Kush është trilluesi i "kurthit të borxhit"?

2019-03-12 14:33:58 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, disa vende perëndimore dhe mediat e tyre fabrikojnë me forcë të madhe idenë që disa vende në zhvillim kanë ngecur në të ashtuquajturin "kurth borxhi", duke krijuar thënien e "kurthit të borxhit nga Kina".

Sigurisht, thëniet që e lidhin "kurthin e borxhit" me nismën "Një brez, një rrugë" janë një ngatërresë tipike. Për një kohë të gjatë, politikanët dhe mediat perëndimore kanë përdorur shpesh metoda të tilla ndaj vendeve joperëndimore, duke i trajtuar politikën ndërkombëtare dhe rendin ekonomik botëror me mendësinë e Luftës së Ftohtë, me qëndrim hegjemonist dhe me konceptin e lojës ku fituesi merr gjithçka. Këto veprime bëhen në emër të demokracisë, lirisë, objektivitetit e drejtësisë, por thelbi i tyre zakonisht është ngatërrimi i së zezës me të bardhën dhe shpërfillja e fakteve.

Së pari, disa vende në zhvillim në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, me barrë të rëndë borxhesh, kanë një sfond historik dhe gjendje aktuale të ndërlikuar. Borxhet e tyre janë jo vetëm një problem ekonomik dhe financiar, po ato janë krijuar nga një rend i padrejtë dhe i paarsyeshëm i ekonomisë ndërkombëtare. Në këtë rend ekonomik, sistemi monetar ndërkombëtar ka dollarin amerikan si thelb, sistemi i prodhimit është monopol i shumëkombësheve dhe sistemi tregtar ka si veçori shkëmbimet e pabarabarta. Vendet e zhvilluara e shfrytëzojnë këtë rend të vjetër për t'ua kaluar barrën e krizave dhe vështirësive vendeve në zhvillim, duke dëmtuar rëndë zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Po të flasim haptas, vendet e zhvilluara perëndimore që fabrikojnë thënien e "kurthit të borxhit", janë nismëtarët e vërtetë dhe autorët kryesorë të këtyre borxheve.

Së dyti, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i nivelit të jetesës është detyra më e ngutshme për vendet në zhvillim. Projektet në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" janë kryesisht infrastrukturore, duke u sjellë zhvillim dhe shpresë vendeve përkatëse. Fakti është që niveli i ndërtimit infrastrukturor përcakton potencialin ekonomik dhe mundësinë për uljen e varfërisë. Në vitin 2018, në një intervistë për gazetarin e CNN-it Richard Quest, presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta tha që "borxhi i Kenias është përdorur për të pakësuar hendekun infrastrukturor. Pas 10 vjetësh, do të kemi rrugë dhe hekurudha të reja. Të gjitha këto do të ndihmojnë në zhvillimin e biznesit dhe do të krijojnë raste punësimi për brezin e ri të vendit."

Sipas të dhënave statistikore, nga viti 2012 deri në 2017, Kina dhe vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë pasur arritje të dukshme infrastrukturore. Janë vënë në funksionim hekurudhat Adis-Abeba - Xhibuti dhe Mombasa - Najrobi dhe janë në ndërtim hekurudhat Kinë - Laos, Kinë - Tajlandë, Xhakartë - Bandung dhe Budapest - Beograd. Ndërkohë, parku industrial Kinë-Bjellorusi, zona e veçantë ekonomike në portin Sihanoukville të Kamboxhias dhe Zona e Bashkëpunimit Tregtar e Suezit Kinë-Egjipt janë bërë projekte model të nismës "Një brez, një rrugë", ndërsa portet e Hambantotës në Sri-Lankë, Gwadar-it në Pakistan dhe Pireut në Greqi po funksionojnë mbarë. Këto projekte kanë krijuar 244 mijë vende pune dhe në kuadër të tyre janë paguar taksa prej 2.01 miliardë dollarësh amerikanë.

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore