Kina ngul këmbë në risitë shkencore dhe zhvillimin e vazhdueshëm

2018-12-04 16:27:53 CRI Komenti juaj Printoni

Zv.ministri i Shkencës dhe i Teknologjisë i Kinës Xu Nanping u shpreh ditët e fundit në Pekin se zhvillimi i vazhdueshëm është konsesus i bashkësisë ndërkombëtare dhe Kina do të ngulë këmbë te risitë, reforma e hapja në fushën e shkencës dhe teknologjisë, do të ruajë konceptin e zhvillimit të vazhdueshëm dhe do t'i kushtojë vëmendje rritjes së cilësisë së jetesës së njerëzve dhe përmirësimit të mjedisit.

Agjenda për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 e OKB-së ka nisur zyrtarisht në vitin 2016. Në këtë nismë, OKB-ja u bën thirrje vendeve të ndryshme të ndërmarrin veprime dhe të përpiqen për zhvillimin e vazhdueshëm shoqëror, ekonomik dhe mjedisor të botës. Si vend nënshkrues i kësaj agjende, Kina publikoi vjet "Raportin e zbatimit të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030", ku bëhet një përmbledhje e masave të marra dhe e përvojës së Kinës në këtë drejtim. Zv.ministri i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës Xu Nanping u shpreh se, në fushën e shkencës e të teknologjisë, koncepti i Kinës për zhvillimin e vazhdueshëm është pranuar thellësisht nga njerëzit dhe është formuar një konsesus i gjerë në mbarë shoqërinë.

"Në të kaluarën ne kemi zbatuar shumë metoda, por qysh nga viti 2015 kemi ndryshuar gradualisht në nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm global nëpërmjet inovacionit. OKB-ja ka organizuar shumë herë mbledhje me palët e përfshira në inovacionin tekniko-shkencor, me synim që të nxitë zhvillimin e vazhdueshëm nëpërmjet risive. Ky është një mendim unanim i palëve," thotë zv.ministri Xu Nanping.

Vitet e fundit Kina gjithmonë e ka vendosur krijimin e risive shkencore në një pozicion kryesor për zhvillimin e gjithanshëm kombëtar. Në Kongresin e 19-të të PKK-së u shpall që inovacioni do të jetë fuqia kryesore nxitëse e zhvillimit. Xu Nanping-u është i mendimit që përpjekjet që bën Kina për nxitjen e risive përshtaten me zhvillimin ekonomik të vendit, si edhe me prirjen e zhvillimit të botës:

"Pse teknologjia tani është shumë e rëndësishme për Kinës? Në fakt, ky është një vlerësim i përgjithshëm i bazuar në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit. Kina mbështetet shumë tek risitë, që janë një pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Ne duhet doemos ta vendosim inovacionin në themel të zhvillimit të ardhshëm dhe ta marrim si forcën kryesore nxitëse të zhvillimit tonë."

Xu Nanping-u u shpreh se, gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, zhvillimi tekniko-shkencor i Kinës ka thyer pandërprerë pengesat e sistemit që kufizonte risitë teknologjike, duke arritur një përparim të madh. Në të ardhmen, Kina do të zgjerojë më tej nivelin e hapjes tekniko-shkencore, do të emancipojë konceptet, do të thjeshtojë procedurat administrative, do të ndërthurë lehtësimin e kontrollin dhe do të përmirësojë shërbimet përkatëse, për ta kthyer inovacionin në një zakon shoqëror:

"Nuk duhet t'u lidhim duart me politika shkencëtarëve dhe sipërmarrësve tanë, sepse kështu ata nuk do të kenë guxim për të krijuar risi. Në këto vite Këshilli i Shtetit i Kinës ka zbatuar programin 'Nisje masive e biznesit dhe krijim masiv i risive', çka përbën një nxitje për frymën e inovacionit. Unë mendoj që kur krijimi i risive dhe nisja e biznesit të bëhen një zakon i jetës sonë dhe të mos jenë thjesht një mënyrë për të bërë para, atëherë do të kemi shpresa tek inovacioni".

Xu theksoi gjithashtu që, sipas përvojës shumëvjeçare, thjesht kërkesa për rritje ekonomike mund të shkaktojë një sërë problemesh shoqërore dhe mjedisore. Kështu që ruajtja e bashkërendimit mes zhvillimit ekonomik dhe atij shoqëror është ndryshimi më i madh i konceptit të zhvillimit të Kinës. Me frymën e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, Kina i kushton rëndësi veçanërisht të madhe zhvillimit të vazhdueshëm dhe kjo është edhe detyrë e përbashkët e njerëzimit.

"Ekuilibrimi mes rritjes ekonomike dhe mjedisit është një çështje që u përket të gjithëve dhe një problem që duhet medoemos të zgjidhet siç duhet. Gjatë këtyre vite jemi përpjekur për pakësimin e kapaciteteve industriale dhe duhet të ndalojmë me vendosmëri disa sektorë me ndotje të madhe. Kjo në fakt është përgjigjja për popullin kinez dhe për popujt e tjerë të botës. Mendoj që, në këtë drejtim, ne duhet të zbatojmë më tej konceptet e reja të zhvillimit me organizmat e OKB-së dhe të bashkërendojmë më mirë përmasat, shpejtësinë dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror," thotë zv.ministri i Shkencës dhe i Teknologjisë i Kinës Xu Nanping. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore