Pekin, ekonomia e re kultivon energji të re

2019-04-09 15:29:47 CRI Komenti juaj Printoni

Në zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë, ekonomia e re është konsideruar si një gjendje ekonomike inteligjente, ku dija novatore zë vendin kryesor, dhe kjo është arsyeja që Kina po përpiqet për një zhvillim të vazhdueshëm, të shpejtë dhe të shëndetshëm të ekonomisë.

Në Pekin, me ristrukturimin e funksioneve të tregut vendor dhe zhvendosjen e sektorëve të prapambetur, po këmbëngulet që të kontrollohet shtimi i sektorëve të rinj dhe të zhvendosen sektorët e vjetër. Ndërkohë, është rishikuar lista e ndalimit dhe e kufizimit për shtimin e sektorëve dhe në vitin 2018 janë zhvendosur 656 ndërmarrje të prodhimit të zakonshëm.

Si një metropol me kulturë të lashtë, Pekini tani po ndryshon modelin e zhvillimit nga rritja me grumbullim të burimeve në zhvillimin me decentralizim të funksioneve të vjetra, me synim që të ofrohet garanci më e fortë për zhvillimin ekonomik me cilësi më të mirë. Sipas një shprehjeje kineze, kjo mënyrë është si "ndryshimi i kafazit për zogun e ri".

Zv.kryetarja e Komisionit për Zhvillimin dhe Reformën të Pekinit, Li Sufen, thotë:

"Me pakësimin e pandërprerë të ngarkesës dhe vëllimit të prodhimit, do të nxitet zhvendosja e pandërprerë e sektorëve me cilësi të ulët e joefikasë dhe kështu do të aktivizohen burimet që nuk shfrytëzohen mirë. Këta dy vjetët e fundit, në mbarë Pekinin janë zhvendosur 1307 ndërmarrje të prodhimit të zakonshëm dhe 500 tregje e qendra logjistike, duke krijuar hapësirë të çmuar për sektorët me nivel të lartë prodhimi. Në ndërmarrjet e krijuara në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve të shërbimit të informacionit dhe të teknologjisë arriti në mbi 70 mijë, afro 4 % e numrit të përgjithshëm. Vëllimi i kapitalit të regjistruar arriti në mbi 730 miliardë juanë, 13.5 % më shumë se një vit më parë. Sektori i shërbimit ka kontribuuar për mbi 60 % të rritjes ekonomike të qytetit."

Fabrika e inovacionit E9, që ndodhet në Pekinin Lindor, ka qenë fabrika e produkteve të qumështit "Shuangqiao", që më vonë u ndryshua në fabrikën ushqimore dhe të produkteve të qumështit "Sanyuan". Në vitin 2012 kjo fabrikë u zhvendos dhe në vitin 2014 u shndërrua në një park industrial kulturor dhe teknologjik. Deri tani këtu janë futur mbi 80 ndërmarrje. Tre prej tyre janë me teknologji të posaçme moderne, 40 janë të risive kulturore dhe 30 janë teknologjike.

Në E9 ka një kompani të teknologjisë së lartë, GEO. Kryetarja ekzekutive e kompanisë Cui Jingjing shprehet që GEO ofron shërbime teknologjike nëpërmjet të dhënave të mëdha dhe platformave të inteligjencës artificiale.

"Ne bëjmë analizë mbi të dhënat dhe shfrytëzojmë inteligjencën artificiale, si identifikimi i zërit e i pamjes, dhe i përdorim këto në fushën financiare, si kredidhënie, madje në menaxhimin e pasurive, vlerësimin e pronave, caktimin e çmimit të pasurive etj. Në Kinë ka afro 65 milionë ndërmarrje të vogla dhe mikrondërmarrje. Shumë prej tyre nuk kanë marrë mjaft mbështetje me fonde dhe shërbime financiare. Ne bëjmë vlerësim mbi biznesin e tyre nëpërmjet të dhënave dhe u ofrojmë atyre shërbime të përshtatshme financiare, si shërbim me inteligjencë artificiale, dhe ulje të kostos në menaxhim," shpjegon Cui Jingjing-u.

Në Pekin ka edhe shumë zona dhe parqe si E9, të ngritura mbi bazën e fabrikave të dikurshme. Këto fabrika vlerësohen si një kujtim i rëndësishëm për kulturën e qytetit dhe ndryshimi i këtyre fabrikave të vjetra është një pjesë e "ndryshimit të kafazit për zogun e ri". Gjatë këtij procesi të "thyrjes" dhe "krijimit", Pekini ka realizuar ndryshimin e modelit të prodhimit nga faza tradicionale dhe fazën moderne teknologjike. Gjatë këtij procesi po ndërrohet modeli i vjetër i zhvillimit ekonomik në një model të ri modern dhe ekonomia e re përbën një pjesë më të madhe në rritjen ekonomike të qytetit.

Zv.kryetari i Bashkisë së Pekinit Lin Keqiang u shpreh:

"Në vitin 2018, ekonomia e re zuri 33.2% të GDP-së, vlera e shtuar e ndërmarrjeve të prodhimit me teknologji të lartë me të ardhura vjetore prej mbi 20 milionë juanësh u rrit me 13.9%, vlera e shtuar e informacionit elektronik dhe e prodhimit të ilaçeve shënuan përkatësisht rritje me 15.2% dhe 16.2%. Financa, shërbimi i informacionit dhe shërbimi teknologjik kanë kontribuuar për 67% të rritjes ekonomike të qytetit. Si qendër kombëtare kulturore, Pekini ka shtuar mbrojtjen e elementeve historike dhe kulturore, duke shpejtuar integrimin tekniko-shkencor dhe kulturor. Tani janë regjistruar 33 parqe të inovacionit kulturor dhe vjet ndërmarrjet kulturore me të ardhurat prej mbi 20 milionë juanësh arritën të ardhura me vlerë 1 trilion juanë."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore