Fabrikat luftojnë varfërinë në fshatrat kineze

2019-01-22 14:33:17 CRI Komenti juaj Printoni

Duke u përpjekur të gjejë rrugët për të fituar luftën kundër varfërisë, konteja Hua në provincën Henan të Kinës Qendrore ka tërhequr fabrika në fshatrat e saj për të ndihmuar fermerët të fitojnë para.

Qin Chengxin-i është një 39-vjeçare, nënë e dy djemve. Ajo gjithashtu kujdeset për nënën e vet të sëmurë. Qin Chengxin-i ka jetuar në një fshat të kontesë Hua që nga dita që ka lindur dhe pjesa më e madhe e jetës së saj ka qenë e mbushur me varfëri.

Jeta ishte e rëndë për familjen e saj në atë fshat të varfër, me borxhe vazhdimisht në rritje. Qin Chengxin-it i duhej të paguante për shkollimin e fëmijëve, për nënën e sëmurë që kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm, pa folur pastaj që ajo kishte një dëmtim në shpinë, kështu që nuk mund të bënte shumë punë bujqësore.

Dhe kështu familja e Qin Chengxin-it mezi nxirrte bukën e gojës, me të ardhurat e kufizuara nga puna në bujqësi dhe nga punët me kohë të pjesshme që bënte herë pas here i shoqi.

Familja e Qin Chengxin-it ishte e dëshpëruar për të ndryshuar fatin e vet. "Unë nuk kisha punë në të kaluarën dhe nuk kisha ndonjë zanat," shprehet ajo. "Kur mësova se po ndërtohet një fabrikë veshjesh dhe po kërkonin punëtore, u gëzova. Isha shumë e lumtur. Shkova të regjistrohesha sapo mora vesh lajmin."

E kështu pas një jave trajnimi, Qin Chengxin-i filloi punë në fabrikën që kompania e veshjeve "Jintai" kishte ndërtuar në fshatin e saj. Fabrika prodhonte veshje për markat e huaja, si "American Eagle" dhe "Uniqlo".

"Jintai" është një kompani me qendër në provincën e pasur bregdetare Zhejiang. Për të ulur koston, kompania i vendosi disa prej objekteve të saj të prodhimit në kontenë Hua në vitin 2015.

Shao Deming është menaxher në fabrikën ku punon Qin Chengxin-i. Ai thotë se zhvendosja nga rajonet bregdetare në zonat rurale në Henan ka sjellë përfitime si për kompaninë, edhe për banorët vendorë:

"Fabrika jonë ndodhet këtu prej disa vjetësh. E filluam me rreth dhjetë punëtorë dhe tani kemi me mijëra. Konteja Hua është një zonë e varfër me popullsi të madhe, kështu që është një vend i mirë për të gjetur krahë pune. Para se të punësoheshin te ne, shumë nga gratë e fshatit punonin vetëm me kohë të pjesshme në bujqësi, duke u kujdesur për fëmijët e tyre. Tani që ato kanë filluar të punojnë në fabrikë, jam i sigurt se gjendja e tyre financiare është shumë më e mirë."

Henan-i është një provincë e madhe bujqësore, që cilësohet si bazë e prodhimit të grurit e Kinës. Por modernizimi i bujqësisë ka bërë që shumë fermerë të shkojnë për të gjetur punë në zona të tjera të Kinës, duke lënë gratë dhe fëmijët në fshat. Por tani, në kuadër të planit kombëtar për rigjallërimin e fshatit, ata po nxiten që të kthehen në vendlindje.

Menaxheri i "Jintai"-t Shao Deming vë në dukje se kompania ka ndërtuar 17 fabrika të tilla në Hua që nga viti 2015, që punësojnë mijëra veta. Shao thotë se ndihet krenar që ka ndihmuar për të ndryshuar jetën e shumë familjeve vendore:

"Që kur e kemi hapur biznesin këtu, 547 familje kanë dalë nga varfëria. Puna këtu ka sjellë ndryshimin e fatit të këtyre familjeve. Mesatarisht, punëtorët marrin rrogë mujore rreth 3 000 juanë, ose afro 30 000 – 40 000 mijë juanë në vit. Nëse dikush punon këtu për një vit, të ardhurat që merr janë të mjaftueshme për ta nxjerrë atë nga varfëria."

Xu Zhichao është një nga drejtuesit e projektit të zbutjes së varfërisë në kontenë Hua. Ai thotë se marrëveshja për financimin e transferimit të linjës së fabrikave të "Jintai"-t në kontenë e tyre është dobiprurëse për ta:

"Kjo siguron për fermerët e varfër mundësi punësimi pa pasur nevojë të largohen nga fshati. Ata mund të kujdesen edhe për fëmijët dhe të moshuarit në familjet e tyre, duke qenë në gjendje të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme. Kjo forcon rrënjët e familjes dhe ndihmon në daljen e tyre varfëria."

Xu Zhichao vëren se "Jintai" është vetëm një nga 26 kompanitë që kanë qindra fabrika dhe punishte në të gjithë kontenë Hua, të cilat punësojnë tani rreth 30 mijë punëtorë vendorë.

Tani mjaft fshatarë të kontesë Hua kanë kërkesa më të larta për standardin e jetesës së tyre. Qin Chengxin-i thotë:

"Tani unë mund të siguroj rroba dhe ushqime më të mira për fëmijët e mi, gjë që më bën të lumtur. Vjet bleva një biçikletë elektrike. Shkoj me të në punë dhe gjithashtu e përdor për të marrë fëmijët e mi nga shkolla."

Qin Chengxin-i gjithashtu shprehet se qëllimi i saj kryesor është t'i dërgojë djemtë e saj në shkolla të mira, e pse jo edhe në universitet, për t'u dhënë atyre një mundësi për të pasur një jetë edhe më të mirë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore