Liu Zhengrong-u, njeriu që i ndihmon të varfrit "të qëndrojnë me këmbët e veta"

2018-12-24 14:52:14 CRI Komenti juaj Printoni

Disa njerëz e shohin pensionin si një mundësi për të pushuar, por jo Liu Zhengrong-u.

Edhe pse 71-vjeçari tashmë e ka lënë punën në telekomunikacion, ai vazhdon të japë ndihmesën e vet për t'i sjellë fshatrat e varfra e të thella të provincës kineze Hubei në epokën moderne, si pjesë e një programi ku ai merr pjesë prej dy dhjetëvjeçarësh.

Liu Zhengrong-u ishte në grupin e parë të nëpunësve të shtetit e të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore që bashkia e qytetit Huanggang dërgoi në fshat në vitin 1999, për të ndihmuar në përpjekjet për zbutjen e varfërisë.

Në atë kohë, ai ndihmoi në përmirësimin e sistemit telefonik dhe siguroi rreth 200 mijë dollarë investime nga Kompania e Telekomunikacionit e Hubei-t ku punonte, për të instaluar internetin në fshat.

Vitet e fundit Liu ka jetuar dhe punuar në fshatin Hongxing, që ka njohur ndryshime mjaft të mëdha. "Rrugët e fshatit janë asfaltuar. Të gjitha shtëpitë kanë ujë të rrjedhshëm", thotë Liu. "Çdokush mund ta përdorë energjinë elektrike kur të dojë, pa u shqetësuar se ajo mund të ndërpritet, siç ndodhte shpesh më parë".

Si rezultat, në fund të vitit 2016, Hongxing-u u shpall një fshat që kishte dalë nga varfëria. Të ardhurat mesatare për frymë të banorëve të tij kanë arritur në 8 180 juanë (rreth 1200 dollarë) në vit, gati trefish më shumë se niveli zyrtar i varfërisë prej 3 000 juanësh.

Qyteti Huanggang dhe fshatrat në varësi të tij, siç është edhe Hongxing-u, kanë pasur një zhvillim të ngadaltë, kryesisht për shkak të relievit malor. Sot aty ka ende më shumë se 1 milion veta që jetojnë në varfëri.

Në vitin 1999, bashkia e këtij qyteti u bë e para në Kinë që dërgoi në fshat punonjës nga institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore, për të udhëhequr luftën për zbutjen e varfërisë.

Më shumë se 20 grupe u dërguan në 19 fshatra të kontesë Tuanfeng, për të qëndruar aty të paktën dy vjet.

Liu Zhengrong-u u dërgua fillimisht së bashku me gjashtë të tjerë në fshatin Wangjiafan. "Në atë kohë, aty nuk kishte rrugë, kështu që makinat nuk shkonin dot deri atje," kujton ai. "Zbritëm nga autobusi në një vend të shkretë dhe na u desh të ecnim disa kilometra për të arritur atje".

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore