Projekti i qëndisjes ndihmon gratë e varfra të pakicave kombëtare

2019-03-12 14:28:09 CRI Komenti juaj Printoni

Në provincën jugperëndimore të Kinës Guizhou jetojnë pjesëtarë të kombësive të ndryshme. Paraardhësit e tyre kanë krijuar një kulturë të larmishme popullore dhe zeje tradicionale. Sidoqoftë, popullariteti i këtyre të fundit, duke përfshirë edhe qëndisjen e endjen, ka qenë në rënie gjatë viteve të fundit. Mjeshtëritë karakteristikë të kombësive tani shihen rrallë në jetën e përditshme. Ndërkohë, Guizhou është një provincë me një numër të madh të varfrish. Në zonat rurale të saj jetojnë më shumë se 3.7 milionë njerëz të varfër, mbi 2 milionë prej të cilëve gra dhe fëmijë.

Autoritetet e provincën Guizhou filluan në vitin 2013 një projekt, të quajtur "Plani i qëndisjes", me synim ndihmën në mbrojtjen e mjeshtërive tradicionale të zejtarisë që janë në prag të humbjes. Projekti synon gjithashtu të ndihmojë gratë e varfra të përmirësojnë aftësitë e tyre për të krijuar produkte zejtarie dhe për punuar në shtëpitë e tyre ose pranë shtëpive të tyre dhe për t'i ndihmuar ato që të shpëtojnë nga varfëria. Projekti gjithashtu ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet që të prodhojnë e tregtojnë punime zejtarie të bëra me dorë.

"Ne kemi krijuar një regjistër për gratë e varfra në Guizhou. Në vitin 2016, rreth 10 100 gra në këtë regjistër dolën nga varfëria. Një grua që zotëron mirë mjeshtërinë e qëndisjes mund të fitojë rreth 30 000 juanë (afro 4 500 dollarë) në vit. Kjo shifër është pesë herë më shumë sesa të ardhurat mesatare të një fermeri në Guizhou. Ne planifikojmë të përfshijmë 600 000 gra në sektorin e zejtarisë deri në vitin 2020 dhe të udhëheqim 1.5 milionë gra në rrugën e shpëtimit nga varfëria", thotë Yang Ling, kryetare e Federatës së Grave të provincës së Guizhou-t.

Shumica e banorëve në Rongjiang, një konte në prefekturën autonome të kombësive miao dhe dong Qiandongnan, u përkasin pakicave kombëtare, jo vetëm miao dhe dong, por edhe shui dhe yao. Pothuajse të gjitha familjet aty kanë çikrikë për tjerrje dhe të gjitha gratë janë të afta në qëndisje, endje dhe bërjen e pikturave me dyll të shkrirë.

Gratë në fshatrat e kontesë jetojnë duke shitur qëndismat dhe pëlhurat e punuara me dorë prej tyre, si turistëve, ashtu edhe në tregjet e qyteteve të mëdha të Guizhou-t, si Guiyang dhe Kaili. Kjo ka bërë të mundur që ato të marrin porosi nga kompanitë në qytete. Tani është e zakonshme që gratë në Qiandongnan të mblidhen së bashku jashtë shtëpive të tyre, për të përfunduar porositë nga klientët në qytetet e mëdha. "Projekti 'Plani i qëndisjes' i ka ndihmuar gratë, burrat e të cilave kanë shkuar në qytete për të punuar, ose ato gra që më parë kanë shkuar vetë për të punuar në qytete dhe që janë kthyer, që të punojnë ose të fillojnë biznese në shtëpitë e tyre apo pranë shtëpive të tyre. Projekti i ka ndihmuar ato të rrisin të ardhurat dhe të shpëtojnë nga varfëria. Ai gjithashtu ndihmon nënat të kthehen në shtëpitë e tyre për të punuar dhe për të rritur fëmijët e tyre, si dhe parandalon që të moshuarit të jenë të vetmuar", thotë Chen Xiaoqiong, kryetare e Federatës së Grave të prefekturës autonome të kombësive miao dhe dong Qiandongnan.

Ndërsa Jiang Laoben-i, një grua nga fshati Baibei i Rongjiang-ut, shprehet: "Në të kaluarën, gratë tona të kombësisë miao qëndisnin vetëm për të bërë rroba të bukura. Por tani qëndismat janë mjeti për t'i bërë të pasura familjet tona."

Ndërsa Lai Shuqin-i, një grua e kombësisë dong po nga Rongjiang, thotë: "Më parë shkova në qytetin Guangzhou të Guangdong-ut për të punuar. I lashë fëmijët e mi në shtëpi dhe isha gjithnjë në merak për ta. Por tani jam kthyer dhe jo vetëm jam pranë fëmijëve të mi, por edhe fitoj para duke qëndisur në shtëpi".

Gratë qëndistare të Qiandongnan-it e vlerësojnë lart projektin. "Në vitet e fundit, shumë të rinj të fshatrave tona kanë shkuar për të punuar në qytete. Vetëm pak vajza dëshirojnë të qëndrojnë në fshat e të merren me qëndisje. Jam e shqetësuar se mjeshtëria e qëndisjes e kombësisë sonë do të humbasë në të ardhmen. Projekti ndihmon në mbrojtjen dhe nxitjen e mjeshtërisë së qëndisjes", thotë Ou Junmei, një grua e kombësisë miao.

Disa prej grave nuk mjaftohen vetëm me bashkëpunimin me kompanitë. Ato po përpiqen të krijojnë një platformë të gjerë shitjesh dhe disa kanë dyqane në internet, nëpërmjet të cilave shesin qëndismat dhe copat e endura me dorë prej tyre. "Produktet tona me cilësi të lartë shiten shumë. Ne mund t'i shesim ato nëpërmjet dyqaneve tona në internet me një çmim të mirë", thotë Yang Chunyi, një grua e kombësisë miao.

Tashmë mund të thuhet se gratë e pakicave kombëtare në Guizhou me anë të qëndisjes nuk po zbukurojnë vetëm veshjet, por edhe jetët e tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore