Zhu Ruifang-u, sipërmarrësja e re e bujqësisë

2019-01-16 10:38:53 CRI Komenti juaj Printoni

Një sipërmarrëse e re nga Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme në Kinën Veriore i është përkushtuar zhvillimit të bujqësisë moderne gjatë nëntë vjetëve të fundit.

Zhu Ruifang-u, nga konteja Wuchuan në afërsi të qytetit Hohhot, drejton Kooperativën e Specializuar të Mbjelljeve "Jianan".

Duke e kthyer kooperativën e saj në një platformë që përfshin shumë fermerë vendorë, Zhu ka ndihmuar për të rritur të ardhurat e tyre, si edhe të vetat.

Ndërsa numri i të diplomuarve në Kinë është rritur ndjeshëm, punësimi i atyre që mbarojnë universitetin është bërë gjithnjë e më i vështirë.

Kur Zhu Ruifang-u u diplomua për shkenca kompjuterike, ajo aplikoi për punë të ndryshme, por pa se këto punë mund t'i siguronin një rrogë të mjaftueshme vetëm për të ngrënë dhe për të blerë veshje.

Në vitin 2007, ajo u martua me Zhang Chengzhong-un, një të ri nga konteja Wuchuan, një zonë e përcaktuar si e varfër në nivel kombëtar, për shkak të reshjeve të pakta të shiut dhe thatësirës.

Çifti i ri, përveç punës në bujqësi, gjente punë të përkohshme në qytet për të rritur të ardhurat.

Në vitin 2010, kulturat bujqësore në Wuchuan u dëmtuan nga sëmundjet e rënda dhe insektet gjatë një thatësire të zgjatur. I kapur nga ankthi, vjehrri i Zhu Ruifang-u pësoi një aksident rrugor dhe u bë i paaftë për të bërë punë bujqësie. Kostot për mjekimin e tij gjithashtu rritën barrën financiare të familjes.

Varfëria bëri që Zhu Ruifang-u të mendonte për të sjellë ndryshimin. Për t'u kujdesur për familjen e të shoqit, që tashmë ishte edhe familja e saj, Zhu vendosi t'ia përkushtonte të gjitha energjitë e saj bujqësisë, duke zëvendësuar modelet tradicionale me metoda shkencore.

Në atë kohë, shumë të rinj në konte kishin shkuar në kërkim të punës në qytet, duke lënë shumë toka djerrë. Zhu Ruifang-u vendosi ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Në qershor 2010, ajo krijoi një kooperativë, kryesisht duke u fokusuar në bujqësinë karakteristike dhe duke u marrë me kultivimin e patates, farërave të perimeve, lulediellit, tërshërës, melit dhe bimëve mjekësore, duke shfrytëzuar edhe tokën djerrë. Kooperativa po ashtu nisi të merrej me rritjen e dhenve, pulave e derrave.

Në ditët e para të krijimit të kooperativës, sipërmarrësja e re kishte etje për njohuri, duke marrë pjesë në trajnime dhe konferenca për zhvillimin aktiv të bashkëpunimit.

Në korrik të vitit 2010, Zhu Ruifang-u ndoqi një forum për kooperativat dhe risitë e menaxhimit rural në Pekin, ndërsa në tetor të po atij viti mori pjesë në Kursin Fillestar të Trajnimit të Biznesit për Gratë e Fshatit. Pas përfundimit të këtij trajnimi, ajo mori certifikatën e kursit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore