Jingmai, fshati i Yunnan-it që po pasurohet nga çaji dhe natyra e bukur

2018-11-27 14:48:04 CRI Komenti juaj Printoni

Yunnan-i në pjesën perëndimore të Kinës, shquhet ndër të tjera, përveç numrit të madh të kombësive të jetojnë aty, të cilat i japin një larmi të madhe kulturore, edhe për kultivimin e çajit. Kina është atdheu i çajit dhe pjesa jugperëndimore e vendit, ku gjendet edhe Yunnan-i, është ndër zonat më të vjetra të kultivimit të çajit. Aty rritet kryesisht çaji "Pu'er", çaji i zi i Yunnan-it dhe disa lloje çaji të gjelbër. Një numër sipërmarrësish kanë shfrytëzuar potencialin e madh tregtar të çajit, duke ndihmuar edhe në rritjen e të ardhurave të kultivuesve të çajit. Një prej tyre është edhe drejtoresha e përgjithshme e Kooperativës së Fermerëve të Çajit të Jingmai-t Xian Gong.

Kur vizitorët shkojnë në fshatin Jingmai në lokalitetin Huimin të kontesë Lancang në Yunnan të Kinës Jugperëndimore, në hyrje të tij mund të shohin është një ndërtesë me një oborr të bukur, të ndërtuar me dru dhe bambu, në stilin e kombësisë dai. "Hoteli Elegant Jingmai" menaxhohet nga Xian Gong-u, një biznesmene e njohur e fshatit, e cila i ka kushtuar shumë kohë dhe energji sipërmarrjes së vet, duke kaluar shumë vështirësi. Hoteli, i rrethuar nga male dhe pemë, i bën mysafirët të ndihen shumë këndshëm. Jo shumë larg nga hoteli mund të shohësh plantacionet e çajit, që ndërthurin pamjen e maleve, ujit, dritës së diellit dhe mjegullës.

"Jam rritur në Jingmai, i cili ka një histori rreth 1 800-vjeçare të mbjelljes së çajit, dhe dua që sa më shumë njerëz ta shijojnë çajin që rritet këtu. Prandaj, kur mbarova studimet në vitin 2002, u përpoqa të ndihmoja në rritjen dhe forcimin e sektorit vendor të kultivimit të çajit," thotë Xian Gong-u.

Kur u kthye nga një metropol gjigant si Chongqing-u ku kishte kryer shkollën, në fshatin e vet të vogël e të thellë, kishte mjaft nga ata që e quajtën vendin e saj të nxituar. Por Xian Gong-u nuk hoqi dorë nga ëndrra e vet, duke huajtur para nga miqtë e të afërmit për të filluar biznesin.

Në fillim ajo krijoi Kompaninë e Çajit "Yanmeng" të Jingmai-t, e cila merrej me mbjelljen, përpunimin dhe shitjen e çajit. Xian-i nuk kishte përvojë në biznes, por vetëm besiom dhe vendosmëri se do t'ia dilte. Ajo e kalonte një pejsë të mirë të kohës duke lexuar për mënyrat e menaxhimit të biznesit dhe të marketingut. Ajo po ashtu shkoi në mjaft krahina të vendit për të mësuar lidhur me përpunimin e çajit.

Kultivuesit vendorë në Jingmai e përpunonin çajin me mënyrën e tyre dhe konkurronin me njëri-tjetrin për shitjen e produkteve të tyre, gjë që çoi në njëfarë pështjellimi në treg. Xian Gong-u arriti në përfundimin se vetëm duke krijuar markën e vet mund të shfrytëzohej potenciali i çajit të zonës.

Në vitin 2005, Xian Gong-u mblodhi një fond prej rreth 1 milion juanësh (afro 145 000 dollarë amerikanë) për të ndërtuar punishte të standardizuara dhe për të blerë pajisje të përparuara të përpunimit të çajit nga Tajvani, duke themeluar Kooperativën e Fermerëve të Çajit " Lancang" të Jingmai-t. Një vit më vonë, Xian Gong-u bëri një investim prej më shumë se 1.5 milionë juanësh (mbi 215 mijë dollarë) në kooperativë dhe ftoi profesionistë për t'u dhënë mësim fermerëve vendas se si të kultivojnë çajin. Të ardhurat e kooperativës atë vit i kaluan 1 milion juanët.

Në vitin 2007, për shkak të rënies së madhe të tregut, Xian Gong-u u detyrua të vononte pagesën për çajin e mbledhur nga fermerët vendorë. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua dhe arriti të mbijetonte me ndihmën e të afërmve dhe miqve, si edhe prej emrit të mirë që kishte te çajrritësit. Xian-i shpejt arriti të paguante për çajin e tyre me një çmim relativisht më të lartë. Ndërsa prodhimi i kooperativës së krijuar e drejtuar nga Xian Gong-u u rrit shumë, sipërmarrësja u ndau anëtarëve të kooperativës edhe shpërblime, gjë që e rriti më tej popullaritetin e saj. Numri i familjeve të regjistruara në kooperativë u rrit nga 27 në fillim në 164. Kooperativa krijoi markën e vet dhe të ardhurat e saj në vitin 2012 arritën në më shumë se 8 milionë juanë (mbi 554 mijë dollarë amerikanë), duke u sjellë përfitime edhe anëtarëve të saj. Pas dy vjetësh, të ardhurat gati u dyfishuan, duke arritur në 15 milionë juanë (më shumë se 2.1 milionë dollarë).

Xian-i ndjek parimin e zhvillimit të vazhdueshëm dhe zbaton konceptin e rritjes që mbron mjedisin. Ndërsa biznesi i saj ka përjetuar një rritje të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit, Xian Gong-u gjithashtu i ka ndihmuar fshatarët e Jingmai-t, duke u ofruar atyre mundësi punësimi. Për të zgjeruar më tej burimet e të ardhurave për banorët vendorë, në vitin 2011 Xian-i investoi më shumë se 2 milionë juanë (rreth 290 000 dollarë amerikanë) për të ndërtuar hotelin në hyrje të fshatit, të cilin e quajti pra "Hoteli Elegant Jingmai". "Hoteli do të promovojë më tej zhvillimin e sektorit vendor të turizmit, të hotelerisë dhe ushqimit, përveç shitjes së çajit", shprehet Xian Gong-u. Tani, fshati Jingmai është bërë një destinacion i pëlqyer prej turistëve, të cilët nuk harrojnë të blejnë çajin e atyshëm përpara se të largohen.

Hoteli i Xian Gong-u është bërë edhe një kartëvizitë që tërheq turistët në malin Jingmai ku ndodhet fshati me të njëjtin emër, dhe gjithashtu një pjesë e pazëvendësueshme e peizazhit të atyshëm.

Mrekulli
Lajmet Kryesore