Sipërmarrësja që përdor internetin në biznesin e gjelave të detit

2019-01-01 11:12:59 CRI Komenti juaj Printoni

Gjeli i detit është një element pothuajse i pamungueshëm në tryezat e kremtimit të Vitit të Ri e disa festave të tjera, por një sipërmarrëse e re në Kinë e ka kthyer rritjen e gjelave të detit jo vetëm në një mjet për pasurimin e vet, por edhe të shtimit të punësimit në fshat e të përmirësimit të jetës së fermerëve.

33-vjeçarja Lu Man nga konteja Jianhu e provincës Jiangsu në lindje të Kinës, është pronarja e një ferme ekologjike të rritjes së gjelave të detit me një sipërfaqe afro 66 hektarë, e cila sjell të ardhura vjetore prej rreth 35 milion juanësh (më shumë se 5.1 milionë dollarë amerikanë). Biznesi i sipërmarrëses së re e të pasionuar gjithashtu ka ndihmuar përgjatë rreth dhjetë vjetëve mbi 3 000 bashkëfshatarë të saj të gjejnë punë e të përmirësojnë nivelin e tyre të jetesës, duke ndihmuar kështu në luftën kundër varfërisë. Lu Man-i po ashtu ka shfrytëzuar tregtinë elektronike për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit të saj, gjë që e ka bërë atë të arrijë deri në finalen e Konkursit të Grave Sipërmarrëse Novatore të Kinës për vitin 2017.

Gjithçka nisi në vitin 2009. Lu Man-i, pas diplomimit në një universitet në provincën e vet të lindjes, gjeti punë në Grupin XCMG, një kompani shumëkombëshe kineze e prodhimit të makinerive të rënda, me një rrogë të majme prej 100 000 juanësh (ose afro 15 mijë dollarë).

Megjithatë, një ngjarje e ndryshoi rrjedhën e jetës e të karrierës së saj. Në vitin 2009, gjatë Festës së Pranverës, siç njihet ndryshe Viti i Ri Kinez, Lu Man-i shkoi në fshatin e lindjes së të dashurit të saj asokohe, dhe që sot është bashkëshorti i saj dhe ortak në biznes, Liao Zhengjun, për të takuar prindërit e tij për herë të parë. Vajzës i bëri përshtypje varfëria e vendlindjes së njeriut të saj të zemrës, por edhe përpjekjet e banorëve për të dalë nga ajo varfëri.

"Dëshira e fortë e fshatarëve për të dalë nga gjendja e tyre jo e mirë më solli papritmas ndjesinë se kisha një përgjegjësi të rëndë mbi shpatullat e mia për t'i ndihmuar ata ta arrinin këtë gjë," kujton Lu Man-i.

"Im shoq ka lindur dhe është rritur në fshat. Ai ka dashuri të thellë për vendlindjen e vet dhe gjithmonë ka dëshiruar të bëjë diçka për të ndryshuar modelet tradicionale të marrjes me bujqësi të bashkëfshatarëve të vet," shton më tej ajo.

Me gjithë kundërshtimin e madh të prindërve, të afërmve dhe shoqërisë së saj, Lu Man-i hoqi dorë nga jeta e qytetit dhe filloi biznesin me Liao Zhengjun-in në fshatin e këtij të fundit. Ata vendosën të merreshin me rritjen e gjelave të detit.

Kur e pyet pse zgjodhi të rrisë gjela deti, Lu Man-i përgjigjet: "Përveç vlerave së tij ushqyese, ky lloj shpendi përshtatet mirë me mjedisin, kështu që është më e lehtë për ta rritur".

Lu Man-i vlerëson edhe traditat kulturore të lidhura me gatimin e gjelit të detit.

"Në Kinë nuk ka asnjë festë ku hahet ndonjë kafshë e caktuar, por në Perëndim, familjet hanë gjela deti në Ditën e Falënderimeve, në ditën e Krishtlindjeve ose të Vitit të Ri," shprehet ajo.

Por si çdo fillim, edhe ai i Li Man-it dhe i të shoqit ishte i vështirë.

"Kur e nisëm, ne i reklamonim produktet tona duke shkuar hotel më hotel, por për të krijuar platforma shitjeje kishte nevojë për forcë korporative," thekson Lu Man-i.

Atyre u shkoi ndër mend një ide që do të dilte se ishte e mençur dhe fitimprurëse.

"Në atë kohë, tregtia elektronike sapo kishte filluar të lindte, kështu që ne menduam të zgjeronim hapësirën për shitjet nëpërmjet internetit," shprehet Lu Man-i.

Tashmë bashkëshorti i saj, Liao Zhengjun-i, krijoi një uebsajt, duke futur në të fotografi dhe informacion për gjelat e detit që mbarështonin ata.

"Efekti ishte i menjëhershëm," rrëfen Lu Man-i. "Rreth 100 veta na telefonuan dhe u konsultuan me ne për produktet tona."

Biznesi i çiftit erdhi duke u rritur ndjeshëm dhe ata përfshinë në të një numër të madh fermerësh të zonës, duke ndihmuar në rritjen e të ardhurave të tyre.

Duke folur për zhvillimin e ardhshëm të biznesit të saj, Lu Man-i është besimplotë.

"Kina ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, por numri vjetor i gjelave të detit që shiten në Kinë është vetëm 1.53 milionë. Ka një hapësirë të madhe për ne në treg," thotë ajo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore