Fuqia e luleve të vendit në lulëzim të plotë

2019-05-14 16:36:24 CRI Komenti juaj Printoni

Çdo të hënë në orën 9:30 të mëngjesit, një buqetë e freskët lulesh arrin në zyrën e Wu Minhui-t në Qytetin e Ri Zhujiang, distrikt qendror i biznesit në Guangzhou, kryeqendra e provincës Guangdong.

Në javën e parë të muajit të kaluar, buqeta ishte prej tre trëndafilash të kuq, pesë karafilash rozë dhe një gjetheje eukalipti, të mbështjella me letër të fortë në ngjyrë kafe. Por buqeta nuk ishte një surprizë romantike nga i dashuri, po ishte "vetëdashuri", shprehet Wu.

27-vjeçarja mendon se gratë dhe vajzat duhet t'i shpenzojnë paratë për qejfin e vet dhe jo të të tjerëve. "Blej lule për veten time, sepse kështu jo vetëm ndihem më e çmuar, po edhe mund të bëhem më e durueshme duke u kujdesur për to," tha ajo.

Wu, pajtimtare në një shërbim të "Flowerplus", një kompani e re e tregtisë elektronike që i dërgon për javë lulet, thekson që blerja e luleve është bërë një zakon i disa kolegëve të saj në kompani, sidomos të reja.

Dyqanet e shitjes së luleve në internet si "Flowerplus" dhe "Reflower" kanë krijuar shërbimet e pajtimit në vitet e fundit, që i bëjnë lulet më të përballueshme dhe blerjen e tyre një zakon.

Me vetëm pak klikime në celularë të zgjuar dhe pagimit nëpërmjet "Wechat"-it dhe "Alipay"-it, Wu dhe kolegët e saj mund të presin për javë në zyrën e tyre buqetat e freskëta dhe të përzgjedhura sipas parapëlqimeve të veta.

"Gjëja më e mirë është që çmimi është i arsyeshëm dhe cilësia e qëndrueshme. Paguaj për paketën time të 'Flowerplus-it' që kushton vetëm 20 juanë (2.90 $) në javë për një buqetë të zakonshme," tha Wu. "Kur porosita për herë të parë në internet, nuk prisja që kjo të bëhej një zakon."

Në zyrën e Wu-së, dita e punës nis me vënien e luleve në një vazo, vendosjen e vazos në tavolinë dhe pastaj përgatitja e një filxhani kafeje nga ajo vetë.

Biznesi elektronik po lulëzon në Kinë dhe shërbimet "online-to-offline" nxisin zgjerimin e biznesit të luleve me shtimin e blerjes së luleve nga njerëzit e zakonshëm.

Gjithsesi, kjo është ende një prirje e re në krahasim me traditën qindravjeçare të kulturës së luleve të Kinës.

Më shumë se 1000 vjet më parë, banorët në dinastinë Tang (618-907) bënin shëtitje jashtë për të admiruar lulet. Ata merrnin degët e pemëve me lule dhe i sillnin në shtëpi për zbukurim.

Tani, edhe një herë, kinezët po tregojnë parapëlqimin e tyre për lulet.

Kompania e konsultimeve për internetin "iResearch" parashikon që tregu kinez i biznesit elektronik për lulet e prera është zgjeruar nga 1.2 miliardë juanë në vitin 2013 në 12.4 miliardë juanë në 2017, dhe mund të arrijë në afro 50 miliardë juanë deri në vitin 2021.

Një pjesë e madhe e një rritjeje të tillë gjendet te shtresa e mesme shoqërore, sepse gjithnjë e më shumë prej tyre i vlerësojnë lulet e prerë si pjesë e jetës së përditshme, jo luks për rastet e veçanta.

Një raport i sivjetshëm nga "Tmall", platforma e biznesit elektronik e kompanisë "Alibaba", thekson që konsumatorët, veçantërisht të rejat, po blejnë shumë mallra për veten në krahasim me të kaluarën.

Të dhënat e "Tmall"-it tregojnë që konsumi prej grave dhe vajzave i luleve, librave, turizmit, këpucëve sportive dhe produkteve të tjera të ashtuquajtura "të trajtimit të mirë të vetes", vazhdon të rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Mao Haipeng nga Grupi i Industrisë së Luleve Dounan i Yunnan-it shprehet: "Kjo është pjesë e dhuratave natyrale në kohën kur ekonomia e Kinës po zhvillohet dhe familjet kanë më shumë të ardhura të disponueshme për gjërat që konsideroheshin në të kaluarën shpenzime të kota."

"Ka familje që mbjellin lule në shtëpi, por më shumë kemi filluar të blejmë lule të prera për arsye të freskisë dhe shumëllojshmërisë së tyre," shtoi Mao. "Lulet janë bërë domosdoshmëri për shumë familje kineze."

Grupi i Mao-s menaxhon tregun e shitjes ndërkombëtare të luleve në kontenë Dounan të provincës Yunnan. Në tre dekadat e kaluara, kjo konte u zgjerua nga një kënetë e vogël në tregun më të madh të luleve në Azi, duke furnizuar më shumë se 75 % të luleve të prera dhe duke i eksportuar lulet në gjithë rajonin.

"Kërkesa ka qenë aq e madhe, sa tani rreth 300 000 fermerë kultivojnë 1.5 milionë hektarë lule në provincë, nga një numër fare i vogël prej një duzine femerësh dhe më pak se 10 000 hektarë në vitet '90 të shekullit të kaluar," tha Mao.

Lulëzimi i luleve nxit gjithashtu rritjen e turizmit.

Sivjet, kompania e shërbimeve turistike në internet "Ctrip" nxori Raportin e Prirjes Globale të Turizmit të Luleve për 2018-n, i cili vlerësoi pikat më të vizituara turistike dhe preferencat e turistëve kinezë.

Sipas këtij raporti, numri i kërkimeve me fjalët kyçe si "lule qershie", "lule pjeshke" dhe "lule kolze" u rrit me 500%, ndërsa paketat turistike të brendshme dhe ndërkombëtare, me temën e luleve, janë rritur me mbi 30 për qind për tre vjet me radhë.

Konte Wuyuan është e famshme me lulet e kolzës

Në mars, Zhang Yilian dhe bashkëshorti i saj, dy pensionistë, vizituan kontenë Wuyuan të provincës Jiangxi për të parë lulet e kolzës. Kur u kthyen në shtëpi, Zhang zbuloi që pikturat e hedhura në "Wechat" u bënë një sukses.

"Mora 62 pëlqime, mendoj sepse miqtë e mi janë tërhequr nga bukuria e natyrës," tha ajo.

Në 2017, Zhang dhe bashkëshorti i saj u anëtarësuan një grup në "Wechat", që quhet "Klubi i admiruesve pensionistë të luleve". Çifti dhe 200 anëtarë të tjerë të grupit kanë interes për të njëjtat lulet.

"Disa në grup mbjellin lule në shtëpi, dhe disa fotografë marrin frymëzim nga lulet. Lao Yang (bashkëshorti i Zhang-ut) dhe unë duam të udhëtojmë, prandaj vendosëm të vizitojmë vendet me lule të bukura pasi dolëm në pension."

Amelia Qiu, një studiuese e makroekonomisë në Londër, tha që konsumatorët e pasur kinezë tani kanë më shumë kërkesa për cilësinë e jetës së tyre. Si pasojë, konsumi për "eksperiencë" dhe "produkte shpirtërore" po rritet shpejt.

"Por kurrë nuk ka të bëjë me lulet. Ky nuk është qëllim. Është një simbol i pasurisë, shijes estetike dhe statusit shoqëror. Krahas kësaj, të tregosh lulet në mediat sociale është bërë gjithnjë e më tërheqëse për të marrë njohjen dhe vlerësimin nga të tjerët, më shumë sesa të tregosh çanta ose orë luksoze, të cilat vlerësohen lart nga kinezët," tha Qiu.

Në 2017, Wang Wanying, një i diplomuar nga Universiteti Pedagogjik i Zhejiang-ut, vizitoi Holandën në pranvdrë për të pare tulipanët.

Fotot e saj të luleve në Parkun "Keukenhof" që ishin hedhur në blogun e saj, janë shikuar mijëra herë.

"Ndalesa ime tjetër është Bullgaria, ose Provence në Francë, për të parë trëndafilat dhe livandot," tha Wang.

Gao Jianzhou, një studiues për lultarinë në Universitetin e Pylltarisë të Pekinit, tha që shikohet një rritje e shpejtë ndër turistët kinezë që "kërkojnë të thellojnë eksperiencat e tyre mbi dukurirë natyrore të botës. Ata që interesohen për natyrën, lulet, turizmin botanik, preferojnë të udhëtojnë në stinët e caktuara për të zgjeruar eksperiencat e tyre nga udhëtimi."

Nga pikëpamja e kërkesës së fuqishme, "destinacionet e luleve" po bëjnë përpjekje për të tërhequr turistët kinezë.

Eddie Yang, drejtor për Azinë i degës në Kinë të Bordit Holandez të Turizmit dhe Konferencave, tha që shikohet një rritje dyshifrore në turizmin kinez në Holandë gjatë viteve të fundit.

"Përveç kësaj, pikat turistiket holandeze po përshtaten më shumë me kërkesat e turistëve kinezë," tha Yang.

"Ata mund të blejnë bileta për shumicën e parqeve dhe kopshteve holandeze nëpërmjet 'Alipay' në pajisjet e tyre të lëvizshme. Më tej, Muzeu Van Gogh dhe pika të tjera të njohura turistike kanë nxjerrë uebsajtin në gjuhën kineze dhe ofrojnë guidë audio në kinezishte. NBTC në Kinë ofron guidë turistike artistike të përshtatur me preferencat personale, ndërveprim dhe aktivitetet në natyrë në përputhje me kërkesat e kinezëve me mosha dhe interesa të ndryshëm."

Mrekulli
Lajmet Kryesore