"Ekonomia Gig": Punësim i shumëllojshëm, e ardhme e shumëllojshme

2019-04-30 14:14:33 CRI Komenti juaj Printoni

Modeli i ri i punës i "Ekonomisë Gig" po përhapet në gjithë globin. Fotografë, dizenjues, përkthyes të pavarur dhe profesionistë të tjerë të lirë, kanë filluar të çlirohen nga modeli tradicional i organizimit të biznesit, në kërkim të një të ardhmeje më të shumëllojshme.

Çlirimi nga marrëdhëniet fikse të punës

Para se të niste biznesin e vet në 2008, Yuan Wenming-u kishte punuar 10 vjet në një studio fotografike. Në atë kohë, pasi fotografonte klientët, ai lante fotot në dhomën e errët. 10 vjet më vonë, kur kjo industri hyn në erën digjitale, Yuan u çlirua nga oraret dhe vendi i caktuar i punës, hapi studion e vet dhe filloi të kërkonte punë me kohë të pjesshme, duke nis kështu karrierën si i vetëpunësuar.

Kudo në botë, fotografi është një profesion vetëpunësimi tipik. Sipas statistikave të vitit 2015 të platformës "LinkedIn China", fotografët, dizenjuesit dhe përkthyesit e pavarur zinin pjesën më të madhe të përdoruesve të regjistruar që e quanin veten si "të vetëpunësuar" në këtë platformë. Zakonisht, të ardhurat e fotografëve në profesion të lirë varen kryesisht nga lidhjet shoqërore dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore që kanë ata. Yuan Wenming-u ka studion e vet në Pekin, një treg i madh, dhe me rekomandimin e klientëve të vjetër, gradualisht po e zgjeron biznesin e vet.

Por faktikisht, fotografët janë brenda një procesi jo të efektshëm industrial. Pas fotografimit, kohën më të gjatë ata e shpenzojnë në përpunimin e fotove e videove me softuerë. "Një herë isha shumë i zënë pas fotografimit e nuk arrita të kryeja përpunimin pas gjysmë muaji për klientin. As kohë për të përzgjedhur fotot më të mira nuk kisha," kujton Yuan Wenming-u.

Këto çështje që shqetësojnë Yuan Wenming-un janë gjithashtu probleme që Cao Yumin-i dëshiron t'i zgjidhë. Para vitit 2011, Cao Yumin-i punonte jashtë vendit për një firmë shumëkombëshe si menaxhere. Pasi u kthye në Kinë, asaj i lindi dëshira për të bërë fotografi për fëmijët e vet dhe hyri në industrinë e fotografisë, si dhe krijoi studion e vet. Por, pasi filloi të merret me këtë biznes, ajo hasi shumë probleme. "Nuk është aq e efektshme sa e përfytyrojmë, as aq e bukur sa fotografitë vetë. Zbulova që fotografët janë të shqetësuar. Edhe klientët përjetojnë ankth në pritje, prandaj mendova të provoj t'i zgjidh këto çështje. "

Yuan Wenming (Piktura e marrë nga "Lifeweek")

Në vitin 2013, teknologjia e informatikës cloud filloi të përdoret gjithnjë e më gjerësisht. Bashkëshorti i Cao Yumei-i punonte në sektorin e teknologjisë së informacionit. Ata zbuluan se informatika cloud mund të zgjidhë kontradiktën midis ofertës dhe kërkesës. Kështu ata krijuan bashkë një platformë cloud, në të cilën fotografët mund të ngarkojnë fotografitë pa bërë asnjë përpunim dhe retushuesi i shkarkon dhe i përpunon ato. Njëkohësisht, klientët mund t'i shikojnë fotot e tyre. I gjithë proces kërkon vetëm disa minuta. Për klientët, një shërbim i tillë është pothuajse i barabartë me një shërbim "të drejtpërdrejtë".  

Në 2015-n ata filluan të promovojnë platformën "VPhoto" në treg dhe shtuan edhe shërbimet e rezervimit për fotografimin, që të lidhin drejtpërdrejt fotografët me klientët. Një proces i plotë që nga porositja, pranimi i porosisë deri në fotografimin dhe përpunimin, kryhet nëpërmjet platformës "VPhoto".

Yuan Wenming-u është pikërisht përfitues nga ky shërbim. Në shtatorin e kaluar, Yuan-i shkoi në muzeun "Luvër" të Parisit me zyrtarët e Federatës së Grave të Mongolisë së Brendshme për shfaqje me veshje popullore mongole. Atëherë, delegacioni publikoi informacion dhe një kod të reagimit të shpejtë përkatës në llogarinë e tyre në rrjetin social, ku mund të shikohej albumi me fotografitë e shfaqjes në rrjetin social me një vonesë kohore vetëm gati tre minuta. Bashkë me ripostimet e shikuesve, u regjistruan qindra mijë shikime, dhe informacioni i Yuan-it u bashkëngjit me albumin. Megjithëse pagesa për shërbimin e Yuan-it ishte vetëm 3800 juanë (afro 565 dollarë amerikanë), emri i tij u bë më i njohur.

Shndërrimi i tij u realizua jo vetëm falë teknologjisë cloud, por edhe retushuesit të fshehur pas ekranit. Cao Yunmin-i thotëË "Retushuesit e gjithë botës mund të kryejnë punë në platformën tonë duke qëndruar në shtëpi." Sipas një studimi të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit Nankai të Kinës, një platformë e tillë po nxit shndërrimin e thellë të dosmodoshmërisë së vendit dhe orarit të caktuar të punës. Një numër i madh kompanish të internetit kanë filluar transformimin nga modeli tradicional i organizimit "Ndërmarrje-të punësuar" në modelin "Platformë-individë".  

Cao Yunmin, themeluese e platformës "VPhoto"

Josha e "punës me kohë të pjesshme"

"Me kohë të pjesshme" ("part-time") është një shprehje e përhapur tani. Kërkimet përkatëse në vitet e fundit paraqesin një koncept të ri: "Ekononomia Gig". "McKinsey & Company" shtjellon që "Ekonomi Gig" do të thotë një fushë ekonomike e përbërë prej të vetëpunësuarve që nuk kanë ngarkesë të madhe pune, që lidhin kontratë në internet ose nëpërmjet aplikacionit në celular. Sipas të dhënave përkatëse, përqindja e të punësuarve që merren me "Ekonominë Gig" në numrin e përgjithshëm të të punësuarve është rritur nga 10% në vitin 2005 në 16% në 2015-n.

Ndoshta ilustratori Wang Yunfei përputhet më shumë me kuptimin e "të punësuarit me kohë të pjesshme" sesa Yuan Wenming. Ai është partner në një kompani, prandaj puna zyrtare e tij është në këtë kompani. Por pas punës, ai merr një identitet tjetër, atë të "VIP"-it në uebsajtin e dizenjimit "ZCOOL".

Pas punës në darkë, Wang lexon e-mailet e tij private, shumë prej të cilave kërkojnë bashkëpunim. Ai u përgjigjet atyre për të cilat ka interes, dhe pastaj fillon të pikturojë sipas porosive të mëparshme që ka kontraktuar. Çdo muaj, Wang merret me dy ose tre kontrata, gjë që jo vetëm i shton të ardhurat, por edhe ngre popullaritetin e tij brenda sferës së dizenjuesve. Për Wang-un, një model i tillë pune jo vetëm nuk ndikon mbi punët e tij kryesore, por i sjell mundësi të reja për karrierën.

Me kalimin e kohës, Wang-u ka nxjerrë vepra të shquara dhe ka marrë titullin "Dizenjues i rekomanduar" i vitit 2011 në ZCOOL. Ndërkohë, janë shtuar adhuruesit e tij. Me ekspozimin e vazhdueshëm të veprave të tij, ai ka më shumë raste për bashkëpunime biznesi. Fillimisht, ai merr porosi vetëm nga ndërmarrjet e vogla, por kjo gjë nuk e shqetëson Wang-un. Në vitin 2016, ZCOOL nxori platformën e re për kurset e arteve të bukurave në internet, dhe Wang-u ishte lektor i ftuar në këtë platformë. Kursi i tij, "Të mësosh nga Wang Yunfei për ilustrimin me rrathë", ka marrë më shumë se 700 porosi, dhe kursi kushton 98 juanë (afro 15 dollarë amerikanë).  

Biznesi ka "hundë të mprehtë". Në janarin e vjetshëm, dega e kompanisë "HP" në Pekin bashkëpunoi me Wang Yunfei-n në një samit të kompanisë. Aty, Wang ilustroi një pikturë me produkte të kompanisë "HP". Më vonë, ai ka bashkëpunuar edhe me "Lenovo"-n dhe "Volkswagen"-in.  

Wang Yunfei thotë që tani ka më shumë zgjedhje për të, në krahasim me dekadën e mëparshme kur sapo filloi punë. Në atë kohë, pas diplomimit, punësimi në shtëpi botuese ose media ishte e vetmja rrugë, përndryshe, do të duhej të merrej me profesione të tjera. Tani, përveç porosive jashtë punës, Wang merr pjesë edhe në konkurset më të famshme të dizenjimit, duke vazhduar rolin e tij në ZCOOL në ilustrues dhe lektor.

站酷创始人、CEO梁耀明

Liang Yaoming, themeluesi i "ZCOOL-it"

E ardhmja e shumëllojshme

Yuan Wenming-u mendon se të paktën në të ardhmen e afërt, ka mundësi të mira për një model të tillë: "Kam filluar 'live-show' me piktura nga viti 2016. Pothuajse kanë kaluar tre vjet, por shumë kolegë ende nuk janë njohur me këtë model, prandaj është një treg i madh."  

Viti 2018 ishte një vit shumë i ngarkuar për Yuang-un; ai kreu mbi 400 porosi. Para se të niste biznesin e "live-show" me foto, brenda një viti, ai merrte e shumta rreth 100 porosi. Vetë kompania e tij ka vetëm dy punonjës zyrtarisht, ndërsa bashkëpunon me gati 100 punonjës me kohë të pjesshme.

Kompania "Deloitte" ka publikuar në vitin 2016 "Raportin për prirjen globale të kapitalit njerëzor", sipas të cilit, 51 % e menaxherëve të lartë të kompanive planifikojnë të shtojnë brenda 3-5 vjetëve ose të rrisin në përmasa të mëdha numrin e të punësuarve me kohë të pjeshme, dhe vetëm 16 % e tyredëshirojnë ta ulin këtë numër. Në raportin vjetor 2018 të "Deloitte", 23 % e pyeturve u shprehën se brenda të punësuarve ka një numër të madh që i përket kategorisë së punësimit të lirë.  

"Deloitte" nxori këtë përfundim: "Marrëdhëniet tradicionale të punës po zëvendësohen me sistemin e ri të shumëllojshëm. Kompanitë duhet të kenë njohuri si të tërheqin llojet e ndryshme të punonjësve dhe të vendosin marrëdhënie të mira me ta, pasi në këtë ekosistem, jo të gjithë punonjësit i njohin marrëdhëniet e tilla të punës."

Kolumnisti i gazetës "Financial Times" Tim Harford ka thënë se, për optimistët, "me kohë të pjesshme" nënkupton që mund të thuash shefit "Jo", të kesh liri dhe të mos bëhesh skllav i rrogës, kurse për pesimistin, paqëndrueshmërinë e jetës, mungesën e pensionit ose të sigurimeve mjekësore.  

Diane Mulcahy, autore e librit "Ekonomija Gig"

Diane Mulcahy, autore e librit "Ekonomia Gig", jep sugjerimet e saj për këto shqetësime: "Shumëllojshmëria është normaliteti i ri i 'Ekonomisë Gig'. Punët e shumëllojshme mund të ulin rrezikun, të krijojnë raste të reja, të zgjerojnë rrethin e miqve dhe të mësojnë zanatet e reja." Ajo citoi një punëtor me kohë të pjesshme: "Faktikisht, ndihem më i sigurt sesa 95 % e miqve të mi, sepse jam i tipit të shumëllojshëm. Përvit kam 10-20 burime të ardhurash, prandaj nëse një prej tyre zhduket, nuk do të shqetësohem."

(Wang Xianya)

(Pikturat janë marrë nga interneti.)

Mrekulli
Lajmet Kryesore