Ligji i investimeve të huaja i Kinës do të nxitë hapjen me nivel të lartë

2019-03-19 15:14:59 CRI Komenti juaj Printoni

Sesioni i 2-të i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës ka miratuar "Ligjin e investimeve të huaja". Si një ligj bazë për investimet e huaja në Kinë, ky ligj përcakton kornizën bazë të legjislacionit për investimet e huaja, duke bërë rregullime të integruara për hyrjen, nxitjen, mbrojtjen dhe menaxhimin e investimeve të huaja. Ky është një ligj që përsos dhe rinovon sistemin ligjor të investimeve të huaja në Kinë.

Qysh nga fillimi i Reformës dhe Hapjes, Kina ka formuar gradualisht sistemin ligjor për investimet e huaja, që njihet si "3 ligjet për investimet e huaja": ligji i ndërmarrjeve me investime të përbashkëta, ligji i ndërmarrjeve në bashkëpunim dhe ligji i ndërmarrjeve të huaja. Këto tre ligje kanë ofruar garanci efektive ligjore për zgjerimin e hapjes së tregut dhe shfrytëzimin e investimeve të huaja. Por, me thellimin e pandërprerë të Reformës dhe Hapjes në epokën e re, këto tre ligje nuk mund të përmbushin të gjitha kërkesat për sistemin e ri të ekonomisë së hapur. Për këtë arsye, ishte e domosdoshme që të hartohej një ligj bazë i integruar për investimet e huaja.

"Ligji i investimeve të huaja" ndryshon nga "3 ligjet për investimet e huaja". Sipas tij, investimet e huaja do të kenë trajtim kombëtar para hyrjes në treg, do të përdoret "lista negative" dhe do të anulohet modeli i menaxhimit me shqyrtim të të gjitha çështjeve. Fushat dhe sektorët ku nuk lejohen investimet e huaja do të përfshihen qartë në "listën negative" dhe jashtë kësaj liste do të ketë hapje në mënyrë të plotë dhe investimet vendëse e të huaja do të kenë të njëjtin trajtim.

Kjo do të thotë që, përveç sektorëve të përfshirë në "listën negative", investitorët e huaj nuk do të kenë më shumë kufizime e pengesa se ata vendas dhe investitorët nga brenda e jashtë Kinës do të konkurrojnë në të njëjtën platformë dhe në mënyrë të barabartë. Krahas këtyre, investitorët e huaj mund të përdorin faktorët e prodhimit dhe të futen në tregun kinez në mënyrë të barabartë.

Kështu, shumë sektorë vendorë do të përballojnë konkurrencë të drejtpërdrejtë nga homologët e huaj dhe hyrja e investimeve të huaja në tregun kinez do të shkaktojë të ashtuquajturin "efekt të peshkut mustak", duke i detyruar ndërmarrjet vendëse të rinovojnë teknologjitë e tyre dhe të nxisin modernizimin e sektorëve përkatës. Në këto kushte, ndërmarrjet vendëse duhet të ruajnë qetësinë dhe të zotërojnë aktivisht koncepte dhe teknologji moderne nga jashtë. Anëtarësimi i Kinës në OBT ka treguar që hyrja e investimeve të huaja nuk e ka goditur rëndë tregun kinez, por ka nxitur lindjen dhe lulëzimin e një sërë markash vendase dhe zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë kineze.

Krahas "listës negative", do të krijohet një mjedis më i mirë për të tërhequr investimet e huaja dhe kjo po bëhet prirja e re e hapjes së Kinës ndaj botës së jashtme. Sipas nenit 22 të kapitullit 3 të "Ligjit të investimeve të huaja", gjatë procesit të investimeve, kushtet e bashkëpunimit teknologjik do të përcaktohen nëpërmjet bashkërendimit të palëve sipas parimit të barazisë dhe organet administrative e punonjësit nuk mund të detyrojnë transferimin e teknologjisë me masa administrative. Kjo tregon që Kina është serioze që të përmirësojë mjedisin e biznesit. Në fakt, përmirësimi i mjedisit të biznesit ka pasur efekte të dukshme. Në tetor 2018, Banka Botërore publikoi "Raportin për mjedisin e biznesit 2019: Trajnim për reformë", ku tregohet që Kina është ngjitur nga vendi i 78-të në vendin e 46-të në renditjen globale të mjedisit të biznesit.

"Ligji i investimeve të huaja" në fakt është një ligj bazë dhe nenet e tij janë kryesisht dispozita parimore. Megjithëse politikat dhe premtimet janë shumë të vendosura e të qarta, duke shërbyer si garanci për investitorët e huaj, tani ende nuk është shumë e qartë se si do të zbatohen këto masa në mënyrë të hollësishme. Gjithashtu, investitorët e huaj i kushtojnë vëmendje të madhe transparencës, parashikueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së ligjit. Kështu që sektorët përkatës duhet të bëjnë një punë më të madhe plotësuese dhe detajuese për zbatimin e këtij ligji, duke hartuar më shumë akte nënligjore dhe duke krijuar lidhje më efektive mes këtij ligji dhe ligjeve ekzistuese.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore