Jia Jinfeng-u, biznesmenia e veshjeve për fëmijë të bëra me dorë

2019-03-19 15:13:38 CRI Komenti juaj Printoni

Përgjatë 15 vjetëve të fundit, një sipërmarrëse nga provinca Hebei në veri të Kinës ka ndihmuar më shumë se 500 banorë nga 20 fshatra të arrijnë begatinë, duke shitur produkte për foshnja të prodhuara në këto fshatra.

Jia Jinfeng-u ka lindur në vitet '80 të shekullit të kaluar në një familje bujqish në kontenë Tangxian, e cila ndodhet në thellësi të malit Taihang.

Tangxian-i ka qenë një konte e varfër në nivel kombëtar në Kinë, ku bujqësia ka qenë veprimtaria kryesore. Sa herë shihte prindërit e saj duke u lodhur gjatë gjithë ditës në arë për të nxjerrë bukën e gojës, Jia Jinfeng-u donte shumë të gjente një mënyrë për ta lehtësuar barrën e familjes së saj.

Ajo mësoi për platformën e tregtisë në internet "Taobao" nga një revistë kur ishte studente në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Hebei në vitin 2004. Modeli i dyqanit në internet e tërhoqi mjaft.

Jia Jinfeng-u bleu një kompjuter e një aparat fotografik digjital me para të marra borxh dhe hapi një dyqan në internet. Kjo e ndihmoi të paguante tarifat e universitetit, si edhe i mundësoi motrës së saj të përfundonte shkollën e mesme teknike në Shijiazhuang, qyteti ku ishte edhe universiteti i Jia Jinfeng-ut.

Në vitin 2009, Jia, tashmë e martuar dhe në prag të lindjes së fëmijës, bleu në internet me 100 juanë një batanije të vogël për foshnjën e ardhshme. Por kur e mori batanijen kuptoi se nuk ishte aq e mirë sa ajo që e ëma kishte bërë me dorë për të.

Një gjë e tillë e nxiti të fillonte biznesin e tregtimit të produkteve të bëra me dorë për foshnja. Ajo planifikoi të ndërtonte një punishte dhe të përgjigjej vetë për shitjen e produkteve në internet.

Me ndihmën edhe të të afërmve, Jia Jinfeng-u investoi për ndërtimin e punishtes në vendlindjen e saj në vitin 2011. Fshati i saj është afër një autostrade dhe rrotull ka mjaft fshatra të tjetër ku gjen shumë gra të afta në zejtari.

Për të përfshirë sa më shumë gra në moshë të mesme dhe të moshuara në biznesin e vet, Jia i lejoi ato që të punonin në shtëpi, ndërkohë që vendosi mikrobusë në orar të caktuar për të sjellë në punishte punonjëset më të reja në moshë.

Jia ftoi një stilist për përditësimin e produkteve, duke aplikuar për një patentë kombëtare, si edhe punësoi talente për të ngritur një qendër marketingu në kryeqendrën e provincës Hebei, Shijiazhuang, e specializuar në krijimin e rrjetit të tregtimit, zhvillimin e tregut, dizajnin e produkteve dhe punë të tjera.

Falë platformave të konsoliduara të marketingut, këto produkte të prodhuara me dorë shpejt e zgjeruan tregun dhe kompania që kishte krijuar tashmë Jia Jinfeng-u mori një sasi të madhe porosish nga i gjithë vendi.

Cilësia e produktit përcakton suksesin ose dështimin e një kompanie, për më tepër, ajo pasqyron karakterin e një njeriu, beson Jia. Prandaj, kompania e saj ka caktuar punëtorë për të kontrolluar cilësinë e produkteve dhe për të mbajtur shënime të hollësishme për mallrat, që të sigurojnë që produktet e dëmtuara të ndalohen të hyjnë në treg.

Kompania ka krijuar markën e vet, të quajtur "Longzhihan", dhe ka 13 dyqane në platforma të ndryshme të tregtisë në internet, duke përfshirë "Tmall", "Taobao" e "Jingdong". "Longzhihan" është renditur mes tre markave kryesore të veshjeve për fëmijë në "Tmall" për tre vjet rresht dhe ka marrë titullin "Markë e famshme tregtare e provincës Hebei".

Jia Jinfeng-u ka krijuar dhe ka vënë në punë tashmë një punishte të re në fshatin e saj. Ajo gjithashtu po studion aktivisht tregjet e huaja dhe produktet e kompanisë së saj tashmë janë eksportuar në Evropë, por Jia Jinfeng-u synon zgjerimin edhe në kontinente të tjera.

"Ashtu si një fëmijë që mëson të ecë, edhe unë kam qenë në ndryshim dhe në përmirësim të përhershëm përgjatë gjithë rrugës, duke përmirësuar edhe jetën e shumë të tjerëve. Mendoj se kjo është kënaqësia e vërtetë që ndien një sipërmarrës", shprehet e lumtur Jia Jinfeng-u.

Mrekulli
Lajmet Kryesore