Du Liangshu, mësuesja e vizatimit që nxori fshatarët nga varfëria

2019-01-09 09:33:53 CRI Komenti juaj Printoni

33-vjeçarja Du Liangshu punonte si mësuese vizatimi e bukurshkrimi dhe nganjëherë si kuratore ekspozitash në një galeri arti në Xiaoyi të provincës Shanxi në Kinën Veriperëndimore.

Kur anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës u inkurajuan të përfshiheshin në fushatën e uljes së varfërisë dy vjet më parë, Du u tregua më se e gatshme.

"Jeta në galeri ishte e plogësht dhe unë doja të bëja diçka që të ishte një sfidë për mua", thotë ajo.

Du Liangshu shkoi vullnetarisht në Zhaizeping, një fshat në lokalitetin Qikou, të administruar nga qarku Linxian, duke u bërë sekretarja e parë e Partisë e fshatit dhe duke u përgjigjur për punën e luftës kundër varfërisë. Zhaizeping-u shtrihet në rrëzë të malit Lyuliang në Shanxi, në një nga zonat më të varfra të vendit.

Duke promovuar vlerat e Qikou-t si një pikë turistike, Du Liangshu i ndihmoi fshatarët e varfër të zhvillojnë biznese të lidhura me turizmin, pasi Zhaizeping-u është vetëm rreth 1 kilometër larg nga qyteza.

Falë përpjekjeve të saj gjatë më shumë dy vjetëve të fundit, të ardhurat e fshatit janë rritur dhe standardet e jetesës janë përmirësuar.

Krahasuar me tre vjet më parë, të ardhurat për frymë të fshatarëve të varfër janë rritur me rreth 40 për qind, duke arritur në rreth 3 500 juanë (afro 510 dollarë amerikanë) vjet, mbi pragun kombëtar të varfërisë prej 3 200 juanësh.

"Kyçi i uljes së varfërisë është gjetja e shkaqeve të saj dhe marrja e masave me objektiv të qartë," thotë Du Liangshu.

Kur ajo erdhi fillimisht në fshat në dimrin e vitit 2016, për të ishte sikur po shkonte në një fushë beteje. Fshati ishte diçka krejtësisht e re për të dhe kur filloi punën në Zhaizeping, ajo nuk kishte asnjë ide se si ta kryente atë.

Si piktore me profesion, Du Liangshu nuk kishte përvojë në punën në fshat, aq më tepër atë lidhur me zbutjen e varfërisë. Por ajo mësoi nga programet e trajnimit për luftën kundër varfërisë që të bisedonte me fshatarët dhe të kërkonte mendimet e tyre.

"E dija që duhej të identifikoja se kush është i varfër dhe për çfarë arsyesh, dhe pastaj duhet të gjeja se çfarë mund të bëja për t'i ndihmuar," thotë Du Liangshu.

Për t'u njohur me fshatarët, ajo bëri dyvargësh kaligrafikë tradicionale dhe ua çoi ato derë më derë si dhurata për Vitin e Ri Kinez. Pas festës ajo organizoi kurse bukurshkrimi.

"Vizitat derë më derë dhe mësimet ishin një mënyrë për mua që t'i njihja të gjithë", thotë Du.

Pas kërkimesh të mëtejshme, Du Liangshu identifikoi 80 nga 311 familjet e fshatit si familje që jetonin nën nivelin zyrtar të varfërisë. Meqenëse fshati ndodhet në një zonë malore dhe për 700 banorët e tij 13 hektarë tokë bujqësore ishte krejtësisht e pamjaftueshme, Du Liangshu mendoi se zhvillimi i bujqësisë mund të mos ishte zgjidhja më e mirë për nxjerrjen e banorëve të Zhaizeping-ut nga varfëria.

Qikou, që ndodhet buzë Lumit të Verdhë, në lashtësi ka qenë një qytezë tregtare. Disa prej fshatrave pranë Qikou-t e kishin shfrytëzuar potencialin turistik të kësaj qyteze, por jo Zhaizeping-u, që është vetëm 10 minuta larg më këmbë prej tij. Du mendoi që edhe ky fshat të zhvillonte biznesin lidhur me turizmin.

"Tani që kishim turistët, duhej të bënim diçka për të fituar para", thotë Du Liangshu.

Gjëja e parë që i shkoi në mend ishin punimet e zejtarisë. Du modeloi një kapele në formën e kokës së tigrit dhe i nxiti gratë e fshatit që të bënin kapele të tilla për t'i shitur si suvenir. Ato po ashtu bënë edhe punime të tjera në forma kafshësh të ndryshme, jastëkë dhe produkte të tjera, dhe filluan t'ua shisnin ato turistëve.

Më pas, Du Liangshu filloi organizimin e shfaqjeve të të ashtuqujturit "teatër me hije kukullash", një formë e veçantë e artit popullor kinez, dhe mësoi më shumë se 20 gra se si ta interpretonin këtë lloj të veçanti teatri kukullash. Çdonjëra prej tyre fiton 1 500 juanë në muaj (afro 220 dollarë) në teatrin e kukullave në Qikou. Një prej këtyre grave, Li Wujun, thotë duke buzëqeshur:

"Me punën në teatrin e kukullave dhe punët e dorës që bëj gjatë kohës së lirë, unë gati ndihem e pasur."

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore