xi do të marrë gjithashtu pjesë në një takim jo-zyrtar të liderëve të BRICS-it, në një takim mes udhëheqësve Kinë-Rusi-Indi dhe në një tjetër takim me liderë të vendeve afrikane.

Palët pritet të zhvillojnë diskutime për thellimin e bashkëpunimit mes tregjeve dhe vendeve në zhvillim dhe për zbatimin e Agjendës së Kombeve të Bashkuara 2030.

Presidenti Xi do të zhvillojë gjithashtu bisedime dypalëshe me disa liderë mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin, përfshi homologun amerikan Donald Trump, takim që u konfimua të martën e kaluar gjatë një telefonate mes dy liderëve.

Zhag shtoi se Komuniteti Ndërkombëtar ka njohur plotësisht pasojat e unilateralizmit, proteksionizmit etj., duke shtuar se Kina do të punojë me vendet e tjera për të mbështetur fort multilateralizmin.

G20-a duhet të mbështesë multilateralizmin, rendin dhe drejtësinë ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojë në nxitjen e një mjedisi të përshtatshëm dhe të shëndoshë për ekonominë, tregtinë dhe bashkëpunimin tekniko-shkencor ndërkombëtar, i cili do të ndihmojë në rikthimin e ekonomisë botërore në rrugën e duhur. Kjo është detyra e G20-s si dhe pritshmëria e bashkësisë ndërkombëtare, vijoi ai.

Dhjetë vjet më parë, G20-a luajti një rol të madh në përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar krizën globale financiare. Tani, është e rëndësishme që ky grup të mbështesë partneritetet, të përmirësojë koordinimin e politikave dhe të ruajë unitetin dhe bashkëpunimin, tha Zhang.

Zhang shtoi se Kina mbështet një sistem tregtar shumëpalësh pa diskriminim dhe mbështet reformën e nevojshme të Organizatës Botërore të Tregtisë.

"Ne besojmë se konsensusi duhet të arrihet përmes konsultimeve dhe duhet të miratohet një qasje graduale dhe konstruktive për të trajtuar dallimet"

"Kina do të ndjekë një qëndrim të përgjegjshëm në marrjen pjesë në diskutimet përkatëse, ndërsa në të njëjtën kohë mbështesin fort interesat tona themelore dhe të drejtat legjitime. Ne jemi të gatshëm të punojmë me vendet e tjera duke iu bashkuar diskutimeve mbi ekonominë digjitale, zhvillimin e qëndrueshëm, infrastrukturën e cilësisë së lartë, ndryshimet klimatike, energjinë, mjedisin dhe çështje të tjera të mëdha", theksoi ai.

Forumi i G20-s është një forum që fokusohet tek çështjet ekonomike globale dhe Kina nuk do të lejojë që samiti i Osakës të prekë çështjen e Hong-Kongut, nënvizoi Zhang.

Ai theksoi gjithashtu se çështjet e Hong-Kongut janë punë të brendshme të Kinës, duke shtuar se Pekini nuk do të lejojë që vendet e tjera të ndërhynë në punët e brendshme të Kinës në asnjë rast apo formë.

Ndërsa zv.ministri kinez i Tregtisë Wang Shouwen tha se Kina dhe ShBA-ja duhet të jenë të gatshme për kompromis në bisedimet tregtare dhe jo të këmbëngulin vetëm tek dëshira e njëanshme.

Parimet e Kinës janë të qarta, tha ai –respekt reciprok, barazi dhe përfitimi përbashkët.

"Barazia dhe përfitimi reciprok nënkuptojnë që konsultimet duhet të ndodhin në kushte të barabarta dhe marrëveshja që arrihet të jetë e dobishme për të dyja palët," tha ai.

Wang tha për mediet se diskutimet mes ekipeve të tregtisë nga Kina dhe ShBA-ja po vijojnë, duke shtuar se tarifat e vendosura nga disa vende janë një kërcënim ndaj ekonomisë botërore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore