Si është gjendja ekonomike e Kinës në vitin 2019

2019-03-05 16:51:21 CRI Komenti juaj Printoni

Në forumin ndërkombëtar financiar të Shangait të zhvilluar në janar 2019, eksperti i ekonomisë pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, Xia Bin, mbajti fjalim, ku shprehu mendimet e tij për gjendjen ekonomike të Kinës në vitin 2019. Në vijim është përmbajtja kryesore e këtij fjalimi.

Parashikimet e mëparshme

Në forumin e kryeekonomistëve të zhvilluar në janar të vitit 2017, kam thënë që logjika e rregullimeve të ekonomisë kineze në vitin 2017 nuk ka ndryshuar. Përse? Paraqita katër arsye, duke u fokusuar në dy prej tyre: së pari, një vend kaq i madh kërkon një proces të vështirë për rregullimin e tregut dhe duhen së paku 2-3 vjet. Së dyti, gjendja ekonomike nuk kishte perspektivë të mirë për investimet private. Nëse nuk zgjidhet ky problem, rregullimi do të jetë shumë i vështirë.

Në forumin e vitit 2018, përsërita këto fjalë, duke thënë se logjika e rregullimeve ekonomike në 2018-n ende nuk ka ndryshuar, sepse problemet janë mbledhur prej shumë vjetësh dhe zgjidhja kërkon një periudhë afatgjatë. Për punët ekonomike, kemi dëgjuar shumë mendime dhe koncepte të reja, por sipas meje, logjika thelbësore e zhvillimit ekonomik nuk ka ndryshuar. Duhet të shfrytëzojmë fort dy faktorë kyçë: ekonominë reale e financën monetare. Gjatë procesit të regullimeve duhet të gjejmë një pozicion të përshtatshëm mes rritjes të qëndrueshme dhe parandalimit të rreziqeve.

Si është gjendja në 2019-n?

Gjendja në vitin 2019 është më e ndërlikuar dhe më e ashpër. Do të përballojmë më shumë presion rënieje. Ky është një mendim unanim nga palët. Kyçi është si dhe me çfarë politikash ta përballojmë?

Qysh nga viti 2016, kemi filluar reformën në fushën e ofertës dhe gjendja është bërë tani më e ndërlikuar se më parë. 2019-a është viti kyç dhe njerëzit kanë mendime unanime mbi presionet e rritura. Disa mendojnë që rritja do të jetë 6-6.5%, ndërsa disa e parashikojnë nën 6%. Në këto kushte, është e domosdoshme që të zbatohet parimi "Përparim në bazë të qëndrueshmërisë". Kështu, së pari duhet të merren masa stabilizuese për të parandaluar rënien e fortë dhe madje një rrezik sistemor. Dhe më pas, gjatë këtij procesi, do të rregullohet gradualisht struktura ekonomike dhe do të realizohet në fund shndërrimi i mënyrave të vjetra në motorë të rinj të ekonomisë. Kështu, ekonomia kineze do të futet në binarët e zhvillimit të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm. Kësaj gjëje qeveria qendrore i kushton rëndësi të madhe, duke paraqitur një kërkesë të gjithanshme për punët e ardhshme ekonomike: duhet të forcohet rregullimi në periudhën e rënies me makropolitika; duhet të forcohet ndërtimi i sistemeve të reja me politika strukturore; duhet të forcohet roli garantues dhe mbrojtës me politika shoqërore. Kjo në fakt është një kërkesë bazë për stabilitet ekonomik-shoqëror dhe balancimi i këtyre tre pikave do të jetë një sfidë e vështirë.

Duhet të stabilizohen së pari perspektivat e tregut

Pas mbledhjes së Byrosë Politike, në Mbledhjen Qendrore të Punës Ekonomike të zhvilluar në fund të vitit 2018, u theksua sërish që, për stabilizimin e ekonomisë kineze, duhet të arrihen "6 stabilizimet", pikërisht në punësim, financë, tregtinë e jashtme, investimet e huaja, investime dhe pritshmëritë e tregut. Unë mendoj që ndër këto "6 stabilizime", pritshmëritë e tregut janë pika kyçe dhe problemi i parë.

Nëse shohim nga perspektiva afatgjatë, pritshmëritë e tregut për ekonominë kineze nuk kanë problem. Ndër vendet e mëdha të botës, Kina ka nivel shumë të lartë të kursimeve dhe burimeve njerëzore të mbledhura gjatë 40 vjetëve të kaluar. Këto dy epërsi kanë siguruar rritjen afatmesme dhe afatgjatë. Krahas këtyre, sigurisht ka edhe përfitime nga reformat në sistemin e vjetër. Nga ana e kërkesës, në Kinë është formuar tregu i 2-të i konsumit në botë dhe një hendek i madh mes zonave urbane dhe rurale. Me këto elemente në fushën e ofertës dhe kërkesës, pritshmëritë e tregut për ekonominë kineze nuk kanë problem afatgjatë. Problemi është për periudhën afatshkurtër.

Unë mendoj që së pari, duhet të stabilizojmë gjendjen e përgjithshme ekonomike. Së dyti, me stabilizimin e gjendjes së përgjithshme, do të kemi më shumë kohë për zbatimin e reformave dhe rregullimeve. Së treti, mund të përballojmë zbatimin e masave administrative dhe përdorimin e masave të tregut. Por duhet të kuptojmë qartë që këto masa administrative stimuluese janë të përkohshme, kalimtare, dhe madje të detyrueshme. Nuk mund t'i përdorim këto masa për një kohë të gjatë.

Përse stabilizimi i pritshmërive është i pari? Sepse për stabilizimin e punësimit, financimit, duhet të stabilizohet ekonomia reale, tregtia e jashtme, investimet dhe investimet e huaja. Nëse nuk ka mjaft investime dhe tregti, nuk do të ketë punësim të qëndrueshëm. Nëse investimet e huaja pakësohen, një numër i madh ndërmarrjesh do të përballojnë vështirësi në financim dhe do të ketë vështirësi që të stabilizohet sistemi financiar.

Me një gjendje të ndërlikuar dhe të ashpër në vitin 2019, duhet të merren masa të forta, të cilat mund të kenë efekte të shpejta në mbrojtjen e kompanive private dhe zgjidhjen e vështirësisë së tyre. Kjo do të ndihmojë shumë në besimin dhe pritshmëritë e tregut. Në këtë mënyrë, do të stabilizohen tregu dhe besimi nga njerëzit, si dhe gjendja e përgjithshme. Kjo është linja thelbësore.

Me një fjali, duhet të kapim fort dhe të zbatojmë në mënyrë të vendosur reformat afatmesme e afagjata. Për periudhën afatshkurtër, duhet të fokusohemi te çështjet në interes të popullit dhe të përpiqemi të arrijmë rezultate të dukshme, për të inkurajuar besimin dhe pritshmëritë te tregu.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore