ZTL-ja, Shangai vijon eksplorimin e modeleve të menaxhimit

2018-11-27 14:48:11 CRI Komenti juaj Printoni

Në shtator të vitit 2013 u hap Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait. Gjatë këtyre pesë vjetëve, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka krijuar shumë risi në sistemin e vet, duke pasur në thelb modelin e menaxhimit të investimeve të huaja me listë negative. Me këtë model të ri, janë pakësuar kufizimet ndaj investimeve të huaja, duke lehtësuar procedurat e hyrjes në tregun vendas. Kjo është një përvojë e çmuar për hapjen e mëtejshme të Kinës.

Tani, në një periudhë të re, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka publikuar listën negative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, që është e para në Kinë. Ky në fakt është edhe eksplorimi i Kinës për zhvillimin me risi të tregtisë së shërbimeve.

Para krijimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, krijimi i kompanive në Kinë nga investitorët e huaj duhej të shqyrtohej hap pas hapi nga qeveria kineze. Një risi kryesore në sistemin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait është që ka ndryshuar këtë model të vjetër të menaxhimit të investimeve, duke publikuar listën negative për investimet e huaja. Kjo listë negative është si "lista e zezë" në sektorin e investimeve, ku janë qartësuar fushat dhe sektorë që nuk mund të investohen nga ndërmarrje të huaja. Përveç këtyre sektorëve të përfshirë në listën, të gjitha fushat e hapuara ndaj investimeve të huaja. Zv.kryetari i Komitetit të Zhvillimit dhe Reformës të Shangait Zhu Min thotë që ndryshimi i modelit të menaxhimit të investimeve me listën negative në thelb, është një nga arritjet më të mëdha të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait:

"P.sh., në këtë model të menaxhimit të investimeve të huaja me listë negative, kemi vendosur një kufi me vetëm një dokument. Me këtë kufi, tregu mund të luajë rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve dhe qeveria mund të luajë rol të mirë mbikëqyrës. Mbi këtë bazë ka nisur edhe reforma për formulimin e listës. Kështu, mund të themi që kjo është një risi bazë për sistemin tonë."

Pas listës negative për investimet e huaja në Shangai, Kina ka bërë prova të tilla në zonat e tregtisë së lirë në Tianjin, Guangdong dhe Fujian dhe në vitin 2017, në bazë të këtyre zonave, u publikua lista negative për investimet e huaja për tërë vendin. Ky hap i parë nga Zona e Tregtisë së Lirë e ka nxitur hapjen e mëtejshme në mbarë Kinën. Zv.drejtori i Drejtorisë së Tregtisë të Bashkisë së Shangait Shen Weihua bën të ditur që në këta pesë vjet, lista negative e Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait "është tkurrur" pandërprerë.

"Ky model përshtatet me rregullat ndërkombëtare të investimeve, sepse ofron trajtim kombëtar para hyrjes në tregun kinez dhe një sistem menaxhimi të investimeve të huaja me listë negative. Tani është formuar lista negative kombëtare për investimet e huaja, që është e para në Kinë. Në këtë listë, sipas sektorëve të ekonomisë kombëtare, janë përcaktuar 190 masa të posaçme për menaxhimin e investimeve të huaja. Pas reformave gjatë këtyre vjetëve, masat e menaxhimit me listë negative të publikuara në vitin 2018 nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit e Reformës dhe Ministria e Tregtisë janë pakësuar në 45," thotë Shen Weihua.

Publikimi i listës negative në fakt është hapi i parë i reformimit të modelit të menaxhimit në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait. Tani, për krijimin dhe ndryshimin e kompanive të huaja nuk ka nevojë për shqyrtim dhe vetëm duhet regjistrimi. Të gjitha procedurat mund të bëhen në internet dhe kjo ka krijuar shumë lehtësi për investimet. Tani koha e krijimit të një kompanie me investime të huaja është shkurtuar në një ditë, nga tetë ditë që ishte më parë. Shen Weihua bën të ditur që tani ky model menaxhimi me regjistrim, në vend të shqyrtimit, është shumë i përhapur në zonën e tregtisë së lirë në Shangai.

"Deri në qershorin e sivjetshëm, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait janë regjistruar gjithsej 8696 kompani me investime të huaja. Vëllimi i kontratave të investimeve të huaja është mbi 110 miliardë dollarë amerikanë, 22.1 miliardë nga të cilat janë investime të huaja aktuale, dhe mbi 98 % e tyre janë realizuar me modelin e regjistrimit," thotë Shen Weihua.

Në fakt, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait nuk ka i ndalur hapat e vet për eksplorimin e modeleve të menaxhimit të investimeve. Në muajin tetor të vitit 2018, kjo zonë ka publikuar listën negative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, që është e para në mbarë Kinën, duke formuar edhe modelin e menaxhimit me listë negative për tregtinë e shërbimeve. Zv.kryetari i Bashkisë së Shangait Wu Qing thotë që ky është rinovimi i sistemit që bazohet te Shangai, shërben për mbarë vendin dhe përshtatet me standardin ndërkombëtar. Në të ardhmen, kjo do të ofrojë përvojë të mëtejshme për tregtinë e shërbimeve të Kinës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore