Yugouliang-u, fshati që lufton varfërinë me jogë

2019-03-05 16:51:15 CRI Komenti juaj Printoni

Një fushatën e luftës kundër varfërisë në Kinë janë shfaqur ndër të tjera edhe risi të ndryshme, një prej të cilave në një fshat të provincës Hebei. Kjo risi quhet jogë.

Fshati Yugouliang gjendet në kontenë Zhangbei, të cilën Zyra e Grupit Drejtues të Lehtësimit të Varfërisë dhe e Zhvillimit e Këshillit të Shtetit e ka përfshirë ndër dhjetë kontetë më të varfra të Kinës. Lu Wenzhen-i, një ish-administrator universiteti, mbërriti tre vjet më parë në Yugouliang me ato që i quan udhëzime të thjeshta: "Më thanë se objektivi im përfundimtar ishte të rrisja të ardhurat e familjeve të fshatit dhe të zhduknim varfërinë". Ai duhej t'i rriste të ardhurat e fshatarëve me 20 %, në 600 dollarë në vit.

Kur arriti Lu Wenzhen-i, ai ishte i shqetësuar se asgjë nuk mund ta ndryshonte gjendjen e Yugouliang-ut. "Fshati kishte mungesë uji dhe burimesh të tjera natyrore, prandaj ishte e vështirë të sillje ndonjë investim apo kapital në fshat. Mungesa e ujit bënte që gjithçka - rritja e bimëve, prodhimi - të varej nga forcat e natyrës. Nëse binte shi, njerëzit do të kishin për të ngrënë. Në fshat gjithçka dukej aq e pashpresë," shprehet Lu Wenzhen-i.

Yugouliang-u jo vetëm që kishte nevojë për para dhe burime, por gjërat vështirësoheshin më tej, sepse të rinjtë largoheshin për të kërkuar mundësi gjetkë, duke lënë prapa, siç thotë Lu Wenzhen-i, vetëm "të moshuarit e të sëmurët, që për të mbijetuar kujdeseshin për lopët e delet e tyre dhe punonin atë pak tokë që kishin."

E megjithatë, ai erdhi në Yugouliang me ambicien për ndryshim.

Lu Wenzhen-i provoi në fillim të shiste patatet që prodhonte fshati në aplikacionin mjaft të popullarizuar në Kinë, "WeChat", dhe gjeti blerës, por ishte një biznes që nuk mund të vazhdonte. Kostot e transportit ishin të larta për një produkt të prodhuar 310 kilometra larg Pekinit.

Por krejt papritur atij i lindi një ide tjetër se si mund të pasurohej fshati. Ishte një ide e rrallë, që në fillim në të vërtetë synonte thjesht përmirësimin e shëndetit të fshatarëve, por bashkë me këtë doli se mund të ishte e dobishme edhe për të rritur të ardhurat e tyre. Lu Wenzhen-i pa një herë një banore të fshatit në të 60-tat që po qëndronte me këmbë të kryqëzuara për një kohë të gjatë në një të ashtuquajtur "shtrat të gurtë" në prag të shtëpisë së saj. Lu Wenzhen mendoi që fshatarët mund të merreshin shumë mirë me jogë, pasi shumë prej atyre që kishin mbetur kishin probleme shëndeti. Por kjo ide e tij nuk u pranua menjëherë nga fshatarët.

"Meqë ishim dërguar për të zbutur varfërinë, disa banorë të fshatit ishin të pakënaqur, sepse vrisnin mendjen pse thjesht nuk u jepnim para në dorë", thotë Lu. Por fillimisht ai donte ta promovonte jogën si mënyrë për të përmirësuar shëndetin, dhe vetëm më vonë krijoi bindjen se "ushtrimi i jogës mund të ndihmojë për të ulur varfërinë."

E ndërsa fshatarët filluan ta ushtronin gjithnjë e më shumë jogën, përmirësimi i shëndetit të tyre ka dhënë rezultatet e veta edhe në arë, me rritjen e rendimentit, e kështu edhe të të ardhurave të fermerëve. Nga ana tjetër, banorëve në Yugouliang u duhet tani të shpenzojnë më pak për problemet e tyre me shëndetin, të cilat kanë ardhur duke u pakësuar. Por të ardhurat janë shtuar edhe nga një burim tjetër. Në vitin 2017, Administrata e Përgjithshme e Sporteve e Kinës e cilësoi Yugouliang-un si "Fshati nr. 1 i jogës në Kinë." Kjo, bashkë me famën në rritje të Yugouliang-ut, ka bërë që këtu të vijnë kureshtarë nga e gjithë Kina, duke krijuar një sektor të panjohur më parë në fshatin Yugouliang: turizmin. "Yugouliang-u nuk do të jetë më një fshat i harruar, por do të shndërrohet në një pikë tërheqëse turistike në të ardhmen e afërt", thotë Lu.

Por Lu Wenzhen-i nuk ka reshtur së menduari për të gjetur sa më shumë rrugë për të rritur mirëqenien e fshatarëve, duke u përpjekur të nxjerrë sa më shumë para nga toka e ashpër e Yugouliang-ut. Ai i ka binddur fermerët e atyshëm që, në vend të patates e tërshërës që kanë rritur tradicionalisht, të kultivojnë kinoa, duke shpresuar se ky lloj drithi do t'i dyfishojë, e madje trefishojë, të ardhurat e tyre nga toka.

"Unë besoj se objektivi i eliminimit të plotë të varfërisë në Yugouliangdo të arrihet. Nuk kam dyshim për këtë," thotë Lu Wenzhen-i.

Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet të ndryshojë mënyrën se si mendojnë njerëzit për vështirësitë dhe varfërinë. "Në Kinë njerëzit përgjithësisht i japin përparësi jetës materiale ndaj jetës shpirtërore. Unë po bëj përpjekje për ta ndryshuar këtë rend," shprehet Lu Wenzhen-i.

Mrekulli
Lajmet Kryesore